1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

GTZ gjermane mbështet konkurueshmërinë e biznesit shqiptar në tregun e huaj

Arben Muka / Tiranë25 Janar 2009

Kjo bëhet në mënyrë të veçantë duke trajnuar përfaqësues të kompanive ekportuese për respektimin e standarteve të prodhimit dhe duke i mbështetur ata për pjesëmarrje në panairet ndërkombëtare dhe gjermane.

https://p.dw.com/p/GfjJ
Shqipëria në "Javën e Gjelbërt" në Berlin
Shqipëria në "Javën e Gjelbërt" në Berlin, 2007Fotografi: DW

Shoqata gjermane e Bashkëpunimit Teknik, ose siç thirret GTZ, po aplikon në Shqipëri një sërë programesh zhvillimi për sektorët e agroindustrisë, të industrisë së tesktileve, të turizmit dhe teknlogjive të informacionit. Mes tyre është dhe nxitja e konkurueshmërisë së produkteve "Made in Albania" që tentojnë të dalin jashtë territorit të vendit. Ismail Beka, menaxher për programin e zhvillimit ekonomik dhe nxitjen e punësimit në GTZ e shikon si mjaft të rëndësishëm procesin e trajnimit të përfaqësuesve të biznesit për të respektuar standartet që kërkon klienti i sotëm europian, por dhe uljen e çmimeve të produkteve. "Ky do të ishte dhe një reagim i zgjuar në këtë periudhë të tkurrjes së tregut nga efektet e krizës globale. Pa konkurueshmëri nuk mund të kishim eksport, por dhe humbje terreni ne tregun vendas. Nëse të ardhurat kryesore në bilancin e vendit janë prurjet nga emigracioni dhe eksporti- dhe këta tregues pësojnë rënie atëherë kjo është shenjë e shfaqjes reale të krizës. Këtë duhet ta shohim me sy hapur dhe të reagojmë në kohë për ta përballluar", thotë Beka.

Ismail Beka
Ismail BekaFotografi: DW/ Arben Muka

Kristaq Mico është menaxher shitjes dhe marketingu në njërën prej kompanive lidere në Shqipëri, për produktet agroushqimore. Prej rreth 7 viteve kompania "Sejega" eskporton produkte dhe në tregun gjerman, italian, grek, por dhe në dy vendet fqinje Kosovë dhe Maqedoni. Mico thotë se qysh nga gjashtëmujori i dytë i vitit të kaluar janë hasur disa vështirësi në aktivitet :"Nga ajo që konsiderohet si kriza e prodhimit në tregun ndërkombëtar u shtrenjtuan lëndët e para. Këto lëndë që importohen në Shqipëri nga vendet përendimore filluan të blehen me çmim reference më të lartë në tregun tonë. Paralelisht me shtrenjtimin e lëndëve të para hasëm dhe në dukurinë e vështirësive në likuiditet, jo vetëm në tregun brenda Shqipërisë, por dhe në atë ndërkombëtar. Është bërë thuajse në modë shkëmbimi, shitja e blerja me vonesë në likuidim financiar. Kjo u reflektua dhe tek likuiditetet qoftë në pjesën që eksportonim qoftë dhe për prodhimin që hodhëm në tregun vendas. Kjo krijon situatë të pafavorshme për çdo kompani, pasi imagjinoni kompania nuk akumulon fondin e saj të shitjeve. Pra e ka të vështirë të përballojë vetveten," thotë Mico.

Kristaq Mico
Kristaq MicoFotografi: DW/ Arben Muka

Ismail Beka, shikon si element të rëndësishëm për kompanitë e eksportit mbajtjen e tyre në kontakt të vazhdueshëm me klientët ekzistues, por dhe zgjerimin me klientë të rinj, pasi në periudha të tilla tregu është variabël dhe me vështirësi për planifikime afat gjatë. GTZ-ja gjermane dhe gjatë këtij viti do të mbështesë pjesmarrjen e kompanive eskportuese në panairet e mëdha ndërkombëtare, kryesisht në Gjemani por dhe në vende të tjera.

Gjatë muajit shkurt do të ketë dy panaire të tilla. Njëri prej tyre është për prodhimet bio në Nuremberg, ku do të ketë dhe një prezantim të 6 kompanive shqiptare. Produktet bio janë nga më të kërkuarat sot në tregun europian dhe më gjerë, ndaj përfaqësimi i Shqipërisë sa do modest është premtues për zgjerimin në të ardhmen. Tjetër panair ku do të jenë të përfshira kompanitë shqiptare është dhe ai i Mynihut, këtë herë me thekse të veçanta për turizmin e aventurës, ose atë malor, ku duhet thënë se Shqipëria ka shumë resurse ende të pashfrytëzuara.

Kristaq Mico nga kompania eksportuese "Sejega" konfirmon intensifikimin e kontakteve në veprimtari të tilla. "Është një rast i mirë për kompaninë tonë që të marrin pjesë në këto panaire. Të zgjerojmë kontaktet, të shikojmë për klientë të rinj të interesuar. Për të përmbushur dhe ambicien tonë për ta shtuar gamën e produkteve që do çojmë në vendet e BE-se, apo në vendet fqinje. Ne e shikojmë krizën si të përballueshme duke luajtur në shumë plane në aspektin e marketingut".

Ndërkohë që në fillim të muajit tjetër, do të zhvillohet një veprimtari tjetër e përbashkët mes biznesit shqiptar dhe atij gjerman në sektorin e industrisë tekstile, sektor edhe ky që eksporton një pjesë të produkteve jashtë vendit.