1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hammarberg: Apeli im tek Gjermania dhe tek vendet e tjera në Evropë është që ato të presin dhe të mos kthejnë asnjë rom tani në Kosovë

25 Korrik 2009

Përmbledhje e intervistës me komisarin e Këshililt të Evropës për të drejtat e Njeriut, Thomas Hammarberg

https://p.dw.com/p/IxJd
Komisarin e Këshililt të Evropës për të drejtat e Njeriut, suedezi Thomas HammarbergFotografi: picture-alliance/dpa

Thomas Hammarberg, komisar i Këshililt të Evropës për të drejtat e Njeriut, i ka bërë thirrje vendeve evropiane që të mos kthejnë ish-refugjatë romë në Kosovë. Në një intervistë dhënë programit shqip të Deutsche Welle-s Hammarberg mes të tjerash kërkon që sa më shpejt të zgjidhet problemi i romëve ne veri të Mitrovicës, që janë në kampe të kontaminuara.


Ekzistojnë disa përmirësime të të drejtave të njeriut në Kosovë, si për shembull legjislacioni i adoptuar ishte shumë modern, por mbeten një sërë problemesh në implementimin e tij, thotë Hammarberg për Deutshe Welle-n. "Një problem ka të bëjë me romët, dhe situatën e tyre. Ne kërkojmë disa reforma të shpejta dhe mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare".


Hammarberg thotë se problemi i romëve në veri të Mitrovicës është në radhë të parë përgjegjësi e UNMIK-ut. Dhe ai thotë se moszgjidhja e tij është pasojë e diskriminimit


"Unë mendoj se po të mos kishin qenë romë, ashkalinj ose egjiptianë, ky problem do të ishte zgjidhur që prej shumë vitesh, sepse u vërtetua shumë qartë, që kjo ishte një zonë shumë e rrezikshme për shëndetin e njerëzve aty, grave shtatzëna dhe fëmijëve. Është një skandal i madh dhe një pjesë të përgjegjësisë e ka bashkësia ndërkombëtare, sepse ky kamp u ngrit ku qeverisjen e Kosovës e kishte në dorë bashkësia ndërkombëtare. Rolin kryesor në këtë çështje duhet ta luajë UNMIK-u në mbështetje edhe nga autoritete e tjera."


Hammarberg gjithashtu ushtron kritikë ndaj politikës së vendeve evropiane, që me gjithë situatën e vështirë të romëve në veçanti dhe të gjithë popullsisë kosovare në përgjithësi, vazhdojnë t'i kthejnë me dhunë ish-refugjatët e luftës:


"Unë mund t'i kuptoj argumentet e tyre, por nuk do të thonë që ato janë të drejta. Për momentin, nuk është ende e këshillueshme që romët të kthehen në Kosovë, ata nuk janë ende të sigurt aty. Ende nuk janë zgjidhur problemet e romëve që janë aty, dhe nëse ata konfrontohen edhe me kthimin e romëve nga vende të tjera, do të ishte shumë e vështirë për ta që t'i zgjidhnin problemet, sidomos tani që edhe Kosova është përfshirë në krizën ekonomike dhe niveli i papunësisë është shumë i lartë. Apeli im tek Gjermania dhe tek vendet e tjera në Evropë është që ato të presin dhe të mos kthejnë asnjë rom tani në Kosovë. Sa u përket jo-romëve ata duhet të lejojnë të kthehen në fillim njerëzit nga vendet fqinje."

Autore: Anila Shuka

Redaktoi: Elert Ajazaj