1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Grekët e falimentuar" dhe gjermanët "e korruptuar"

21 Shkurt 2012

Marrëdhëniet tradicionalisht të mira gjermano- greke ndodhen para një prove të vështirë. Athina i sheh me ftohtësi raportimet e gazetave bulevardeske gjermane. Kurse disa media greke përgjigjen me klishetë për gjermanët.

https://p.dw.com/p/146dM
Greqi- Shtypi atakon ministrin gjerman të Financave, Volfgang Shojble
Greqi- Shtypi atakon ministrin gjerman të Financave, Volfgang ShojbleFotografi: dapd

Nikos Dimou është specialist reklamash, redaktor, publicist dhe një skeptik i madh, përsa i përket të shprehurit. Përgjithësimet për "grekët dembelë, që dalin pesëdhjetë vjeç në pension" nuk do t'i dëgjojë, po aq sa edhe vërejtjet shumë kritike të ministrit gjerman të Financave. Por ai edhe beson, që të dy kombet, si gjermanët ashtu edhe grekët, janë sjellë keq në krizën e borxhit.

"Grekët kanë tendencën, që të fajësojnë gjithnjë dikë jashtë Greqisë për atë, që ndodh", mendon ai. "Kur kam qenë akoma fëmijë, kanë qenë anglezët, pastaj ishin amerikanët, tani janë gjermanët." Krahas mungesës së autokritikës ai kritikon teoritë naive të komplotit. "Disa pohojnë se kriza është e inskenuar, për të blerë një ditë lirë Greqinë." 

"Nga Mesjeta direkt në Kohën e Re"

Pikëpamjet e tij i kanë sjellë Dimou-t reputacionin e plëngprishësit. Në mbledhjen me aforizma "Për fatkeqësinë e të qenit grek" ai trajton çështjen e identitetit të vendit dhe përpiqet ta shpjegojë. Grekët nuk kanë përjetuar asgjë prej asaj, që e ka bërë Evropën Perëndimore, atë që është sot, "ata nuk kanë përjetuar Rilindjen evropiane, ata nuk kanë përjetuar klasën borgjeze, nuk kanë përjetuar reformacionin, iluminizmin, as revolucionin francez. Me luftën çlirimtare 1821 ata kapapultuan direkt nga Mesjeta në Kohën e Re. Otto von Bayern erdhi me këshilltarët e tij në Greqi, për të bërë Greqinë një vend evropian. Megjithatë ai kërkon mirëkuptim: "Përpara se të kritikosh, duhet të kuptosh se organizimi racional i shoqërisë është diçka relativisht e re për grekët. Unë shoh se brezat e rinj mendojnë në mënyrë shumë më racionale se brezi im. Gjithçka do të ndryshojë, por kjo nuk ndodh nga një ditë në tjetrën."

Nepotizmi i elitave greke

Një ndryshim, që për disa ecën shumë ngadalë. Komentatorët grekë kritikojnë faktin, që ndërkohë nuk vlejnë talenti dhe kontributi, por prejardhja dhe lidhjet. Por pikërisht elitat përfitojnë nga ky nepotizëm feudal, një sistem, që riprodhon vetveten. Për kritikën e Wolfgang Schäuble ndaj klasës politike të Greqisë Vassiliki Georgiadou, politologe në univeristetin Panteion në Athenë, ka mirëkuptim të plotë: "Po ai ka të drejtë. Por qytetarët dhe taksapaguesit gjermanë duhet edhe ta dinë, se miliona grekë punojnë ndershmërisht dhe paguajnë taksa dhe kjo është një pjesë e madhe e shtresës së mesme." Sidomos për të jashtmit është shumë me rëndësi, që ta shprehin në mënyrë të diferencuar kritikën ndaj situatës në Greqi dhe të diferencojnë ndërmjet "njerëzve të ndershëm, që vuajnë vetë më së shumti nga kriza dhe elitave të vendit, që duhet të përgjigjen për krizën."

Athinë- Demostratë anti- gjermane
Athinë- Demostratë anti- gjermaneFotografi: dapd

Aferat e korrupsionit të sipërmarrjeve gjermane

Vassiliki Georgiadou është e shqetësuar për tonet jo harmonike ndërmjet Greqisë dhe Gjermanisë. Meqenëse në vitet e fundit disa firma gjermane, në rradhë të parë Siemens, u dyshua se kanë qenë të përfshira në skandale ryshfeti, në shtypin grek Gjermania fajësohet për korrupsion. Prillin e kaluar ish ministri i Drejtësisë Charis Kastanidis deklaroi biles se sipërmarrjet gjermane janë "rekord botëror i korrupsionit". Ashtu si edhe Nikos Dimou, Vassiliki Georgiadou i konsideron këto paragjymike si manovër strategjike, fundja korrupsion në Greqi nuk ekziston vetëm sepse një firmë gjermane paska kontribuar për të, "por në rradhë të parë, sepse sistemi politik dhe ndoshta edhe sistemi ekonomik i vendit në një pjesë të madhe mbahet gjallë me korrupsion", mendon ai. "Akuza të tilla shërbejnë vetëm si alibi, me qëllim ne të mos merremi me pyetjen, a kemi bërë gabime."

Disa grekë i shohin tensionet e fundit me humor. Karikaturisti gazetës ditore "Kathimerini" mjaftohet pa steriotipe historike dhe ka një propozim të vetin për zgjidhjen e krizës. Vizatimi i tij i fundit tregon kancelaren gjermane Angela Merkel dhe Wolfgang Schäuble, që e shohin me shqetësim trajnerin e futbollit Otto Rehagel. "Duhet të na ndihmosh", thotë ministri Financave," Ti je i vetmi, që grekët do të pranojnë si komisar të kursimeve...."

Autor: Jannis Papadimitriou/Angjelina Verbica
Redaktoi: Aida Cama