1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjykata Europiane forcon lirinë fetare

Dirk Kaufmann/Lindita Arapi6 Shtator 2012

Personat që nuk mund ta shprehin lirisht besimin e tyre, kanë të drejtë të kërkojnë azil në Europë. Vendimi i Gjykatës Europiane vjen pas trajtimit të rastit të dy pakistanezëve Ahmadi.

https://p.dw.com/p/164De
Gjykata Europiane
Gjykata EuropianeFotografi: picture-alliance/dpa

Ata që përndiqen në vendin e tyre për shkak të përkatësisë fetare kanë të drejtë të kërkojnë azil në Europë. Kështu vendosi Gjykata Europiane me seli në Luksemburg. Kur shkelen rëndë të drejtat e personalitetit, atëherë njerëzve që përndiqen për arsye të besimit u duhet ofruar azil. Sipas gjykatësve në Luksemburg nuk ka rëndësi nëse të përndjekurve i ndalohet praktikimi i besimit në sferën private apo vetëm identifikimi me besimin në sferën publike. Për njohjen e azilit është me rëndësi të përcaktohet se sa të rënda janë pasojat për individin në rast se ai praktikon besimin.

Vendimi pas nëntë vitesh!

Në vitet 2003 dhe 2004 dy pakistanezë u arratisën nga vendlindja e tyre, sepse përndiqeshin si pjesëtarë të komunitetit fetar Ahmadi. Ahmaditë kanë bindjen se janë një lëvizje reformuese myslimane, por pjesëtarët e besimit sunit, që përbëjnë shumicën në Pakistan, nuk e pranojnë këtë komunitet si komunitet mysliman. Republika Fetare e Pakistanit hoqi këtij komuniteti statusin mysliman në vitin 1974.

Kur dy pakistanezët kërkuan azil në Gjermani, ata dhanë si shkak përndjekjen për arsye të besimit në vendlindje. Atyre nuk u lejohej besimi dhe as praktikimi i tij publik. Zyra Federale Gjermane për Migracionin nuk e konsideroi këtë shkak si arsye të mjaftueshme për dhënien e azilit dhe e refuzoi kërkesën. Në fazën e dytë me këtë rast u mor Gjykata e Lartë Administrative e Saksonisë. Me vendimin e saj, dy pakistanezëve iu pranua fakti i përndjekjes, gjë që nënkuptonte edhe njohjen e azilit. Por gjykatësit e Lajpcigut për ta sqaruar përfundimisht rastin nga ana ligjore e dërguan atë në Luksemburg. Të mërkurën (05.09) Gjykata Europiane dha vendimin.

Komuniteti Ahmadi në xhaminë e Khadijas në Berlin
Komuniteti Ahmadi në xhaminë e Khadijas në BerlinFotografi: picture-alliance/dpa

Tërheqja në sferën private nuk është rrugëdalje

Me vendimin e saj, Gjykata Europiane hodhi poshtë argumentin se përkrahësit e një besimi të caktuar, mund t’i shpëtojnë përndjekjes shtetërore, me tërheqjen në sferën private dhe praktikimin e besimit në shtëpi.

Organizata e të Drejtave të Njeriut „Pro Asyl“ e ka ndjekur rastin e dy pakistanezëve. Zëvendësdrejtori i saj, Bernd Mesovic kritikon argumentat e dhënë nga disa gjykata në Gjermani: Gjykatësit i këshillojnë azilkërkuesit “të praktikojnë vetëm në shtëpi“. Për sa kohë që nuk merret gjë vesh jashtë, „ që ti i përket besimit Ahmadi“ atëherë nuk të ndodh gjë.

Pro Aysl përkundrazi ka bindjen se besimtarëve iu duhet mundësuar pranimi i besimit publikisht. Bernd Mesovic është i mendimit se „tek besimi bën pjesë edhe dëshmia e përkatësisë“. Po qe se kjo nuk është e mundur, dhe besimtarët „kërcënohen nga represioni, që e tejkalon diskriminimin, atëherë sipas Pro Asyl ky është rast i qartë i përndjekjes për shkak të besimit.

Dënime me vdekje

Në këtë dritë e vlerësoi rastin edhe Gjykata Europiane. Për pranimin e kërkesës për azil, nuk ka rëndësi nëse besimi mundet të praktikohet në sferën private, apo mund të pranohet në publik. Vendimtare për azilin është se çfarë dënimesh jepen për besimtarin. Zëdhënësi i komunitetit të Ahmadive në Gjermani, Davod Majoka thotë se dënimet janë tejet të ashpra. Që nga koha kur „ky komunitet u deklarua si komunitet jomysliman, Ahmaditë përndiqen rregullisht në Pakistan.“

Bernd Mesovic
Bernd MesovicFotografi: Pro Asyl

Ata kërcënohen nga rreziku i akuzës si „blasfemues të allahut“. Për këtë mjafton vetëm që Ahmaditë të bëjnë përshëndetjen islame, apo të pranojnë publikisht besimin e tyre. Këto mund të ndëshkohen edhe me vendim me vdekje. Deri më tani këto vendime nuk janë zbatuar, megjithatë ende deri më sot në burgjet pakistaneze gjenden Ahmadi të dënuar me vdekje, që nuk e dinë se si do të vendoset për fatin e tyre.