1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania ndihmon në asgjësimin e armëve kimike të Sirisë

E. Xhani (dw, rtr, dpa, epd, afp)10 Janar 2014

Mbetjet e rezervave siriane të helmit tani do të asgjësohen nga kompania gjermane GEKA në Saksoninë e Poshtme. Kërkesa për këtë u bë nga Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike (OPWC).

https://p.dw.com/p/1Aobc
GEKA - asgjesimi i armëve kimike
Fotografi: Reuters

Në aksionin e bashkësisë ndërkombëtare për asgjësimin e arsenalit të Sirisë me armë të shfarosjes në masë, merr pjesë edhe Gjermania. Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier tha në Berlin: "Mendoj se askush nuk duhet të refuzojë, nëse disponon kapacitetet teknike për këtë."

Siç u bë tani e ditur Steinmeier kishte rënë dakord për procedurën që do të ndiqet me Kancelaren Angela Merkel dhe ministren e Mbrojtjes Ursula von der Leyen, të mërkurën (08.01.) në mbrëmje në kuadër të mbledhjes së qeverisë.

Inspektorë të OKB-së për armët kimike në Siri
Inspektorë të OKB-së për armët kimike në SiriFotografi: Ammar al-Arbini/AFP/Getty Images

"Asgjësimi i armëve mund të ishte hapi i parë vendimtar për një zbutje të konfliktit në Siri", u shpreh Steinmeier. Ministrja e re e Mbrojtjes von der Leyen iu referua në këtë kontekst "përvojës së gjatë të Gjermanisë me asgjësimin e mbetjeve të armëve kimike". Pra është logjike "që këtë aftësi t'ia vëmë në dispozicion bashkësisë ndërkombëtare dhe të japim kështu një kontribut të vlefshëm për procesin e paqes", tha von der Leyen.

Organizata me seli në Hagë për Ndalimin e Armëve Kimike (OPWC) kishte kërkuar ndihmë nga Gjermania, pasi ushtria gjermane Bundeswehr ka përvojë të madhe në këtë fushë. OPWC kontrollon transportin dhe asgjësimin e armëve kimike siriane.

Qindra tonë hydrolysat

Selia qendrore e OPCW në Hagë
OPCW kontrollon transportin dhe asgjesimin e lëndëve kimike luftarake sirianeFotografi: Evert-Jan Daniels/AFP/Getty Images

Ndër lëndët që duhet të asgjësohen në Gjermani është fjala ndër të tjera për qindra tonë hydrolysat, i cili krijohet gjatë neutralizimit të lëndëve kimike luftarake. Ky hap i parë i asgjësimit të armëve kimike, kryhet në një anije speciale amerikane në det të hapur.

Hydrolysati është i krahasueshëm me mbetjet e lëngshme industriale. Ai do të sillet me kontenierë me anije në Gjermani dhe pastaj do të dërgohet me kamionë ose tren në shoqërinë gjermane GEKA (Shoqëria për asgjësimin e lëndëve kimike luftarake dhe mbetjeve të armatimeve), në Munster të Saksonisë së Poshtme. Atje lënda kimike do të asgjësohet përfundimisht përmes djegies. Lënda që mbetet janë kripëra të padëmshme, sigurojnë ekspertët. GEKA është e vetmja sipërmarrje në Gjermani që lejohet të asgjësojë municion kimik.

GEKA - asgjesimi i armëve kimike
Fotografi: Reuters

Regjimi sirian i Bashar Al-Asadit pranoi nën trysninë ndërkombëtare asgjësimin e arsenalit të tij të armëve kimike. Në gusht 2013 nga një sulm me gaz helmues në Damask humbën jetën qindra vetë. Deri në qershor të këtij viti duhet të asgjësohen të gjitha rezervat e armëve kimike të Sirisë. Por luftimet e vazhdueshme në vendin e përfshirë nga lufta civile, ngadalësojnë nxjerrjen e tyre jashtë vendit.