1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gueheno: UNMIK-u luan rol konstruktiv për ruajtjen e stabilitetit në Kosovë

Bekim Shehu4 Maj 2008

Ndihmësi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Jean Marie Guehenno viziton sot Kosovën, në një mision faktmbledhës. Vizita realizohet në kohën e debateve rreth pranisë së ardhshme civile ndërkombëtare në Kosovë.

https://p.dw.com/p/DtAm
UNMIKFotografi: picture-alliance/ dpa

Ndihmësi i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Jean Marie Guehenno, përjashtëon mundësinë e përplasjeve ndërmjet Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian rreth Kosovës. Zoti Gueheno, po qëndron në Kosovë në një vizitë faktmbledhëse, ku fillimisht ka takuar udhëheqësit politik kosovar dhe ata të pranisë ndërkombëtare.

Gueheno u shpreh se Kombet e Bashkuara, janë të interesuara, që UNMIK-u të luaj rol konstruktiv për të ruajtur stabilitetin në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit. Sipas tij, në vazhdimësi në Këshillin e Sigurimit, në Kosovë dhe në Bashkimin Evropian po debatohet për rrugët e përshtatshme për ruajtjen e kësaj qetësie dhe zbatimin e rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit.

"Nuk mund të përfytyrojë ndonjë konflikt. Kombet e Bashkuara veprojnë në bazë të Rezolutës 1244, tha zoti Gueheno duke hedhur poshtë çdo mundësi që Misioni i Kombeve të Bashkuara të veprojë në pjesë të caktuara të Kosovës", tha Gueheno.

Kombet e Bashkuara janë të pranishme në tërë Kosovën dhe mandati i misionit të tyre përfshin tërë Kosovën, tha zoti Gueheno i cili drejton Departamentin për Operacione Paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara. Organizata e tij dëshiron të lërë prapa trashëgiminë e paqes dhe qëndrueshmërisë në Ballkan, u shpreh ai.

Në këtë periudhë thelbësore duhet të shmanget çdo situatë që prish drejtpeshimin dhe të punohet për krijimin e themeleve për një zhvillim ekonomik, tha zoti Gueheno. Pas datës 15 qershor kur hyn në fuqi Kushtetuta e Kosovës, UNMIK-u, do të duhej të largohej nga Kosova dhe të kalojë përgjegjësitë tek institucionet e Kosovës dhe një pjesë tek misioni i ri i Bashkimit Evropian. Kjo për faktin që kështu e parasheh plani i ndërmjetësit, Marti Ahtisari, mbi bazën e të cilit Kosova shpalli pavarësinë. Misioni i BE-së, kundërshtohet fuqishëm nga autoritetet e Beogradit dhe ato të Rusisë. Ai mbështetet nga autoritetet e Kosovës dhe nga të gjitha vendet që tashmë e kanë njohur pavarësinë. Ndihmësi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, gjatë ditës së sotme viziton veriun e Kosovës dhe më pas ai pritet të shkojë në Beograd.