1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

OKB pro Gjermanisë

4 Shkurt 2012

Gjykata Ndërkombëtare vendosi në favor të Gjermanisë në konfliktin juridik për zhdëmtime financiare për krimet e nacionalsocializmit.

https://p.dw.com/p/13wiX
Delegacioni gjerman (majtas) dhe ai italian (djathtas) në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë.
Delegacioni gjerman (majtas) dhe ai italian (djathtas) në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë.Fotografi: dapd

Gjykata më e lartë e Kombeve të Bashkuara me vendimin e saj konfirmoi interpretimin juridik të Gjermanisë. Qeveria gjermane në fund të vitit 2008 i ishte drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare për të shqyrtuar nëse vendimet e shpallura nga disa gjykata italiane për zhdëmtime financiare për shkak të krimeve naziste, ishin në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Bëhej fjalë për padi në Itali, të cilat i referoheshin krimeve të luftës të kryera gjatë pushtimit gjerman mes shtatorit 1943 dhe majit 1945 dhe që synonin vendime për zhdëmtime nga Republika Federale.

Kështu për shembull Gjykata italiane e Kasacionit kishte vendosur që Gjermania duhej të zhdëmtonte të mbijetuarit e një masakre me më shumë se 200 civilë të vrarë, të kryer nga ushtria naziste në Toskana në vitin 1944.

Sipas interpretimit gjerman drejtësia italiane me vendime të tilla kishte shkelur parimin themelor të imunitetit të shteteve. Personat privatë sipas këtij parimi nuk kanë të drejtë të padisin një shtet në gjykatat e një shteti tjetër.

Gjermania thekson njohjen e përgjegjësisë

Pushtimi i Romës nga trupat e Vermahtit në 1943.
Pushtimi i Romës nga trupat e Vermahtit në 1943.Fotografi: picture-alliance/akg-images

Në paraqitjen e pleduajeve para Gjykatës Ndërkombëtare në vjeshtë, e ngarkuara e Gjermanisë Susanne Wasum-Rainer pati theksuar se me këtë padi Gjermania nuk i kundërvihet viktimave të nacionalsocializmit dhe as nuk kërkon t'i shmanget përgjegjësisë së saj. Megjithatë për pasojat materiale të Luftës së Dytë Botërore me vendet e prekura janë lidhur marrëveshje paqeje dhe zhdëmtimi. 

Sipas të dhënave të Ministrisë së Jashtme gjermane në vitin 1961 Italisë i janë paguar 40 milionë marka zhdëmtim. Italia atëherë pati hequr dorë juridikisht nga çdo lloj kërkese tjetër. Kritikët kishin argumentuar se Gjermania naziste e kishte humbur imunitetin e saj si shtet për shkak të luftërave të saj sulmuese dhe mosrespektimit sistematik të të drejtave të popullsisë civile. Pala italiane argumentoi në procesin në Gjykatën Ndërkombëtare se krimet e kryera nga trupat e Rajhut të III-të janë "krime ndërkombëtare" dhe për këtë arsye imuneti i shtetit gjerman nuk gjen përdorim.

Në proces ishte e përfshirë edhe Greqia pasi të mbijetuar grekë i ishin drejtuar gjykatave italiane për shkak të krimeve naziste. Të afërmit e viktimave të një masakra të njësive SS në qershor 1944 në fshatin Distomo, në Greqinë qendrore, patën marrë nga drejtësia italiane të drejtën për të plotësuar në Itali pretendimet e tyre për zhdëmtime.

Autor: Michael Wehling (afp,dpa, ape)/Eliana Xhani
Redaktoi: Esat Ahmeti