1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Heqja e vizave është e mundur vetëm pas krijimit të bankave të të dhënave

Fabian Schmidt16 Tetor 2008

Jörg Schönbohm, ministër i brendshëm në landin e Brandenburgut dhe kryetar i radhës i konferencës gjermane të ministrave të brendshëm i sapo kthyer nga një vizitë disaditore në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni flet për DW

https://p.dw.com/p/Fb9x
Jörg SchönbohmFotografi: AP

DW: A mendoni se ekziston mundësia e heqjes së vizave për shtetasit e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë?

Schönbohm: Përshtypja ime është se në Maqedoni është arritur më së shumti, sa i përket dokumentave dhe çështjeve që kanë të bëjnë me vizat. Maqedonasit kanë dërguar edhe një sinjal të qartë, me vendimin që shtetasit e vendeve anëtare të BE-së, mund të udhëtojnë në Maqedoni vetëm me letërnjoftime. Ky vendim është futur tani në fuqi. Mirëpo në të gjitha takimet e kam theksuar se vendimet për këtë çështje duhet të merren në BE, ndërkohë që Gjermania do të prezantojë pozicionet e saj. Në nëntor do të paraqiten rezultatet lidhur me gjendjen, ndërsa vitin e ardhshëm Komisioni Evropian do të marrë vendimin. Vendet e rajonit janë në veçanti të interesuara për udhëtimin e lirë të të rinjve. Për Shqipërinë dhe Maqedoninë ky është një prej prioriteteve më të rëndësishme, prandaj edhe duhet të merremi me këtë punë.

DW: A kanë mirëkuptim për këto kërkesa edhe kolegët tuaj, kryeministrat e landeve të tjera gjermane, pra heqjen e vizave për qytetarët e këtyre vendeve?

Schönbohm: Situata ka ndryshuar rrënjësisht. Besoj se ekziston një mirëkuptim i gjerë, por duhet shikuar nëse janë plotësuar kushtet për një vendim të tillë. Ne nuk mund t'i mbingarkojmë qytetarët tanë, prandaj heqja e vizave mund të pasojë vetëm pas përmbushejs së kushteve. Dokumentet duhe të jenë të pastra, duhen pasur pasaporta biometrike, ndërkohë që duhet krijuar edhe një sistem me të dhënat për të gjithë përsonat. Të tri vendet po angazhohen shumë. Maqedonia ka shkuar më së largu, ndërsa problemet më të mëdha janë në Kosovë, ku është krijuar një qeveri e re, e cila duhet të krijojë strukturat e shtetit. Kosova ka një rrugë shumë më të gjatë para vetes deri në arritjen e qëllimit dhe heqjen e vizave.

DW: Përvojat e vendeve në rajon tregojnë se me regjistrat e qytetarëve ka pasur shumë parregullësi. Shqipëria në këtë çështje po punon që prej vitit 1997, por regjistrat ende nuk janë rregulluar në tërësi. Kosova tani ka mundësi që me ndihmën e EULEX-it, këtë çështje ta zgjidhë si duhet. Sa mund të ndikojë misioni i BE - së në heqjen e vizave?

Schönbohm: Ndihma e ekspertëve është e domosdoshme. Maqedonia dhe Shqipëria në masë të madhe i kanë digjitalizuar të dhënat. Në Kosovë së pari duhet të evitohen tendosjet e brendshme, sepse në veri të Mitrovicës, të banuar me shumicë serbe, ka tendosje të mëdha. Tendosje të mëdha ka edhe në raportet me Serbinë. Deri në hartimin e të dhënave për të gjithë personat në Kosovë, duhet edhe një kohë e gjatë.

DW: ... mendoni se më parë heqja e vizave nuk është e mundur?

Schönbohm: Mendoj se nuk është e mundur, sepse heqja e vizave është e mundur vetëm pas krijimit të bankave të të dhënave, ku do të ekzistonte mundësia e informimit për secilin person që do të udhëtojë. Duhet të jemi të sigurt që në mesin e tyre nuk ka edhe njerëz të dënuar. Për shembull në Shqipëri, në të gjitha takimet kemi biseduar edhe për tregtinë me njerëz. BE ka pasur shqetësimet e saj në këtë drejtim, por në të gjitha raportet e fundit të BE -së dhe organizatave të tjera thuhet se tregtia me njerëz ka rënë në përmasa drastike. Me tregtinë e njerëzve ndërlidhen edhe prostitucioni dhe kriminaliteti. Kanë mbetur edhe disa çështje për t'u bërë, por në këtë drejtim janë shënuar rezultate të mëdha."