1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

050911 BVG Euro-Klage

5 Shtator 2011

Më 7 shtator Gjykata Kushtetuese në Karlsrue shpall vendimin në çështjen 'Ndihma për Greqinë / Ombrella e shpëtimit të euros'. Një grup shkencëtarësh ka ngritur padi kundër ombrellës së shpëtimit.

https://p.dw.com/p/12TJB
Presidenti i Gjykatës Kushtetuese gjermane, Hans-Juergen Papier.
Presidenti i Gjykatës Kushtetuese gjermane, Hans-Juergen Papier.Fotografi: AP

Ç'do të thoshte sikur Gjykata Kushtuese t'i jepte të drejtë padisë? A do të shembej atëherë ombrella e shpëtimit të euros (nëse bie huadhënësi më i madh)? A mund ta marrë vallë Gjykata Kushtetuese një vendim të tillë politik?

Kritikët: Bundestagu ka vepruar nën trysni

Nën trysni të madhe Bundestagu ka miratuar ligjet për ombrellën shpëtuese të euros dhe për ndihmën për Greqinë. Aq shpejt, saqë deputetët nuk kanë mundur të vendosnin vërtet të lirë, pretendojnë ngritësit e padisë në Karlsrue. Njëri prej tyre është profesori i ekonomisë Joachim Starbatty:

Profesori i ekonomisë Joachim Starbatty
Profesori i ekonomisë Joachim StarbattyFotografi: dpa

"Këtu ajo që kanë vendosur në binarë qeveritë bie ndesh me të drejtën sovrane të parlamentit për buxhetin. Parlameti i ka duart të lidhura dhe ky nuk mund të jetë kuptimi i zhvillimit evropian, që në kuadër të eurozonës dhe të rrezikimit të euros parlamentit t'i hiqen të drejtat qendrore të sovranitetit buxhetor."

Manuel Sarrazin është deputet i Të Gjelbërve në Bundestag, anëtar i Komisionit për Çështje të Bashkimit Evropian dhe kryetar i Unionit për Evropën po në Bundestag. Sipas mendimit të tij për ngritësit e padisë bëhet fjalë për rrëzimin e euros, siç e kanë provuar njëherë (pa sukses) në një padi kushtetuese të mëparshme.

Deputeti Manuel Sarrazin
Deputeti Manuel SarrazinFotografi: Manuel Sarrazin

"Unë besoj, se Qeveria Gjermane në tërë këtë çështje nuk e trajton aq mirë sa duhet Bundestagun, kjo është e drejtë. Por paditësit nuk ngrihen kundër trajtimit të Bundestagut, po kundër masave, që janë miratuar."

Masat e ndihmës për euron nuk ka gjasa të rrëzohen nga Gjykata Kushtetuese

Sarrazin nuk beson se Gjykata Kushtetuese do t'i prekë masat e ndihmës për euron:  "Shumica në politikë ishte dhe është, që ne të vepronim doemos, sepse përndryshe do të shfaqeshin pasoja thelbësore. Kjo çështje është një vendim politik, dhe për mendimin tim gjykata nuk do të vërë në dyshim këtë, po do të merret me pyetjen, nëse Bundestagu dhe Qeveria Gjermane patën informacione të mjaftueshme për të vendosur për këtë dhe nëse janë ruajtur të drejtat e Bundestagut."

Eksperti i së drejtës evropiane Ingolf Pernice i shoqëroi përfaqësuesit e Bankës Qendrore Evropiane (ECB) gjatë seancës së procesit. ECB-ja gjendet nën kritikë për arsye të blerjeve të diskutueshme të obligacioneve shtetërore të vendeve debitore. I pyetur se çfarë vendimi parashikon, Ingolf Pernice përgjigjet me maturi:

"… mendoj, se Gjykata Kushtetuese do t'i shpallë të dyja ligjet konform kushtetutës, por, me një 'Por' të madhe. Me gjasa pas 'Por'-it do të ketë një numër kufizimesh, të cilat duhet të garantojnë, që Qeveria Gjermane të mos jetë në gjendje në të ardhmen të veprojë pa vendim ose autorizim paraprak të Bundestagut."

Gjykata pritet të kërkojë përfshirje të Bundestagut në vendimet e EFSF 

Christian Calliess, pedagog pranë Universitetit të Lirë të Berlinit.
Christian Calliess, pedagog pranë Universitetit të Lirë të Berlinit.Fotografi: FU Berlin

Ngjashëm e sheh çështjen edhe kolegu i tij i Universitetit të Lirë të Berlinit, Christian Calliess: Para së gjithash për ombrellën e përhershme të shpëtimit EFSF, e cila parasheh në të ardhmen masa ndihme të gjera dhe të cilën parlamentet kombëtare duhet ende ta miratojnë, Karlsrue [Gjykata Kushtetuese] mund të këmbëngulë te përfshirja e domosdoshme e Bundestagut, beson Calliess. Por, edhe marrëveshjet janë shkelur, para së gjithash klauzola e mosshpëtimit (no-bail-out), ndalimi, që shtetet e tjera të mbështeten financiarisht. Megjithatë, Christian Calliess nuk beson se masat e ndihmës për euron do të mund të rrëzoheshin nëpërmjet kësaj e madje as nga Gjykata e Bashkimit Evropian:"Duhet bërë pyetja, nëse një normë, nëse do të kuptohej absolutisht, lejohet të shpjerë praktikisht në dështimin e euros dhe kësisoj ndofta edhe të Bashkimit Evropian. Kështu, kancelarja Angela Merkel ka argumentuar me të drejtë në Bundestag: Ishte fjala për një vendim ultima ratio [mjet të skajshëm] për shpëtimin e euros dhe të BE-së. Nëse situata ka qenë e tillë, duhet të gjykohet prej aktorëve politikë, por argumenti është i drejtë, se neni 125 nuk mund të kthehet kundër euros dhe kundër Bashkimit Evropian.  Një normë nuk mund të interpretohet në mënyrë të tillë, që të shkatërrojë krejt sistemin."

Autor: Daphne Grathwohl / Elert Ajazaj

Redaktoi: E. Xhani