1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjosha: Statusi nxitje për intensifikimin e punës

Angjelina Verbica25 Qershor 2014

Statusi do te sjellë automatikisht një monitorim më të fortë të qeverisë. Prioritet kanë reforma territoriale dhe ajo në drejtësi, thotë në intervistë me DW ministrja e Integrimit Klajda Gjosha.

https://p.dw.com/p/1CQBx
Fotografi: Blerina Visha/Ministerium für Europäische Integration, Tirana

DW: Çfarë do të thotë për Shqipërinë marrja e statusit të vendit kandidat zonja ministre? Cilat janë avantazhet, që i sjell ai Shqipërisë, deri tani me imazhin e vendit te varfër, të korruptuar e problematik?

Gjosha: Marrja e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë është një arritje shumë e rëndësishme për vendin tonë, është një sinjal pozitiv jo vetëm për qeverinë shqiptare, e cila gjatë gjithë këtyre muajve ka punuar me përkushtimin maksimal për të treguar progresin e vendit, por për gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor. Shqipëria kishte përmbushur që në muajin dhjetor teknikalitetet e kërkuara nga Komisioni, ndaj mund t'ju them me bindje të plotë se kemi të bëjmë me një vendim pozitiv plotësisht të merituar, i cili është një shtysë e fortë, që na tregon se jemi në rrugën e duhur në aspiratën tonë për të qenë pjesë e Evropës. Për Shqipërinë marrja e statusit ishte shpërblim i një përpjekjeje prej më shumë se dy dekadash, për t'iu rikthyer identitetit tonë evropian, jo vetëm gjeografikisht. Avantazhet, që i sjell Shqipërisë marrja e statusit janë shumë planëshe, por simbolika e tij si një sinjal i fortë politik, fakti që kemi të bëjmë me një hap përpara në marrëdhënien mes Shqipërisë dhe BE-së, është reflektimi më i mirë i progresit, që ka bërë vendi dhe ky progres është pranuar tashmë nga ndërkombëtarët, duke i dhënë një trajtë krejt tjetër imazhit të deritanishëm për Shqipërinë.

Statusi i kandidatit nuk çon automatikisht tek hapja e negociatave për pranim. Periudha deri te hapja e negociatave kërkon pa dyshim punë. Cilat reforma duhen thelluar dhe plotësuar më së pari, me qëllim që BE të hapë bisedimet e pranimit me Shqipërinë?

Fokusi ynë, siç e kam theksuar vazhdimisht në fakt do të jetë përmbushja e 5 prioriteteve të lëna nga Bashkimi Evropian. Por nga ana tjetër të gjitha reformat strukturore të domosdoshme për zhvillimin e vendit do të vazhdojnë, pasi Shqipëria duhet të punojë në disa fronte e nuk ka kohë për të humbur. Për momentin janë prioritet i qeverisë reforma Territoriale Administrative dhe ajo në Drejtësi, të cilat pritet të ndikojnë pozitivisht në zhvillimin e vendit. Ne sot në mbledhjen e qeverisë diskutuam pikërisht për mbarëvajtjen e këtyre reformave dhe punës që do të bëjë çdo ministri në funksion të procesit të integrimit, pasi statusi i vendit kandidat është përkthyer si një moment, që na nxit të intensifikojmë punën dhe jo një moment pushimi, apo feste.

Kur mendoni se mund të fillojnë negociatat për anëtarësim?

Kemi të bëjmë me një proces tepër kompleks, dhe pikërisht pas marrjes së statusit vjen faza më e vështirë. Unë dhe besoj askush prej nesh nuk mund të bëjë orakullin duke vendosur afate për hapjen e negociatave. Them me bindje se na pret një punë e madhe dhe është i nevojshëm kontributi i të gjithë aktorëve, që ne të ecim me hapa më të shpejtë drejt BE-së.

Nö BE theksohet se nga Shqipëria kërkohet të intensifikohet puna në çështjen e parandalimit të migracionit. Shume vende të BE ndjehen të mbingarkuar nga migrantët, që vijnë nga vendet e varfëra në kërkim të punës. Si do të sfidohet e zgjidhet ky problem?

Kjo frikë ekzistoi edhe pas liberalizimit të vizave, ndërkohë që Shqipëria nuk u fut në listën e vendeve problematike për emigracionin. Në fazën, ku ndodhet vendi, qeveria ka ndjekur politika sensibilizuese duke ndërgjegjësuar qytetarët në lidhje me penalizimet që vijnë nga shkelja e afateve të qëndrimit, çka ka bërë që flukset të jenë nën kontroll. Gjithashtu operacionet e ndërmarra nga Policia e shtetit për arrestimin e personave, që shfrytëzonin fenomenin e gjakmarrjes për të dërguar azilkërkues të rremë jashtë Shqipërisë kundrejt pagesës, janë tregues i qartë i vullnetit dhe i angazhimit të qeverisë kundrejt këtyre fenomeneve.

Marrja e statusit të kandidatit sikur ka paqtuar edhe politikën, por ky trend duhet të vazhdojë, nëse Shqipëria do të plotësojë kërkesën për një kulturë të lartë të dialogut politik, e cila deri tani ka munguar. A është kjo e arritshme?

Mendoj se kjo është e arritshme dhe është pikërisht ky mesazhi më i mirë që mund të japë e gjithë klasa politike sot. Evropën duhet ta shohim dhe ta arrijmë brenda nesh, duhet të mendojmë së pari si evropianë, të reflektojmë frymën e dialogut, të konstruktivitetit dhe jo të nxiten konflikte që i sjellin vetëm dëm vendit. Me marrjen e statusit të vendit kandidat, nuk fitoi asnjë forcë politike në veçanti, fituan të gjithë shqiptarët. Dialogu politik është thelbësor për mbarëvajtjen e reformave. Por për të arritur këtë duhet vullneti i të gjitha palëve, ndaj shembulli më i mirë duhet të vijë pikërisht nga politika.

Ku çalon puna me të drejtat themelore, të njeriut dhe te minoriteteve në Shqipëri, e cila është një nga porositë e Këshillit të ministrave të BE?

Do të thoja se ka një përmirësim për këtë prioritet të rëndësishëm të lënë nga Komisioni, i cili renditet i 5-ti, me punën e vazhdueshme që po bëhet jo vetëm nga institucionet shtetërore, por edhe shoqëria civile, apo dhe media, qoftë për sensibilizimin e shoqërisë në lidhje me respektimin e të drejtave të njeriut, qoftë edhe më përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre. Sigurisht ka ende punë për të bërë në lidhje më barazinë gjinore, komunitetin LGTB, komunitetin rom, për të gjitha këto po ndërmerren nga ministritë e linjës hapa konkrete.

Euforia dhe gëzimi në Shqipëri për marrjen e statusit është i madh. Çfarë do të thotë praktikisht për qytetarët marrja e statusit. Çfarë përfitimesh konkrete i sjell ai atyre?

Statusi i vendit kandidat do të sjellë automatikisht një monitorim më të fortë të qeverisë, çka do të thotë një kontroll të saj dhe gjithë institucioneve të tjera, për sa i takon krijimit të shtetit të së drejtës. Rrjedhimisht nga kjo përfitojnë qytetarët pasi kanë një qeverisje shumë më të përgjegjshme. Nga pikëpamja ekonomike, statusi kandidat do te inkurajoje investimet e huaja çka do të sjellë ne krijimin e me shume vendeve te punës. Të gjitha këto do t'i japin hov zhvillimit ekonomik dhe social të vendit.