1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

250810 Rohstoffe Abfall

27 Gusht 2010

Burimet nëntokësore mund të mbarohen, më shpejt se ç'kemi supozuar deri tani. Rritja e popullsisë në mbarë botën, hovi ekonomik në vendet si Kina dhe India shtojnë nevojën për lëndë të para. E ardhmja i përket riciklimit

https://p.dw.com/p/Oxym
Lëndët e para të rralla mund të riciklohen
Lëndët e para të rralla mund të riciklohenFotografi: Stiftung Archäologie, München

Indiumi është një metal i rëndë. Ai është i pazëvendësueshëm për prodhimin e ekraneve të kompjuterave dhe të touchscreens, të ekraneve që reagojnë me prekje. Indium, sipas ekspertëve, do të ketë edhe gjashtë deri dhjetë vjetë të tjerë. Edhe nafta për krijimin e energjisë dhe si bazë për industrinë plastike do të jetë mbaruar në gjashtë, shtatë vitet e ardhshëm. Bakër, i cili është i pazëvendësueshëm për aparatet elektrike, gjithashtu lëndë e parë, do të ketë edhe për 30 vjet.

"Ne po konstatojmë se lëndët e para janë të shterueshme. Këtë e vëmë re edhe në çmimet e lëndëve të para në përgjithësi. Kjo vjen nga fakti se kërkesa rritet dhe kjo ka të bëjë me zhvillimin e vendeve në ekspansion ekonomik. Përshembull Kina apo India përparojnë. Dhe lëndët e para janë të kufizuara, prandaj bëhen gjithnjë e më interesante lëndet e para sekondare."

Riciklimi ka rëndësi jetike për Gjermaninë e varfër me lëndë të para, prej vitesh eksportuese rekord. Sepse meqenëse rezervat e burimeve natyre po mbarohen, kjo do të thotë se për mirëqënien jo vetëm të Gjermanisë, por të gjithë botës, mbeturinat, plehërat do të jenë në të ardhmen burimi më i rëndësishëm.

Ndarja e mbeturinave - tashmë e zakonshme në shumë vende

Në shtëpitë gjermane prej disa dekadash mbeturinat ndahen. Fillimisht të përqeshur, kazanët blu, të verdhë, të kafejtë dhe të gjelbër kanë gjetur shokë edhe në vende të tjera të Evropës dhe botës. Nga gazetat e vjetra bëhet përsëri letër e bardhë e shtrenjtë. Nga mbeturinat biologjike krijohet biogaz. Aparaturat e vjetra elektrike krijojnë mrekullira. Remondis është një firmë gjigande private në Lünen në Lippe të Westfalisë. Ajo ka impiante të tëra, që nxjerrin nga plehrat lëndë të parë të vlefshme.

"Ka plot materiale të ndryshme, fshesa me korent, aparatura të vogla elektrike të çdo lloji, kompjutera, tastatura, pra material, i përbërë nga komponente të ndryshme, që janë të lidhura me njëra-tjetrën: plastikë, metal. Ky material copëtohet, kështu që komponetet përberës shkëputen nga njëri-tjetri. Dhe në fund të këtij procesi mund të shikosh në sallën kryesore, se si lëndët e para sekondare veç e veç, bakri, hekurishtet, metalet jo të hekurta, zbrazen në një enë të madhe për të shkuar direkt në shkritoret e industrisë së çelikut. "

Remondis është qëndra më e madhe evropiane për ekonominë ricikluese industriale, thotë zëdhënësi i shtypit Michael Schneider.

"Ky është përshembull metal hekuri, që grumbullohet këtu dhe që i jepet pastaj direkt industrisë së çelikut. Ai është një material shumë i kërkuar. Natyrisht me një shpenzim të vogël energjie mund të përftohet 100% metal i pastër. Nuk kemi nevojë të hapim miniera në mbarë botën, e kemi këtu lëndën e parë nga aparaturat elektrike shtëpiake. Prandaj bëjmë mirë që i përpunojmë në Gjermani vjetërsirat elektronike. Nga ana teknike dhe ekologjike është e arsyeshme, sepse ne i kemi impiantet më moderne në Gjermani. Këtu biles kemi impiantin më modern në Evropë. Nga ana tjetër, kjo është edhe në të mirën e mjedisit në vendet në zhvillim, ku eksportohen në mënyrë ilegale mbeturina të aparaturave elektrike. Në të ardhmen duhet të kujdesemi që këtë material ta mbajmë në vendin tonë dhe ta përpunojmë në impiantet tona. Sepse neve na duhen këto lëndë të para."

Kërkesa globale për metale të rralla dhe xeherorë, sipas vlerësimeve të ekspertëve do të trefishohet deri në vitin 2030. Nevoja në rritje për metale si lithiumi, indiumi, tantali apo germaniumi shkaktohet nga zhvillimi i moduleve fotovoltaike, baterive të fuqishme për automjetet elektrike, kabllove fibre optike dhe teknologjive të tjera.

Ricklimi - një treg që sjell miliarda

Kjo degë do të ketë një bum të madh, sepse mbeturinat po kthehen në një treg, që sjell miliarda. Vendet në ekspansion ekonomik në Azi dhe Amerikën Latine kanë një uri të madhe për lëndë të para, Vetëm burimet natyrore të kësaj bote nuk mjaftojnë për ta shuar atë. E ardhmja u përket lëndëve të para sekondare. Për shembulll, siç thotë Michael Schneider, çdo telefon celular, është një burim i pashtershëm.

"Në çdo celular gjenden afro 23 miligram ar, kjo është vlera mesatare. Në mbarë botën çdo vit prodhohen afro 1,3 miliardë celularë. Por prej tyre vetëm 10% në gjithë botën përfundojnë me të vertetë në riciklim. Kjo do të thotë se njerëzimi hedh çdo vit 20,22 tonë ar në plehra."

Autor: Monika Lohmüller/Ina Verbica

Redaktoi: Auron Dodi