1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Papandreou doch allein auf dem Golgatha

16 Qershor 2011

Ishte një ditë e zymtë për Greqinë. Elita politike e vendit tregoi edhe një herë paaftësinë e saj të pashembullt, për të evituar falimentimin e Greqisë edhe në momentin e fundit.

https://p.dw.com/p/11buM

Qeverisë së socialistit Jorgos Papandreu me shumicën e tij parlamentare, që po rrudhet me ngadalë por me siguri, po i shteron forca në një moment kritik. Athina do të falimentojë në korrik, në qoftë se deri atëherë nuk do të merren vendime konkrete për mbylljen e boshllëkut të hapur në buxhetin e këtij viti, prej 6,4 miliardë eurosh. Pa këto vendime Greqia nuk do të marrë kreditë e planifikuara ndërkombëtare. Në këtë moment Papandreu u mundua të bëjë më të mirën për të tërhequr me vete së paku partinë më të madhe opozitare, Nea Dimokratia, të konservatorit Antonis Samaras. Pa një koalicion qeveritar me partinë e dytë për nga madhësia, PASOK-u qeverisës as nuk do të realizojë dot privatizimet e domosdoshme dhe as do të frenojë evazionin e shfrenuar fiskal.

Madje edhe heqjen dorë nga posti i kryeministrit duhet ta ketë propozuar dje Papandreu në telefonatat e tij të përseritura me Samaras. Nga kjo nuk u bë gjë. Udhëheqësi i opozitës e interpretoi ofertën si dorëheqje të Papandreut dhe kërkoi një rinegociim të marrëveshjeve për kreditë e arritura me BE, BQE dhe FMN, me qëllim që ai të marrë pjesë në një qeveri të "unitetit kombëtar", pa Papandreun si kryeministër kuptohet. Papandreut iu desh të tërhiqej dhe shpalli ristrukturimin e qeverisë së tij të PASOK-ut dhe një votim të mëvonshëm besimi në parlament.

Prandaj tema dominante e bisedave të shumta televizive mbrëmë (15.06) në televizionin grek ishte, në se Papandreu po luante me ofertën e tij të koalicionit apo jo, dhe në se ai me qeverinë e tij të ristrukturuar mund të mbledhë përsëri rreth vetes PASOK-un. Në fakt çështja, nëse PASOK-u apo Nea Dimokratia ka idetë më të mira për shkurtimet apo të ardhurat shtesë për 6,4 miliardë eurot, që mungojnë, u margjinalizua. Dhe kështu grekët, përndryshe shumë të ndjeshëm në çështjen e sovranitetit kombëtar, nuk kuptojnë fare se përsëri vendimet kryesore për vendin e tyre merren diku tjetër. Pikërisht nesër në (17.6.) në Berlin në takimin e kancelares gjermane Angela Merkel me presidentin francez Nicolas Sarkozy. Athina nuk arrin ta ndërtojë me përgjegjësi të ardhmen e saj.

Autor: Spiros Moskovou

Redaktoi: Angjelina Verbica