1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Greqia drejt diversitetit të burimeve të energjisë

Niko Anagnosti26 Shkurt 2009

Tani i jepet tani impuls në dy drejtime bashkëpunimit me Azerbajxhanin, hidrokarburet e të cilit do të furnizojnë si burim alternativ tregjet perendimore përmes gazsjellësit Azerbajxhan-Turqi-Greqi-Itali.

https://p.dw.com/p/H1pu
Industria energjitike në AzerbajxhanFotografi: AP

Jo rrallëherë, sidomos pas nënshkrimit të marrëveshjes për ndërtimin e naftësjellësit Burgas-Aleksandrupoli për transportimin e naftës ruse në perëndim, direkt ose indirekt Greqia ishte bërë objekt kritikash, veçanërisht nga ana e Uashingtonit për vartësi të plotë të tregut të saj për rrjedhim edhe atij perendimor “nga burimet ruse të energjisë”. Në këtë kontekst dhe sidomos pas konfliktit të sivjetshëm midis Moskës dhe Kievit dhe mbylljen e rubinetit, që “ngriu” Evropën në mes të dimrit, vihet re dhe një kthesë e kujdesshme e diplomacisë energjitike të Athinës drejt projekteve të interesave evropiane edhe amerikane. Konkretisht i jepet tani një impuls në dy drejtime bashkëpunimit me Azerbajxhanin, hidrokarburet e të cilit do të furnizojnë si burim alternativ tregjet perendimore përmes gazsjellësit Azerbajxhan-Turqi-Greqi-Itali (ITGI), ose të ashtuquajturit “korridor jugor” të transportimit të gazit.

Gas
Fotografi: DW-TV

Së pari Greqia, e cila është vendi i parë evropian që furnizohet me gazin azerbaxhanas, që prej një viti me inagurimin e segmentit Greqi-Turqi, siguroi tani konsensusin e palës tjetër, që të blejë direkt një sasi shtesë deri në dy miliardë metra kub gaz në vit. “Duam të japim një vijimësi krijuese në bashkëpunimin, që filluam në vitin 2007... dhe të nënshkruajmë marrëveshje tregtare furnizmi me gaz natyror direkt me Azerbajxhanin” deklaroi kryeministri grek Karamanlis në prani të presidentit azerbajxhanas Ilham Alief, që vizitoi këto ditë Athinën dhe mori pjesë dhe në një simpozium për energjinë. “Gazi azerbajxhanas tashmë qarkullon në tregun unik evropian”, tha Alief për të theksuar se vendi i tij me marrëveshje bi e multilaterale do të kontribuojë për furnizimin e mjaftueshëm dhe të sigurtë të Evropës me gaz.

Gas Symbolbild
Fotografi: dpa

Marrëveshja dypalëshe e arritur kërkon edhe konsensusin e Turqisë, të cilin e kushtëzon me sigurimin e së drejtës së saj si vend tranzit për të blerë dhe shitur edhe ajo 15 % të sasisë së gazit për përfitime ekonomike, por edhe për të theksuar rolin e saj strategjik, si vend tranzit, në materializimin e strategjisë evropiane të energjisë për diversitet burimesh nëpërmjet hidrokarbureve të Kaspikut. Rruga për transaksione të tilla hapet sigurisht me nënshkrimin e marrëveshjes katërpalëshe Azerbajxhan-Turqi-Greqi-Itali, pasi kompanitë respektive Soccar, Botas, NPG(DHEPA) dhe EDISON të bien në ujdi për kontratat e furnizimit me gaz. “Ne mundohemi të ecim përpara sa më shpejt dhe konstatojmë se ekziston vullnet i mirë nga të gjitha palët” deklaroi ministri grek i Zhvillimit Kostis Haxhidhaqis, i cili pasi u takua me homologun e tij azerbaxhanas shkoi në Bruksel, ku u takua me homologun e tij italian Klaudio Skajolla, por edhe komisionerin evropian për energjinë Andris Piebalgs me objekt përshpejtimin e nënshkrimit të marrëveshjes..

Me përfundimin e gazsjellësit në vitin 2013 do të mund të transportohen drejt tregjeve perendimore 11.5 miliardë metra kub gaz azerbajxhanas.

Sasia prej 2 miliardë metra kub gaz, që do të destinohet për tregun grek, kurse pjesa tjetër për atë italian, përmes segmentit të nënujshëm të Otrantos prej 200 kilometrash, do të reduktojë vartësinë e tregut grek nga gazi rus nga 70 %, që është aktualisht në 45 %. Kjo do të jetë edhe atuja e ministres së jashtme Bakojani për “kthesën energjitike” të Greqisë në takimet e saj të kësaj jave në Uashington dhe më pas dhe ministrit të Zhvillimit Haxhidhaqis, që u ftua për të vizituar së shpejti Amerikën.