1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

290511 Abschlussbericht Ethikkommission

30 Maj 2011

Komisioni për Etikën, pritet të paraqesë zyrtarisht sot në Berlin rekomandimet rreth politikës energjitike në Gjermani. Koalicioni qeverisës konservatoro-liberal zhvilloi mbrëmë konsultime rreth rekomandimeve.

https://p.dw.com/p/11QHu
Poster për daljen nga energjia bërthamore në Gjermani.
Fotografi: picture-alliance/dpa

Raporti i Komisionit të Etikës pritet të jetë kapitulli vendimtar në një konfrontim tejet brizant në aspektin politik dhe ekonomik. Fillimisht ishin socialdemokratët (SPD) dhe ekologjistët, të cilët në vitin 2000 arritën një konsensus me operatorët e centraleve bërthamore. Sipas marrëveshjes reaktori i fundit në Gjermani do të shkëputej nga rrjeti brenda vitit 2022. Në vjeshtën e 2010-s, kjo marrëveshje ishte tashmë një letër pa vlerë. Konservatorët dhe liberalët, tashmë në pushtet, ranë dakord me sektorin e energjisë bërthamore për zgjatjen e afatit të funksionimit të centraleve. Sipas këtyre planeve reaktori i fundit do të shuhej jo më parë se viti 2036.

Gjithçka ndryshe pas Fukushimës

Që prej katastrofës bërthamore në Japoni në mars të këtij viti, nuk flitet më për këtë. Komisioni i Etikës, i thirrur nga kancelarja Merkel konsideron të mundshme daljen nga energjia bërthamore brenda 10 vjetësh. Kryetari i këtij komisioni Klaus Töpfer, i cili ka drejtuar nga viti 1998 deri 2006 programin e OKB-së për ambjentin, nuk pranoi megjithatë të përcaktonte një afat konkret:

" Në fund politika duhet të bëjë për vete sa më shumë palë në një vendim, i cili të jetë i vlefshëm përtej zgjedhjeve të ardhshme."

Kryetari i Komisionit të Etikës, Klaus Töpfer .
Kryetari i Komisionit të Etikës, Klaus Töpfer .Fotografi: picture alliance/dpa

Partia Liberale (FDP) partnere në koalicionin qeverisës, e mbështet daljen nga energjia bërthamore, por sipas kryetarit të saj dhe ministrit të Ekonomisë Philipp Rösler, duhet të jetë e mundur që dy centrale të mund të rifuten në punë në rast nevoje. Më këtë synohet të garantohet siguria në furnizimin me energji:

"Ne duhet të kemi mundësinë, që të përdorim energjinë bërthamore për kohë të shkurtër në faza ngushtice në furnizim."

Shkakton probleme dalja nga energjia bërthamore ?

Komisioni i Etikës, në të cilin marrin pjesë përfaqësues nga shkenca, ekonomia dhe kishat, është ndërkaq i sigurt, se energjia që do të mungojë nga fikja e centraleve bërthamore mund të prodhohet nga burime të tjera. Veç kësaj duhet të shtohet edhe eficienca energjitike. Për këtë arsye komisioni kërkon më shumë para për përmirësimet e ndërtesave, me qëllim që përmes një izolimi më të mirë të mund të kursehet energji. Komisioni propozon më tej, që në të gjithë Gjermaninë të kërkohet një vend për depozitimin përfundimtar të mbetjeve bërthamore, shumë radioaktive. Duket se ekspertët e komisionit duan të gjejnë edhe vende të tjera krahas Gorlebenit, i cili prej dekadash është i kontestuar.

Protestë kundër energjisë bërthamore - kryetarët e partisë ambjentaliste gjermane (Die Grünen) Claudia Roth dhe Cem Özdemir.
Protestë kundër energjisë bërthamore - kryetarët e partisë ambjentaliste gjermane (Die Grünen) Claudia Roth dhe Cem Özdemir.Fotografi: dapd

Opozita skeptike

Opozita vazhdon të jetë skeptike. Kryetari i ekologjistëve gjermanë Cem Özdemir, u shpreh gjatë një demonstrimi kundër energjisë bërthamore, se ka ardhur koha që kancelarja Merkel të bëjë të qartë pozicionin e saj:

"Ajo duhet të vendosë mes nesh dhe lobit të industrisë bërthamore në koalicionin e saj. Të dyja nuk janë të mundura."

Kryetari i socialdemokratëve në opozitë Sigmar Gabriel, beson madje se liberalët dhe një pjesë e politikanëve në kampin konservator janë në gjendje të zgjasin kohën e funksionimit të centraleve "pasi të jetë qetësuar situata".

Ndërsa shefi i koncernit energjitik RWE në një intervistë me gazetën "Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung" shprehet se ndjehet i lënë mënjanë. Sipas tij qeveria gjermane i ka përfshirë shumë pak koncernet energjitike në planet për daljen nga energjia bërthamore.

Autor: Marcel Fürstenau / E. Xhani

Redaktoi: Esat Ahmeti