1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Greqi: Kriza po i “dëbon” të rinjtë nga vendi i tyre

6 Korrik 2011

Numri i grekëve që kanë kërkuar punë jashtë shtetit këtë vit e ka kapërcyer numrin e vitit të mëparshëm. Aplikuesit janë të rinj që kriza po i “dëbon” nga vendi.

https://p.dw.com/p/11qHc
Kriza po i “dëbon” të rinjtë nga Greqia
Kriza po i “dëbon” të rinjtë nga GreqiaFotografi: DW

Xheni Rusi është nga ata të rinj grekë që për më se një vit e gjysëm ka jetuar kalvarin e papunësisë dhe, siç thotë, nuk ka gjë më të vështirë se sa “të gjendesh jashtë mureve në kohën e krizës”. “Paraqita kërkesa dhe u rashë dyerve dhe jashtë objektit tim profesional, akoma dhe në librari apo dyqane rrobash, duke zhvleftësuar edhe studimet e mia,” thotë Xheni me një keqardhje të dukshme në fytyrë edhe për përgjigjen që merrte: “Për fat të keq nuk na bën me aq diploma”. Përkundër aspiratave të saj doktoratura në fushën e antropologjisë sociale në Angli, pas diplomimit të saj në Greqi, po shndërrohej në një dekurajim të përditshëm deri sa i buzëqeshi fati para disa ditësh. Një fat që i erdhi nga larg, nga Lisbona e Portugalisë dhe Qëndra e saj Studimore e Antropologjisë Sociale. “Për fat të mirë munda të gjej një zgjidhje në Evropë,” thotë Xheni me një ndjenjë gëzimi që do të punojë si hulumtuese në fushën e feve dhe të alternativave spirituale me rrogë të mirë dhe kontratë 3-vjeçare me të drejtë rinovimi.

Xheni Rusi
Xheni RusiFotografi: DW

Xheni ikën me një “ndjenjë të përzier, gëzimi por edhe hidhërimi”, siç thotë, që nuk e “mbajti” vendi i saj, por edhe me vendimin e shumë të rinjve të brezit të saj që e bën dhe më të vështirë përspektivën e daljes nga kriza. “Vështirë se do të kthehesha në Greqi në këto kushte, edhe pe është një gjë që do ta doja shumë. Në Greqinë e sotme nuk mund të bësh ëndërra,” thotë Xheni me një ndjenjë pezmatimi për klasën politike që “nuk kthen sytë nga të rinjtë dhe nuk arrin konsensus politik, si në Portugali, për të dalë sa më shpejt nga kriza”.

Në rrugën e emigracionit edhe punonjës të pakualifikuar

“Ashtu siç janë bërë gjërat është ndoshta e vetmja zgjidhje” i thotë DW i papuni 35-veçar Janis Anastasiu që pezmatmin e tij për politikanët, të cilët “duhet të ikin” siç thotë, e ka kthyer në revoltë të përditshme në “sheshin e të revoltuarve para parlamentit”. I liruar nga puna e tij si shitës në dyqanet Glou që në muajin shkurt dhe në asistencë sociale, Janis pa diplomë universiteti përfaqëson kategorinë e dytë të valës së emigracionit të pakualifikuar që detyrohet të lejë vendin për shkak të krizës si në vitet 60-të dhe 70-të të shekullit të kaluar.

Griechen im Exil
Thanasis MantisFotografi: DW

“Politikanët nuk respektojnë as votën dhe as jetën e njerëzve” i thotë DW dhe Thanasis Mandis, “që e mban në vend ndërkohë familja dhe dy fëmijët” për të cilët ka bërë dhe “kompromisin e dhimbshëm” të punojë si shitës dhe as një ditë në profesion si specialist informatike këtu e 15 vjet. “Të mos harrojmë se është brezi i ri ai që mbështet vendin dhe në qoftë se i pret këmbët u pret perspektivën të gjithëve,” thotë Thanasis, që e revolton dhe më tepër shprehja se “gjithçka bëhet për të shpëtuar vendin”. Ashtu siç e revolton fakti që “taksat dhe lirimet nga puna” janë bërë bibla e pushtetarëve dhe e memorandumeve të troikës.

“Një vend që nuk mund t'i ofrojë shanse të rinjve, që nuk shfrytëzon dijet dhe shprehitë e tyre, që nuk u beson, nuk legjitimohet të flasë për të ardhmen e tij,” ishte edhe vlerësimi i rreptë i eurodeputetit grek Jorgos Papanikollau, që publikoi edhe shifrat ogurzeza të numrit të aplikantëve grekë pranë portalit elektronik Europass.gr për një punë në vendet e tjera evropiane. Vetëm 5 muajt e parë të vitit 2011 numri i grekëve që kërkuan punë jashtë shtetit (35.349) kapërceu numrin e gjithë vitit 2009 (32.267) dhe pritet të kapë kuota shumë më të larta dhe se viti 2010(46.432). Aplikuesit në pjesën e tyre dërrmuese janë të rinj nga mosha 26 deri 30 vjeç (12.629 vetë) që kriza po i “dëbon” nga vendi. Një statistikë shumë më e zymtë dhe se ajo e malit të borxhit publik prej 350 miliardë eurosh. Se me kantiere të mbyllura dhe njerëzit rrugëve dhe pa punë, borxhet nuk mund veçse të shtohen dhe jo të shlyhen.

Argita Petani
Argita PetaniFotografi: DW

Vështirë për të gjithë, akoma më vështirë për emigrantët shqiptarë

Shokë të Janit dhe pjesë i të njejtit “realitet të papunësisë dhe ankthit për të nesërmen” janë edhe Sokol Korbi dhe Argita Petani nga Shqipëria. “Unë aktualisht jam 6 muaj pa punë. Kam ardhur në Greqi që në 98-en. Është vështirë për të gjithë, në radhë të parë për grekët dhe akoma më vështirë për ne emigrantët shqiptarë” thotë Sokoli i brezit të dytë të imigracionit, i diplomuar në elektrologji, që ndërkohë nxiton të sqarojë: “Nuk do të thoja në asnjë mënyrë që vjen nga ana e racizmit apo nga fakti që jemi të huaj në këtë vend. Në momentin që ka krizë për vendasit është më e vështirë për shqiptarët që nuk dinë mirë gjuhën apo nuk kanë mbaruar një shkollë konkrete”. “Unë konkretisht jam pa punë këtu e një vit e gjysëm. Akoma na ndihmon babi dhe mami. Kam mbaruar për marketing në një shkollë private dhe besoj se lekët nuk do t'i nxjerrim ndonjëherë kështu siç e kemi nisur” thotë Argita, nga ana e saj, që mendon se “papunësia preferon në radhë të parë femrat” .

Sokol Korbi
Sokol KorbiFotografi: DW

Ndryshe nga Sokoli, Argita nuk mendon kthimin në Shqipëri “ku ka rroga të ulëta dhe punohet për të jetuar dhe nuk jetohet për të punuar” dhe sheh si destinacion alternativ Amerikën ku “ofrohen më shumë shanse”. Megjithë prognozat e vështira për Greqinë, ashtu si Jani dhe Sokoli nuk do të humbasë shpresën për ditë më të mira. “Ëndërra vdes e fundit, thonë. Le të bashkohemi të gjithë –se bashkimi sjell fuqinë, sikurse thotë populli- dhe të bëjmë ndryshimin që shpresoj të jetë thelbësor dhe të vijë nga të rinjtë, nga ne”. Është ajo shpresë që e bën zërin e të revolturve grekë, në sfond, të dëgjohet akoma i fuqishëm dhe pse lëvizja e tyre ka hyrë në ditën e 50-të.

Janis Anastasiu
Janis AnastasiuFotografi: DW

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Aida Cama