1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjykata Evropiane: E drejta për të qenë i harruar nga Google

dpa/Angjelina Verbica13 Maj 2014

Disa bëjnë gjithçka për të dalë në internet. Disa duan, që Google t'i harrojë. Dhe me të drejtë, siç vendosi tani gjykata Evropiane e Drejtësisë (ECJ), duke ia treguar vendin Google.

https://p.dw.com/p/1Bz0A
Fotografi: picture-alliance/dpa

Ai kishte borxhe dhe shtëpia e tij u nxor në shitje. Ngaqë kanë kaluar 15 vjet, një spanjoll donte të arrinte përmes Gjykatës Europiane të Drejtësisë (ECJ), që Google t'i fshinte këto informacione të ndjeshme për të. Në kundërshtim me pritjet Gjykata Evropiane e Drejtësisë nuk ndoqi kërkesën e avokatit të përgjithshëm të BE, por të paditësit.

Sipas gjykatës gjiganti i kërkimit në internet Google mund të jetë i detyruar të fshijë në faqet e internetit të dhënat e ndjeshme personale, kur rezultatet e kërkimit janë shumë të vjetra, dhe nuk janë më të rëndësishme për momentin. Një e drejtë e tillë buron nga direktivat e mbrojtjes së të dhënave të BE. Sipas gjykatës Google është përgjegjës për përpunimin e të dhënave. Një individ mund të drejtohet te Google me kërkesën për ndryshimin e rezultateve të kërkimit, ose te autoritetet kompetente.

Kuadri i plotë i një personi

Në argumentimin e vendimit gjykatësit theksuan, se me dhënien e një emri në makinën e kërkimit në internet përdoruesit mund të krijojnë një imazh komplet për këtë person. Rezultatet e kërkimit nuk janë gjë tjetër veçse rezultati i përpunimit të të dhënave personale. Ligji i BE kërkon këtu një ekuilibër ndërmjet interesave të përdoruesve të makinës së kërkimit në internet dhe atyre të personave të prekur. Kjo mund të shpjerë te e drejta ligjore për të shuar disa rezultate të caktuara të kërkimit.

Sa herë që jepet në Google emri i spanjollit, që ka bërë padinë, shfaqet një artikull gazete për borxhet e tij dhe shitjen e detyruar të shtëpisë. Kundër pronarit të faqes së internetit të kësaj gazete, një botues spanjoll, ish-debitori nuk ngriti padi. Por ai u mundua të pengonte me gjyq, që Google të tregonte në rezultatet e kërkimit emrin e tij dhe një lidhje (link) me artikullin e gazetës.

"E drejta për t'u harruar"

Këtë Google e kundërshtoi dhe mori fillimisht mbështetje nga avokati i përgjithshëm i BE. "Sikur ofruesve të shërbimeve për kërkimin e të dhënave, t'u kërkohej, të shtypin informacionet, të cilat kanë hyrë në mënyrë legjitime dhe të legale në sferën publike, do të ishte një shkelje e lirisë së mendimit", argumentoi Niilo Jääskinen në verën e vitit të kaluar në ekspertizën e tij. Nuk ekziston një e drejtë të përgjithshme "për t'u harruar." Kjo nuk është parashikuar në direktivat, që vlejnë aktualisht në BE për mbrojtjen e të dhënave. Por gjykatësit në Luksemburg, për çudinë e shumë vëzhguesve, nuk u pajtuan me këtë argumentimin. Normalisht gjykata vepron në bazë të ekspertizës së avokatit të përgjithshëm të BE.

Gjykata Evropiane e Drejtësisë në Luksemburg
Gjykata Evropiane e Drejtësisë në LuksemburgFotografi: dapd

Gjykata theksoi se në rastet e këtij lloji duhet të peshohen me kujdes interesat e ndryshme dhe të drejtat themelore. Rëndësi ka për shembull, se çfarë interesi ka opinioni publik për informacionet në fjalë. Kjo varet për shembull nga pozicioni i personit në jetën publike.

"Më në fund e drejta për kërkuar fshirjen e të dhënave"

Google e ka kritikuar vendimin në opinionin e saj të parë mbi vendimin. "Ky vendim nuk është zhgënjyes vetëm për makinat e kërkimit, por për të gjithë ata, që publikojnë përmbajtje online", tha një zëdhënës i Google në Hamburg. Konzerni është shumë i befasuar, që vendimi është aq i ndryshëm nga vlerësimi avokatit të përgjithshëm të BE dhe nuk merr parasysh paralajmërimet e tij. "Ne kemi nevojë tani për kohë për të analizuar pasojat", deklaroi një zëdhënës.

Qendrat e konsumatorëve e përshëndetën vendimin e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë."Më në fund kam një të drejtë aktive për të kërkuar që në Google të bëhen fshirje", tha Michaela Zinke e shoqatës federale. Nëse Google është e detyruar të largojë lidhje (linke) të caktuara, kjo duhet sqaruar në mënyrë individuale, tha Zinke. "Në rast nevoje kjo do të vendoset nga gjykata." Operatorit të makinës së kërkimit mund t'i vijë një valë padish.