1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Haradinaj: "Drejtësia ka fituar, prej sot jam i lirë"

Bahri Cani*
27 Prill 2017

Gjykata në Colmar të Francës liroi sot liderin e AAK Ramush Haradinaj. Gjykata franceze vendosi që ai të mos estradohet në Serbi.

https://p.dw.com/p/2bzen
Unterstützer des ehemaligen Premierministers Ramush Haradinaj
Fotografi: Getty Images/AFP/S. Bozon

"Ju lutem, mbani qetësinë – pavarësisht se cili do të jetë vendimi”, u shpreh që në fillim udhëheqësja e trupit gjykues në Colmar, në procesin kundër Haradinajt. Salla ishte e mbushur përplot me simpatizantë të Haradinajt, por edhe gazetarë dhe forca të sigurisë.  

Ramush Haradinaj doli para gjykatëses në dukje shumë i qetë. Pas leximit të vendimit se "nuk ekzistojnë argumente për ekstradimin e Haradinajt në Serbi…”, vetë Haradinaj kërkoi nga të pranishmit që në sallë të mbajnë qetësinë dhe të ruajnë dinjitetin.

Kosovos ehemaliger Premierminister Ramush Haradinaj freigesprochen
Fotografi: Getty Images/AFP/S. Bozon

"Drejtësia ka fituar” dhe "nuk është pritur ndonjë vendim tjetër”, ishin fjalët e para në sallë. Por sipas tij, i gjithë procesi ishte i panevojshëm, sepse ai "edhe më parë ka dëshmuar se fajësimet e Serbisë për krime janë të pabaza". Megjithatë, në sallën e mbushur përplot dhe dhjetëra ithtarë të Haradinajt të mbledhur para Gjykatës së Apelit në Colmar menjëherë filluan brohoritje dhe festime.

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është arrestuar në Basel më 4 janar të këtij viti nga autoritetet franceze, sipas kërkesës së Serbisë, e cila e akuzon(te) për krime lufte kundër serbëve dhe të tjerëve gjatë luftës së Kosovës dhe pas saj. Serbia kërkon(te) ekstradimin e Haradinajt në Beograd dhe nxjerrjen para drejtësisë së Serbisë. Por autoritetet e drejtësisë në Colmar konstatuan se nuk ka argumente të mjaftueshme për estradimin e Haradinajt në Serbi.

„Prej sot jam i lirë dhe së shpejti do të kthehem në Kosovë", theksoi Haradinaj, menjëherë pas bërjes publike të vendimit. Pas marrjes së dokumenteve zyrtare, ai doli para shumë bashkëatdhetarëve të tij nga Kosova, por edhe Shqipëria dhe vendet e tjera dhe falënderoi ata për mbështetjen gjatë më shumë se katër muajve, sa ishte në Francë.

Kosovo's former Prime Minister Ramush Haradinaj freigesprochen
Fotografi: Getty Images/AFP/S. Bozon

Ndësa masa e mbledhur u përgjigj me brohoritjet „Ramushi, Ramushi", „UCK, UCK", „Ramushi kryeministër"… Megjithatë shumë prej tyre ishin të mllefosur me "sjelljen e Francës" dhe „mbajtjen e një njeriu të pafajshëm” në Francë. „Nuk e kuptoj pse Franca e ndaloi Haradinajn, kur ai e ka dëshmuar pafajësinë dy herë para Hagës" , tha njëri prej tyre. Ndërsa një tjetër ithtar i Haradinajt mendon se „ky proces është ofendim edhe për Tribunalin e Hagës dhe drejtësinë ndërkombëtare”.

Ramush Haradinaj është përgjigjur dy herë për krime lufte para Tribunalit të Hagës. Herën e parë ka shkuar në Hagë vetëm pak pas marrjes së postit të kryeministrit. Në të dy proceset në Hagë është shpallur i pafajshëm. "Nuk e kuptoj sjelljen e autoriteteve franceze, sepse drejtësia dy herë e ka dëshmuar se akuzat e Serbisë janë plotësisht të pabaza”, ka deklaruar kohë për parë në një intervistë për DW, Ramush Haradinaj.

Para Gjykatës në Colmar dhe rreth godinës ishin vendosur dhjetëra policë të armatosur dhe të përgatitur për ndërhyrje. Por i gjithë procesi kaloi pa asnjë incident. Ndërkohë që të mbledhurit për dy orë me radhë vazhduan të festojnë para godinës së gjykatës dhe rrugëve të Colmarit. Pritet që Ramush Haradinaj të mbërrijë sonte në Prishtinë.