1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Greqia në zi - Vdes kryepeshkopi i Kishës Ortodokse, Kristodhullos

Niko Anagnosti / Athinë29 Janar 2008

Greqia është në zi kombëtare për vdekjen e kryepeshkopit të saj, që humbi jeten nga sëmundja e kancerit. Karizmatik dhe me popullaritet të madh, Kristodhullos kaloi në histori për rol kontradiktor.

https://p.dw.com/p/Cz9L
Kishë Ortodokse greke
Kishë Ortodokse grekeFotografi: AP

Në Mitropolinë e Athinës mijëra besimtarë nga mëngjesi në darkë presin më orë të tëra për t`i dhenë lamtumirën e fundit kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Kristodhullos, i cili ndërroi jetë të hënën në mëngjes, në moshën 69 vjeçare, pas muajsh vuajtjesh nga sëmundja e kancerit dhe dështimit të transplantit të veshkave në Amerikë. Në vend është shpallur zi kombëtare për katër ditë dhe homazhi i pafund vjen për të dëshmuar popullaritetin e udhëheqësit të ndjerë shpirtëror, që si asnjë tjetër paraardhës i tij hapi kishën në shoqëri dhe solli në të të rinjtë me kontaktet e tij të famshme ku rrëfente anektoda dhe drejtonte apelin e tij "hajdeni me xhinse dhe vathë në veshë, nuk prishë punë". "Ishte një gjë shumë e mirë që një kryepeshkop afroi kaq shumë të rinjtë" thotë një i ri besimtar.

Me erën e reformatorit dhe të trazuesit të ujërave të ndenjura kryepeshkopi do të injoronte zërat kundërshtare dhe do të guxonte dialogun me Kishën Katolike, që do të kurorëzohej me vizitën historike të Papa Gjon Palit të 2-të me 4 maj të vitit 2001 në Athinë, por edhe vizitën e tij te Papa Venedikti i 16-të më 14 dhjetor 2006 në Vatikan, që ngjallen shpresen e afrimit të dy kishave.

Karizmatik dhe i adhuruar nga besimtarët e tij, kryepeshkopi do të kritikohej për implikim në politikë veçanërisht në vitin 2000, me 2 manifestime ne Athinë dhe Selanik dhe mbledhjen e 3 milionë firmave për përfshirjen e besimit fetar në pashaporta, një betejë që nuk e fitoi. "Zëri juaj është edhe zëri i zotit" u drejtohet mijëra besimtarëve në një nga fjalimet e tij të zjarrta nga të cilat nuk mungonin filipiket antiamerikane për "rendin e ri" por edhe tiradat shpotitëse për "inteligjencen ateiste dhe adhuruese të çdo gjeje të huaj". Shprehja "fitoi e djathta e zotit" në vitin 2004 shkaktoi acarim politik.

I ardhur në konflikt për shkak të "Athinocentrizmit e tij" dhe me Patriarkun Ikumenik, ngjalli mërinë dhe të disa mitropolitëve që kërkojnë kufizimin e kishës në rolin e saj shpirtëror. "Kryepeshkopi i ri do të jetë një njeri që do të bëjë konvergime dhe do të evitojë polarizimet" thotë mitropoliti i departamentit të Peristerit për kreun e ri të kishës që do të zgjidhet më 7 shkurt.