1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Goditje për demokracinë - Trazira të përgjakshme në Mongoli

Annette Deist2 Korrik 2008

Trazira në Mongoli - gjendje e jashtëzakonshme, të vrarë, të plagosur dhe demonstrues të arrestuar. Këto janë lajme mbërrijnë nga Mongolia, vendi i largët aziatik. Çfarë po ndodh në Mongoli?

https://p.dw.com/p/EV6A
Trazira në Ulan Bator, MongoliFotografi: AP

Mongolia shtrihet mes Rusisë dhe Kinës dhe është një vend me madhësi sa Irani, por nuk ka as 3 milionë banorë. Pas Groenlandës, Mongolia është shteti me popullsinë më të vogël të globit. Njëkohësisht ky vend është atdheu i Xhingis Kanit (Dschingis Khan) dhe një ndër shtetet me pasuritë më të mëdha nëntokësore në botë, thotë Sebastian Bersick, punonjës shkencor pranë i Institutit Shkenca dhe Politka në Berlin. I pyetur rreth trazirave pas zgjedhjeve parlamentare të së dielës, ai si ekspert i Azisë vëren: "Kemi të bëjmë me një konflikt mbi përdorimin dhe shpërndarjen e pasurive të mëdha nëntokësore si ari, urani, qymyri, bakri si dhe çështjes së fitimit nga ana tjetër, pra si do të shpërndahet fitimi i këtyre burimeve që ende duhet vazhduar të zbulohen."

Kjo ishte edhe tema e luftës elektorale. Partia demokratike në opozitë parashikonte shanse të mira kundrejt partisë në pushtet. Kjo e fundit synon, që me fitimet nga të ardhurat prej pasurive nëntokësore të krijojë një fond shtetëror, të hartojë një ligj joshës për investimet në fushën e minierave. Opozita është kundër dhe ka frikë, se në këtë mënyrë do të shiten plotësisht pasuritë e vendit.

Por realiteti i jetës së mongolezëve është ndërkohë shumë larg mirëqenies dhe pasurisë, thotë eksperti për Azinë Sebastian Bersick duke shpjeguar: "Mongolia është një vend i varfër. Sipas vlerësimeve të Komisionit Evropian 36% e popullsisë jeton nën nivelin e mesatares ndërkombëtare të varfërisë."

Produkti bruto në vend në vitin 2007 ishte më pak se 1500 dollarë për banor në vit, ndërsa në Gjermani kjo kuotë ishte mbi 40.000 dollarë.

Thomas Schrapel, Drejtor i Fondacionit Konrad-Adenauer në Ulan Bator, kryeqyteti i Mongolisë, vëren edhe një pakënaqësi në përgjithësi të zgjedhësve sa u përket raporteve ekonomike, ndaj sipas tij është edhe shkaku për trazirat: "Ka një farë veljeje ndaj politikanëve, ndaj të cilëve ngrihen shumë akuza: korrupsion, pasurim i pafrenuar, ndërkohë që për shumë njerëz gjendja është përkeqësuar."

Schrapel, që të dielën ishte edhe si vëzhgues i zgjedhjeve në Mongoli nuk ka mundur të konstatojë manipulime të votimeve. Ai thotë, se protetstat e dhunshme pas votimeve, janë diçka e re për Mongolinë, të tilla protesta nuk ka pasur as në vitet 1989-1990 në kohën e transforimeve.