1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania i tërheq shumë imigrantët

Autor: Sabine Kinkartz/Eliana Xhani14 Qershor 2013

Plot 300.000 vetë kanë imigruar gjatë 2011 në Republikën Federale, rreth 30 për qind më shumë se një vit më parë. Kjo është pozitive për Gjermaninë, thotë OECD në raportin e saj të fundit për migracionin.

https://p.dw.com/p/18p31
Fotografi: Fotolia/Masson

Kush lë atdheun e tij për të gjetur një jetë më të mirë jashtë, merr gjithnjë e më shpesh rrugën drejt Gjermanisë. Imigracioni afatgjatë mes 2010 dhe 2011 me një rritje prej 68.000 vetësh, është në Gjermani më i fortë se në çdo vend tjetër të industrializuar. Në këtë përfundim arrin raporti për migracionin 2013 i Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), i cili u prezantua të enjten (13.6.2013) në Bruksel dhe Berlin.

Gjithsej në shtetet e OECD-së kanë imigruar gjatë 2011 plot katër milionë njerëz. Kjo shënon një rritje prej 2 për qind. Pas tre vjetësh gjendje të pandryshuar, kushtëzuar nga kriza ekonomike në Evropë, norma e migracionit është rritur kështu sërish. Për 2012 pritet një tendencë e njëjtë. Në radhën e 34 vendeve të OECD-së Gjermania është në vend të pestë ndër vendet e destinacionit. Vetëm SHBA, Spanja, Britania e Madhe dhe Italia tërheqin më shumë njerëz, megjithëse imigracioni drejt këtyre vendeve ka shënuar rënie të ndjeshme që prej fillimit të krizës.

Në kërkim të një pune

275.000 imigrantë të vitit 2011 vijnë nga vendet e përfshira nga kriza në BE. Një e treta e tyre ka pasur destinacion Britaninë e Madhe. Gjermania me 78.000 imigrantë ishte destinacioni i dytë më i rëndësishëm për migrantë nga Evropa e jugut.

Megjithë krizën, shkaku kryesor për pjesën më të madhe të imigracionit të afatgjatë në Gjermani, është e ashtuquajtura liri lëvizjeje në hapësirën ekonomike evropiane. Me jo pak diferencë pason si shkak i dytë tërheqja e familjarëve dhe në masë edhe më të vogël është migracioni për arsye humanitare.

„Qeveritë duhet të bëjnë gjithçka për të përmirësuar shanset e migrantëve për një vend pune“, tha sekretari i përgjithshëm i OECD-së Angel Gurria, në prezantimin e raportit të migracionit 2013 në Bruksel. „Luftimi i papunësisë së lartë dhe afatgjatë është diçka thelbësore."

Ndërkohë që në OECD ashtu si dhe më parë mesatarisht një në dy migrantë është më shumë se 12 muaj i papunë, në Gjermani kuota e punësimit në radhët e migrantëve është rritur nga 2008 në 2012 me 5 për qind. Tek njerëzit e lindur në Gjermani rritja e normës së punësimit në të njëjtën periudhë kohe shënoi vetëm 1,5 për qind. Thomas Liebig nga departamenti për Migracionin Ndërkombëtar në OECD, e shpjegon këtë në radhë të parë me ndryshimet në legjislacionin evropian dhe atë gjerman.

Në Gjermani ka lëvizje

Migrantë në Gjermani
Migrantë në GjermaniFotografi: picture-alliance/dpa

Para së gjithash futja e të ashtuquajturave „Karta blu“ të BE-së ka sjellë shumë ndryshime, thotë Liebig. „Të prekurit kanë kritikuar gjithnjë që askush nuk e kuptonte sistemin e imigracionit në Gjermani dhe rendi i vjetër i punësimit, i cili vlen deri sot, është në të vërtetë një bllokim për aplikantët, me disa përjashtime."

Por ndërkohë transparenca është rritur ndjeshëm. „Me anë të ndarjes në migracion të përkohshëm dhe afatgjatë, Gjermania ka adoptuar një strukturë shumë më moderne.“

Nga shifrat paraprake për vitin 2012 rezulton se imigracioni i kushtëzuar nga kriza nga Greqia dhe Spanja vazhdon të rritet. Mes 2007 dhe 2011, imigracioni nga Greqia është rritur me 73 për qind dhe ai nga Spanja me plot 50 për qind. Por statistikat tregojnë gjithashtu se shumë migrantë nga këto vende, i kthejnë shpejt shpinën Gjermanisë. Vetëm një në dy grekë dhe një në tre spanjollë ka qendruar vitin e kaluar më shumë se një vit në Gjermani.

“Problemi nuk është interesi për Gjermaninë“, thotë eksperti i OECD-së për migracionin, Thomas Liebig. „Problemi është gjuha.“ Pjesa më e madhe e punëdhënësve kërkojnë nga migrantët që të zotëronjë gjuhën gjermane. „Kjo pikë përmendet gjithnjë, është më e rëndësishme se çdo diplomë universitare apo kualikimin profesional“, thotë Liebig.
 

Një plus për arkën e shtetit

Për këtë arsye duhet investuar shumë më tepër në mësimin e gjuhës. Edhe pse tani ka lëvizje, Gjermania ka humbur shumë mundësi në këtë fushë. Institutet Goethe për shembull e kanë marrë vetëm në 2011 mandatin për të ofruar kurse gjuhe specifike për imigrantët. Mësuesit e gjuhës janë për momentin „mall i rrallë“. Një tjetër kërkesë e OECD-së ka të bëjë me temën e diskriminimit. Një migrant në Gjermani duhet të shkruajë dy herë më shumë aplikime për të gjetur një vend pune se sa një vendas. Burrat me rrënjë turke, nga pikpamja statistikore duhet të presin dy herë më shpesh të mbeten pa punë në krahasim me ata që nuk kanë sfond migracioni.

Gjermania mikpritëse
Gjermania mikpritëseFotografi: Becky Stares/Fotolia.com

Raporti për migracionin i OECD-së tregon se sa e madhe mund të jetë dobia makroekonomike nga imigrantët. Kështu të ardhurat neto të shtetit mund të rriteshin me rreth 0,3 për qind, nëse individët me origjinë gjermane dhe të huaj do të ishin njëlloj të përfaqësuar në tregun e punës. Vetëm nga migrantët me kualifikim të lartë, të ardhurat e mundshme shtesë do të ishin më shumë se 3,5 miliardë euro.