1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Greqi: raporte suksesi me anë të errëta

Janis Papadimitriou/ Auron Dodi25 Shkurt 2014

Pas shumë kohe, përfaqësues të BE, BQE dhe FMN po vizitojnë sërish Athinën: qeveria greke informon për suksese në vënien në jetë të masave të kursimit, për të cilat qe rënë dakord.

https://p.dw.com/p/1BEhT
Syntagma-Platz Athen
Fotografi: DW/Bernd Riegert

Greqia e përfshirë nga kriza vitin e kaluar ka eksportuar më shumë mallra dhe shërbime se sa ka importuar, bën të ditur Banka Qendrore Greke. Ekspertët flasin në këtë kuadër për një tepricë në bilancin e pagesave. Kjo nuk ka ndodhur ndonjëherë në Greqi, që kur nisi të aplikohet statistika përkatëse, 66 vjet më parë. Për tepricën e papritur të lartë në bilancin e pagesave, prej dy përqind, ka disa shkaqe, shpjegon Panagiotis Petrakis, profesor i shkencave ekonomike në Universitetin e Athinës: "Të ardhurat nga turizmi janë rritur me 15 përqind dhe shpenzimet për importet e energjisë si dhe shpenzimet e ngrohjes janë ulur dukshëm. Eksporti grek është stabilizuar në përgjithësi, edhe nëse nuk mund të mohosh një rënie minimale në vitin 2013." A do të tregohet e qendrueshme teprica, kjo mbetet të shihet. Sepse ekonomia greke është e varur nga pikëpamja strukturore prej importeve dhe sapo të vihet sërish në lëvizje, do të rritet në mënyrë të detyrueshme edhe kërkesa për mallra importi, shpjegon Petrakis. Gjithsesi, ekonomisti beson se bumi i turizmit në Greqi do të jetë i qendrueshëm, sepse pronarët e hoteleve i kanë ulur çmimet.

Luftë kundër deficitit binjak

Si shkak kryesor për mjerimin ekonomik të Greqisë, ekspertët përcaktojnë deri tani deficitin binjak: me këtë kihet parasysh ekzistenca e njëkohshme e një deficiti të bilancit të pagesave dhe e një deficiti buxhetor. Kjo do të thotë: në një vend konsumohet më shumë se prodhohet dhe përveç kësaj shteti futet në borxhe, për të qenë në gjendje të përballojë më shumë. Por jo vetëm në lidhje me bilancin e pagesave, por edhe në lidhje me borxhin shtetëror: qeveria e Athinës e sheh veten në rrugën e duhur. Sepse për herë të parë që prej njëmbëdhjetë vjetësh, Greqia tregon sipas të dhënave të saj një tepricë primare në buxhetin shtetëror. Në vitin 2013 pra shteti ka pasur më shumë të ardhura se sa ka shpenzuar. Megjithatë, në këtë tepricë nuk llogaritet barra e përqindjeve të borxheve të vjetra.

23 prilli: dita e së vërtetës

Donatorët duan të presin ende, deri sa t'i lëvdojnë përparimet e Greqisë dhe të premtojnë ndihma të reja financiare ose lehtësime borxhesh. Troika, që përbëhet nga përfaqësues të BE, të Bankës Qendrore Evropiane dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar nisi të hënën (24.02.2014) verifikimin e hapave reformues të Athinës. Raportin ajo do ta paraqesë në mars. Si datë shumë e rëndësishme konsiderohet 23 prilli: atëherë Zyra Evropiane e Statiskave, Eurostat do të publikojë të dhënat për deficitet publike të shteteve anëtare të euros - dhe qeveria e Athinës shpreson se do ta konfirmojë zyrtarisht kthesën. Por kritikët thonë se teprica rezulton vetëm sepse shteti nuk i paguan ose i paguan me vonesë faturat e tij.