1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania duhet t'i hapë dyert

Alexander Scholz, Bahri Cani5 Shkurt 2013

Organizata për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillimin (OECD) ka paraqitur një raport për gjendjen në tregun gjerman të punës. Ministrja për Punë paraqiti edhe masat e tjera që do të ndërmirren.

https://p.dw.com/p/17Xx7
OECD-Logoja
OECD-Logoja

Ndonëse në Gjermani ka edhe më tej mbi tre milionë të papunë, rreth 850.000 vende të punës janë të lira. Fuqia punëtore mungon në shumë  zanate dore, në instalimin e ngrohjeve dhe ujit, bëri me dije ministrja e Punës, Ursula von der Leyen. Mungojnë poashtu kuadrot në spitale dhe në përkujdesjen e shtëpive të të moshuarve. Shumë sipërmarrje të vogla në brendësi e kanë vështirë të gjejnë fuqi punëtore.

"Ne duam ta ndryshojmë këtë gjendje", tha von der Leyen. Tregu gjerman i punës ka qenë i mbyllur në këtë segment. Tani duhet të krijohen kushtet për ndryshimin e kësaj gjendjeje. Ministria federale e Punës ka përgatitur masat që do të futen në fuqi në qershor të këtij viti. Vlerësohet se përmirësime do të ketë në sektorët ku ka mangësi të fuqisë punëtore. Masa të ngjashme janë ndërmarrë edhe në vitin 2011 kur është mundësuar punësimi i akademikëve nga vendet e tjera të Bashkimit Evropian. Në gusht të vitit të kaluar është futur edhe e ashtuquajtura "Blue Card", nga e cila kanë përfituar deri tani rreth 2500 akademikë, tha von der Leyen.

OECD: Politika e mirë jep rezultatet e duhura

Organizata për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillimin (OECD) propozon hapjen e mëtejshme të tregut gjerman për kuadrot nga vendet e tjera. Vetëm në këtë mënyrë mund të ulet problemi me lëvizjet negative demografike në vend, deklaroi Yves Leterme, zëvendëssekretar i përgjithshëm i OECD-së. Sipas tij, mungesa në tregun e punës nuk mund të plotësohet vetëm me mobilizimin e forcave të brendshme.

Ursula von der Leyen , Ministrja gjermane e Punës.
Ursula von der Leyen , Ministrja gjermane e PunësFotografi: picture-alliance/dpa

"Gjermania ka bërë një varg reformash, në drejtimin e duhur", thotë Leterme. Ndërkohë ajo është vendi me kufizimet më të vogla për fuqinë punëtore nga vendet e tjera. Por shifrat edhe më tej janë më të vogla se sa në vendet e tjera. Deri tani kanë ardhur në këtë vend vetëm 25.000 të huaj për të gjetur punë. Në Kanada apo Australi, për shembull, shifrat për të njëjtën periudhë janë 5-10 fishë më të larta.

Shumë sipërmarrje nuk duan të huaj

Raporti i OECD-së parashikon dhe disa propozime për ndryshimin e gjendjes. "Tregu gjerman duhet të jetë më i hapur", pohon Leterme. Kjo del edhe nga sondazhet e kryera në 1100 sipërmarrje, sepse shumë prej tyre parashikojnë të marrin fuqi punëtore nga vendet e tjera. Në vendet e tjera duhet të organizohen edhe kurse specifike të gjuhës gjermane, të cilat kanë të bëjnë me fuqinë e specializuar të punës. "Gjuha gjermane është një pengesë e madhe për shumë punëtorë", shpjegon Laterme. Ndërkohë që njohja e gjuhës është një prej parakushteve kryesore për shumë sipërmarrje gjermane.

Sistemi duhet të ndryshojë

Raporti i OECD-së parashikon që fuqisë së kualifikuar të huaj t'i hapet mundësia e futjes në tregun gjerman të punës. "Reformat nuk mund të ndryshojnë gjërat brenda një nate. Ndaj duhet të ketë më shumë transparencë dhe informacione", mendon ai.

Foto simbolike për të papunët në Gjermani
Foto simbolike për të papunët në GjermaniFotografi: dapd

Ministria gjermane për Punë parashikon vazhdimin e punësimeve. "Ne nuk bëjmë pyetja se nga cili vend vjen dikush, por a i ka kualifikimet e duhura dhe a mund t'i kontribuojë vendit tonë", tha von der Leyen. Ajo shtoi se qëllimi është "ndryshimi i sistemit, me qëllim që të jetë i pranueshëm për të tjerët". Autoirtetet kanë parashikuar që për të interesuarit për kurset e gjermanishtes të ndahen 140 milionë euro, të paguhen shpenzimet e udhëtimeve dhe kurseve intensive.

OECD -ja poashtu mendon se duhen ofruar kurse të gjermanishtes. Në pyetjen se nga cili vend ka më së shumti të interesuar për të ardhur në Gjermani, Leterme dhe von der Leyen u përgjigj se shumica janë nga vendet e Evropës së Mesme dhe Lindore, në veçanti nga Polonia. Më pak të interesuar ka nga vendet jugore të Evropës. Por në përgjithësi, shpjegon von der Leyen, po rritet vetëdija se po hapet tregu evropian i punës.