1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Troika Athen

14 Janar 2012

Programi grek i kursimeve do të kontrollohet sërish. Këtë do ta bëjë të martën "Troika", e përbërë prej ekspertëve të BE-së, Bankës Evropiane të Investimeve dhe FMN-së. Nga ajo varet vazhdimi i ndihmave.

https://p.dw.com/p/13jQt
Bob Traa nga FMN.
Bob Traa nga FMN: "Troika" në Ahtinë pritet me interes.Fotografi: Picture-Alliance/dpa

Një prej synimeve minimale është arritur: deficiti i buxhetit në vitin 2011 është 9,6%, që do të thotë më pak se niveli i rëndësishëm psikologjik prej 10%, kumtoi ministri grek i Ekonomisë Michalis Chryssochoidis. Kur merren parasysh lajmet e shumta të këqia, kjo përqindje mund të konsiderohet si sukses. Por deficiti është megjithatë një për qind më shumë se sa ishte planifkuar.

Ndaj të domosdoshme janë masa të tjera kursimesh në vlerë prej 1,5 miliardë eurosh. Por as në këtë çështje nuk ka ujdi mes qeverisë greke dhe "Troikës". Ekspertët janë të një mendimi se prej pensionistëve dhe atyre që marrin rroga minimale nuk mund të kursehet. Por ka hapësirë për reforma të reja në tregun e punës dhe në disa sektorë të tjerë.

Për herë të parë do të bisedohet tani edhe për mundësinë e uljes së rrogave minimale dhe parave të garantuara për pushime apo festa, shpjegon profesori grek Jannis Lixouriotis. Por as këto masa nuk mjaftojnë.

"Vetëm me uljen e rrogave dhe parave për festa nuk mund të arrihet asgjë. Të domosdoshme janë reformat në tregun e punës", pohon ai.

Këtu ka nevojë edhe për më shumë fleksibilitet, sepse shumë njerëz mund të humbin punën vetëm për shkak se punëdhënësit nuk i respektojnë obligimet e tyre. Një situatë e tillë nuk mund të vazhdojë, thotë profesori.

Evangelos Venizelos
Ministri Evangelos Venizelos.Fotografi: dapd

Pak para mbërritjes së "Troikës" në Athinë do të mbahet takimi i sindikatave me punëdhënësit. Qeveria e kryeministrit Loukas Papademos thotë se do të ndërhyjë, në qoftë se partnerët nuk bien dakord. Mund të ulen madje edhe rrogat minimale, të cilat janë shumë më të larta se në Spanjë, për shembull. Profesori Luxouriotis thotë se kjo nuk është e drejtë.

Troika si alibi

"Qeveria po e përdorë "troikën" si alibi për të jusfitikuar paaftësinë e vet. Problemi i Greqisë është një problem grek dhe jo evropian. Por shumë politikanë nuk duan ta shohin këtë realitet dhe thonë se ekspertët evropianë janë ata që kërkojnë kursime. Me ndihma mund të mbyllen disa vrima financiare, por Greqia ka nevojë për reforma strukturore", mendon profesori.

Një pjesë e ekspertëve thonë se qeveria greke nuk është e gatshme të realizojë deri në fund kërkesat e "Troikës". Ndërsa të tjerët janë të mendimit se paketa do të dështojë, pavarësisht ndihmave. Ata janë të mendimit se kursi i rreptë i kursimeve do ta hedhë përfundimisht për tokë ekonominë greke.

Ndër skeptikët është edhe Jannis Varoufakis, profesor ekonomie në Universitetin e Athinës. Ai kërkon ndryshimin afatgjatë të kursit ekonomik në Greqi. Në këtë rrugë duhet të ndihmojnë partnerët evropianë.

"As Zoti nuk mundet..."

Pamje nga protestat.
Populli i pakënaqur.Fotografi: picture-alliance/dpa

"As Zoti nuk mund ta zbatojë një program të tillë", thotë ai. Jo vetëm Greqia por edhe vendet tjera të eurozonës kërcënohen nga dështimi, sepse ato nuk po reagojnë si duhet, pohon Varoufakis. Sipas tij, në rast dështimi të reformave, Greqia duhet të shpallë falimentimin. Por euro duhet të ruhet.

"Për Greqinë dalja nga zona e euros do të ishte vetëvrasje. Në një rast të tillë as euro nuk do të mbijetonte më gjatë se 24 orë", pohon Varoufakis.

Ai është i bindur se shumë shpejt do të kishte një efekt domino, që për pasojë do të kishte recesionin në vendet veriore të Evropës - në radhë të parë në Gjermani dhe Holandë.

Autor: Jannis Papadimitriou/Bahri Cani

Redaktoi: E. Xhani