1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Grupimi më i fortë - ata që nuk votojnë?

27 Gusht 2017

Ata që nuk dalin në votime përbëjnë prej kohësh nië grupim të fortë në zgjedhjet parlamentare në Gjermani. Kjo mund të përsëritet edhe në zgjedhjet e 24 shtatorit. Kush janë këta refuzues?

https://p.dw.com/p/2isjN
Symbolbild Politikverdrossenheit
Fotografi: picture-alliance/dpa/Frank May

Werner Peters ka një propozim radikal. Kryetari i Partisë së Jovotuesve dëshiron që në Bundestag të përfaqësohen edhe ata që nuk shkojnë të votojnë. Sipas numrit të jovotuesve duhet që qytetarët të zgjidhen me short në parlamentin gjerman, pra ata që nuk identifikohen me ndonjë parti. Në vitin 1998 filozofi nga Kölni krijoi partinë me emrin paradoksal e u fut në zgjedhje. Në intervistë me DW, ai kujton se ndaj propozimit të tij "atëherë partitë ishin si të ngrira, sidomos CDU-ja".

76 vjeçari ka qenë për dy dekada anëtar i partisë konservatore, CDU. Me partinë e jovotuesve, ai donte t'u ofronte qytetarëve një alternativë të re. "Kërkesat tona: Më shumë demokraci direkte, heqjen e detyrimit të grupit parlamentar, kufizimin e zgjatjes së mandateve. Me këtë ne donin ta rigjallëronim demokracinë."

Idetë e Petersit ende sot prekin nervin e duhur tek gjermanët. Ndërkohë që jovotuesit nuk janë një grupim aq heterogjen. "Nga njëra anë kemi ata që nuk u intereson shumë politika, pastaj vjen në radhë ajo shtresë që nuk ka përfituar nga zhvillimi ekonomik. Ky grupim vendosi zgjedhjet në SHBA, pasi Trump ia doli që njerëzit që thonë, e ç'punë kam unë me politikën, të shkonin drejt kutive të votimit."

"Sistemi duhet të ndryshojë"

Por filozofi e themeluesi i partisë së jovotuesve interesohet më shumë për shtresën e tretë. Janë ata që thonë, se problemet më kardinale të shoqërisë sonë nuk trajtohen ashtu si duhet. Si shembull aktual, Peters merr skandalin e dizelit. "Qytetarët nuk janë më të përfaqësuar. Të përfaqësuara janë koncernet e automobilëve. Po qe se vazhdohet me këtë, pra që ne të bëhemi për budallenj, politika do të përplaset një ditë pas murit. Refuzimi masiv i votës është mënyra e vetme, që ta bësh të qartë këtë protestë", thotë Peters.

Werner Peters, Gründer der "Partei der Nichtwähler"
Werner PetersFotografi: DW/O. Pieper

Votues me pushime

91,1% ishte pjesëmarrja në zgjedhjet e Bundestagut në vitin 1972. Në vitin 2009, 2013 morën pjesë 70,8% dhe 71,5 e votuesve. Për politologun Manfred Güllner një tendencë e rrezikshme. "Partitë kanë zënë veshët me dorë dhe nuk duan të dëgjojnë, se ka kaq shumë njerëz që i qëndrojnë larg zgjedhjeve", kritikon Güllner në bisedë me DW. Kjo tendencë afrohet me Portugalinë, ku ka një refuzim të dhënies së votës, thotë ai. Një shembull pozitiv është Danimarka. "Aty kanë marrë pjesë në zgjedhjet e fundit parlamentare 85% e votuesve."

Me porosi të fondacionit Friedrich-Ebert instituti i opinionit publik, Forsa analizoi qëndrimet e refuzuesve të votimeve. Rezultatet ishin surprizuese. "Ne nuk jemi refuzues të votës. Ne duam të votojmë. Ne jemi votues me pushime. Ne presim që të votojmë sërish." Kush mendon kështu, thotë Güllner është një jovotues i përkohshëm, që nuk do të votojë për partitë radikale, por pret. Edhe në zgjedhjet e 24-shtatorit ekziston rreziku që shumë vetë të mos e japin votën e tyre, thotë eksperti. Një recetë e thjeshtë për të tërhequr votuesit do të duhej të ishte gjuha e kuptueshme, sipas tij. Jovotuesit ankohen për këtë. Güllner përmend një shembull pozitiv. Kancelari i dikurshëm, Helmut Schmidt përdorte një gjuhë të thjeshtë. Tek ai njerëzit kishin ndjesinë se "ai mund të ta shpjegojë botën me tre fjali."

FORSA-Geschäftsführer Manfred Güllner
Manfred GüllnerFotografi: Imago

Martin Schulz para detyrës së Herkulit

A mundet kandidati i socialdemokratëve për kancelar, Martin Schulz të ndryshojë situatën? Manfred Güllner nuk e përjashton këtë. "Edhe në fillim të vitit 1994 mendohej se Kohl nuk do të fitonte. Por ai ia doli të nxjerrë nga fronti i të pavendosurve të gjithë votuesit e CDU-së dhe mbeti kancelar." Por për Schulzin situata është më e vështirë. "Kemi një mobilizim të madh përmes zgjedhjeve në tre lande, dhe përmes kandidaturës së Schulzit. Prandaj rezervat e SPD-së janë më të vogla se në zgjedhjet e mëparshme."

Jovotuesit ndihmojnë Merkelin

Por çfarë ndodh, nëse jovotuesit më 24 shtator përbëjnë grupimin më të madh, pra janë "fituesit" dhe pjesëmarrja në votime zbret në 70%? Politologu Manfred Güllner thotë se politika atëherë duhet vërtet të vrasë seriozisht mendjen, sepse si pasojë humbet legjitimiteti. Filozofi Werner Peters, partia e të cilit u shpërbë në dhjetor 2016, mbetet megjithatë një jovotues i angazhuar. "Angela Merkel do të zgjidhet, kjo është e qartë." E megjithatë ai kërkon sërish që njerëzit të mos dalin në votime, megjithëse kjo shkon në favor të Merkelit. "Dihet, kjo grua përfaqëson një lloj qetësie, stabiliteti e soliditet. Por nga ana tjetër ajo nuk ia ka idenë, se si do të zhvillohen gjërat. Ajo e jeton këtë sistem, dhe nuk ka problem me këtë. Por ajo është si njeriu me një sy mes të verbërve."

Një burrë i gjatë i hollë me flokë verdha dhe këmishë të zezë duke parë serioz në drejtim të kamerës
Oliver Pieper gazetar për politikën dhe shoqërinë gjermane, si dhe për çështjet e Amerikës së Jugut.