1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Greqisë i falet një pjesë e borxheve

27 Tetor 2011

Shtetet e eurozonës kanë rënë dakord në Bruksel për një paketë të gjerë masash për luftimin e krizës së borxheve. Kështu ata ranë dakord me kreditorët privatë për një falje të pjesshme të borxheve të Greqisë.

https://p.dw.com/p/12zw7
Arrihet marrëveshje për një paketë të gjerë masash për luftimin e krizës së borxheve
Arrihet marrëveshje për një paketë të gjerë masash për luftimin e krizës së borxheveFotografi: dapd

Sipas marrëveshjes bankat duhet të heqin dorë vullnetarisht nga gjysma e pretendimeve të tyre financiare. Falja e pjesshme kap shumën e 100 miliardë eurove të obligacioneve shtetërore greke të papaguara, u shpreh presidenti francez, Nicolas Sarkozy. Nga kjo shumë 30 miliardë euro do t'i marrë përsipër sektori publik. Deri në vitin 2014 Greqisë do t'i vihen në dispozicon deri në 100 miliardë euro kredi. Qëllimi është ulja e deficitit në 120% të prodhimit të brendshëm bruto deri në vitin 2020.

Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, tha: "Mendoj se ajo që njerëzit prisnin më shumë, më e vështira ishte natyrisht udjia për aspektet teknike lidhur me përfshirjen e sektorit privat për çështjen e Greqisë."

Angela Merkel dhe Nicolas
Angela Merkel dhe NicolasFotografi: picture alliance/dpa

Për t'u siguruar nga pasojat e faljes së borxheve për Greqinë dhe turbulencave të tjera në tregjet financiare, bankat evropiane do të rrisin kuotën bazë të kapitalit në 9%. Gjithashtu u vendis që të rritet efektiviteti i fondit evropian të shpëtimit përmes instrumentave financiarë deri në 1 bilionë euro.

Kryeministri i Luksemburgut dhe shef i eurogrupit u tregua i kënaqur. "Jam i kënaqur me rezultatin e përgjithshëm, nuk jam gjithmonë dhe e them kur nuk jam i kënaqur." Kemi marrë vendime të rëndësishme, sepse kemi siguruar që të rritet në mënyrë të konsiderueshme pjesëmarrja e kreditorëve privatë për Greqinë.

Samiti përshëndeti gjithashtu vullnetin e Italisë për të vepruar energjikisht kundër krizës së borxheve. Vendimet e kryeministrit italian, Silvio Berlusconi duhet tanimë të vihen në veprim, tha presidenti i Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy.

Autor: Lindita Arapi

Redaktoi: Aida Cama