1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hapet samiti i OSBE-së në Kazakistan

1 Dhjetor 2010

Për herë të parë që prej 11 vjetësh vendet anëtare të OSBE janë mbledhur përsëri në një samit në Kazakistan. Por për drejtimin e ardhshëm të kësaj organizate ka diskutime.

https://p.dw.com/p/QMfO
Logo e samitit të OSBE-së, Astana 2010

Në filim të samitit këtë të mërkurë (01.12.2010) përfaqësuesit e thuajse të të gjitha shteteve theksuan nevojën e forcimit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, OSBE. Megjithatë që në ditën e parë u vunë re dallimet në lidhje me drejtimin e ardhshëm të organizatës.

Të drejtat e njeriut, liria e shprehjes...

OSZE Gipfel Tagung Astana
Mbërritja e Angela Merkelit në samitFotografi: DW/Esther Broders

Sipas Kancelares Angela Merkel OSBE ka ende mangësi të konsiderueshme si një instrument për zgjidhjen e konflikteve. Organizata është ende larg synimit të një forumi bashkëpunimi për sigurinë, tha Merkel gjatë samitit të OSBE-së në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana. Merkel kërkoi me këmbëngulje respektimin e të drejtave të njeriut në të gjitha 56 vendet anëtare të OSBE-së, shprehjen e mendimit të lirë dhe zgjidhjen e konflikteve rajonale. Sikurse krerët e shteteve dhe të qeverive të tjera më parë Merkel nuk përmendi për këtë asnjë vend me emër.

Kazakistani mban kryesinë e radhës së OSBE-së

Kazakistani e para ish-republikë sovjetike, që mban kryesinë e radhës së OSBE-së, kritikohet se nuk i plotëson standartet e organizatës për lirinë e shtypit dhe të grumbullimit, shkel në mënyrë sistematike të drejtat e njeriut dhe presidenti i tij, Nursultan Nasarbajev, praktikon një stil autoritar qeverisjeje. Nursultan Nasarbajev, mikpritësi i samitit, kërkoi që OSBE të angazhohet më shumë në fusha si trafikimi i drogës dhe emigracioni i paligjshëm. Presidenti i Rusisë, Dimitri Medvedev, e refuzoi qartë këtë kërkesë. Në vend të kësaj ai nguli këmbë për rregulla obliguese të OSBE-së, si për shembull në administrimin e krizave.

Autor: dpa/Mimoza Kelmendi

Redaktoi: Angjelina Verbica