1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gota mund të jetë gjysmë bosh ose gjysmë plot - Bilanci i UNMIK-ut sipas Joahim Ryker

Intervistën e zhvilloi Sonila Harasani 21 Qershor 2008

Shefi gjerman i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Joahim Ryker (Joachim Rücker), i dorëzoi të premten (20.6.) postin pasardhësit të tij italian, diplomatit Lamberto Zannier.

https://p.dw.com/p/EO1o
Joahim Ryker
Joahim RykerFotografi: ©UNMIK DPI

Deutsche Welle : Si ndjeheni tani që po ilargoheni?

Joachim Rücker: "Është një ndjenjë e mirë. Kam thënë gjithmonë, se kur të vijë një kthesë logjike në veprimtarinë e UNMIK-ut, do të largohem. Tani ka ardhur pikërisht ky moment, UNMIK-u do të ndryshohet krejtësisht, që nga themelet. Ne mund të themi se kemi kryer një punë të mirë dhe të suksesshme gjatë nëntë viteve të fundit. Ne hodhëm themelet për një demokraci funksionuese, për një shtet funksionues dhe për një treg ekonomik funksionues.

Deutsche Welle: Mendoni seriozisht se tani ëshë momenti i përshtatshëm për t´u larguar nga Kosova?

Joachim Rücker : Me mua po largohet Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, SRSG, i cili organizoi dhe koordinoi detyrat e UNMIK-ut. Por së shpejti shumë nga këto detyra nuk do të jenë më pjesë e kompetencave të UNMIK-ut. Dhe plani se si do të kryhet kjo, është hartuar tashmë. Kështu që nuk ka më kuptim.

Deutsche Welle: UNMIK-u ka rëndësi të veçantë sidomos për pakicat serbe në veri të Kosovës. Serbët e Kosovës kanë thënë, se nuk do ta njohin misionin e EU-së, EULEX, si mision legjitim ndërkombëtar.

Joachim Rücker : Nuk do të ishte zgjidhje e mirë, nëse organizatat ndërkombëtare do të pranonin të pozicionoheshin në baza territoriale, sipas principit: "ne po rrimë në veri e ju në jug". Kjo mundësi duhet përjashtuar. Iniciativa aktuale ka si qëllim që BE-ja, në kujdesin e UNMIK-ut dhe në bazë të rezolutës 1244, e cila mbetet në fuqi, të marrë përsipër kompenteca dhe funksione të rëndësishme, në të gjithë Kosovën.

Deutsche Welle: Mendoni se UNMIK-u ka arritur vërtetë shumë në Kosovë? Shqiptarët dhe serbët e kosovës vazhdojnë të mos e pranojnë bashkëjetesën. Shumica e serbëve, që jetonin dikur në komuna serbe ua shesin trojet shqiptarëve dhe anasjelltas. Papunësia është ekstreme. Pjesët më të rëndësishme të administrimit dhe sektorit financiar u kryen nga ndërkombëtarët nëntë vite me rradhë, pa u lënë mundësi kështu institucioneve kosovare të mbledhin eksperiencën e duhur.

Joachim Rücker : Gota mund të jetë gjysmë bosh ose gjysmë plot, varet nga këndvështrimi. Po të flasim për sektorin ekonomik, është e vërtetë se papunësia në Kosovë është e lartë, por në Kosovë kemi gjithashtu një rritje ekonomike. Madje këtë vit ajo do të jetë 6 përqind. Kemi një përmirësim të sistemit tatimor. Tregtia e jashtme funksionin, pra eksportet po rriten më shumë se importet. Edhe përsa i përket inistutcioneve kosovare, nuk jam pesimist. Ndërsa përsa i përket marrëdhënieve mes bashkësive kosovare dhe serbe, si edhe me grupe të tjera, sigurisht që ka fërkime. Por rëndësi ka që të mos përqëndrohemi tek status quo-ja. Dhe kjo sigurisht që varet edhe nga formimi i qeverisë së re në Beograd, sepse qëndrimi i serbëve të Kosovës influencohet nga Beogradi.