1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

250811 Stammzellspender

2 Shtator 2011

Banka globale e të dhënave me dhuruesit e qelizave burimore në mbarë botën numëron afro 15 milionë njerëz, 4 milionë syresh janë në Gjermani. Portret i një dhuruesi të këtyre qelizave.

https://p.dw.com/p/12S4o
Fabian Scherle: Njëherë ke bërë diçka të madhërishme...
Fabian Scherle: Njëherë ke bërë diçka të madhërishme...Fotografi: DW

Se a është pikërisht dhuruesi njeriu i përshtatshëm për të sëmurin e leukemisë, kjo nuk varet nga grupi i gjakut, por nga përputhshmëria e tipareve të indeve. Njihen rreth 6 000 syresh, të cilat mund të kombinohen në disa miliona mënyra. Në Gjermani dhuruesit janë regjistruar në regjistra të ndryshëm rajonalë si dhe në atë qendror në Ulm. Njëri prej tyre është Fabiani. "Është ndjenja se edhe në se ke dështuar me gjithçka tjetër në jetë të paktën njëherë ke bërë diçka të madhërishme."

Probabilitet i ulët i gjetjes së indeve me tipareve të njëjta

26 vjeçari thotë se ishte një përvojë e jashtëzakonshme që pikërisht qelizat burimore të tij përputheshin me ato të një pacienti të panjohur nga një shtet tjetër që vuante nga leukemia, pra kanceri i gjakut. Një mundësi për shërimin e sëmundjes vdekjeprurëse ofron transplantimi i qelizave burimore të gjakut, pra qelizave prej të cilave krijohet gjaku. Shumica e tyre gjendet në palcën kockore. Ato mund t'i ndihmojnë një pacienti, vetëm Dr. Johannes Fischer, drejtori mjekësor i Qendrës së Dhurimit të Palcës Kockore në Düsseldorfatëherë kur tiparet e indit janë të njëjta me ato të dhuruesit. Probabiliteti që këto tipare të jenë të njëjta është rreth 25 për qind kur dhuruesi është motër ose vëlla me pacientin. Tek njerëzit që nuk janë të afërm me njëri-tjetrin një përputhje e atillë është si të fitosh në lotari.

Fabian Scherle
Fabian ScherleFotografi: DW


Fabiani këtë e di fare mirë. Gjatë kohës së studimeve ai ka punuar për disa vite në qendrën e dhurimit të palcës kockore në Klinikën Universitare në Düsseldorf. Një nga detyrat e tij ishte të kontaktonte dhuruesit e mundshëm, tiparet e indit të të cilëve përputheshin me ato të një pacienti me leukemi. Bashkimi i dhuruesve me marrësit ishte për të rutinë. Derisa një ditë, pak ditë pasi nuk punonte më në qendrën e dhuruesve, i erdhi telefonata e rëndësishme. Fabiani duhej të dhuronte qeliza burimore për një pacient nga Italia. E kjo nuk ishte më rutinë.

Fabian Scherle: "Për të qenë i sinqertë unë kujtova se kolegu po bënte shaka, sepse e bënte shpesh. Pastaj e pashë vetë në sistem dhe konstatova se vërtet po më kërkonin. Sigurisht që për mua ishte e vetëkuptueshme që do ta bëja. Shkova që atë ditë për të dhuruar gjak për analizat e mëtejshme."

Dhuruesi di vetëm vendin e transportimit të qelizave të tij

Fabiani ishte regjistruar qysh në moshën 19 vjeçare në një bankë të dhënash me dhurues. Kishte dhënë një provë gjaku në mënyrë që të analizoheshin tiparet e indit të tij. Këto të dhëna mjekësore regjistrohen të anonimizuara nëpër qendrat kombëtare dhe ndërkombëtare të transplantimit, të cilat janë të lidhura me njëra-tjetrën në një rrjet global. Dhuruesi mëson vetëm se në cilin vend do të transportohen qelizat e tij, por jo se kush i merr ato, thotë Dr. Johannes Fischer. Ai është drejtori mjekësor i Qendrës së Dhurimit të Palcës Kockore në Düsseldorf. Johannes Fischer: "Në atë moment qëllimi është kurimi i të sëmurit e që atij t'i jepet një shans i dytë, pavarësisht nga ngjyra e lëkurës, përkatësia kombëtare ose fetare. Kjo bëhet në formë të anonimizuar, në mënyrë që sistemi të funksionojë edhe në planin ndërkombëtar."

Dr. Johannes Fischer, drejtor i Qendrës së Dhurimit të Palcës Kockore në Düsseldorf
Dr. Johannes Fischer, drejtor i Qendrës së Dhurimit të Palcës Kockore në DüsseldorfFotografi: DW

Papritur në jetën e Fabianit hyri një i panjohur i madh: një pacient nga Italia, i cili vuante nga leukemia e që për nga tiparet e indit ishte binjak gjenetik me Fabianin. Ekzistonin dy mundësi për dhurimin e qelizave burimore: ose një operacion i shkurtër me narkozë të plotë, ku merret palca e kockës nga eshtrat e legenit, ose e ashtuquajtura "Apherese", që në gjuhën popullore quhet larje gjaku. Dhuruesi aty merr një medikament që e rrit prodhimin e qelizave burimore, në këtë mënyrë një pjesë e qelizave mund të merren direkt nëpërmjet gjakut. Por shpesh probabiliteti i shërimit është më i lartë me metodën e dhurimit të palcës kockore. Prandaj edhe Fabiani zgjodhi këtë metodë.

Një jetë e dytë

Fabian Scherle: "Aspektin mjekësor unë e njihja. I njihja të gjitha rreziqet, por nuk kisha frikë prej tyre, as prej narkozës nuk kisha frikë. Këtë e kisha provuar dy herë më parë. Mendoj se është më e lehtë kur e njeh procedurën." Vetëm një gjë e frikësonte Fabianin: se mos sëmurej në çastin e fundit. Në fundjavën para se të bënte operacionin ai nuk shkoi në festën e ditëlindjes së të motrës, sepse në rrethin e miqve dhe të familjes qarkullonte një virus gripal.

Fabian Scherle: "E dija se po të sëmuresha nga gripi nuk do të më lejonin të dhuroja dhe e kisha të qartë që kjo mund t'i kushtonte jetën pacientit. Kjo është një përgjegjësi e madhe që rrallë e merr në jetë." Kur pacienti merr gjakun e dhuruar, atëherë ai ka një shans të dytë për një jetë të dytë me një sistem të ri imuniteti, thotë Dr. Fischer. "Sistemi i ri imunitetit që krijohet nga qelizat e dhuruara i njeh qelizat e dëmshme dhe i vret. Prandaj edhe nuk duhen marrë qelizat burimore të një binjaku njëqelizor, sepse ai ka të njëjtin sistem burimor." Pacienti përgatitet për të marrë qelizat burimore me anë të një kimioterapie me dozë të lartë, që synon t'ia ulë edhe më tej imunitetin. Në se ai nuk i merr qelizat burimore atëherë trupi i tij dorëzohet kundrejt çdo infeksioni. Kjo është si dënim me vdekje.

Laboratorët e qelizave burimore
Laboratorët e qelizave burimoreFotografi: DW-TV

Operacioni nuk zgjati as edhe një orë. Kur Fabiani u zgjua nga narkoza, korrierët ishin rrugës për në Itali – sepse pacienti duhet ta marrë transplantimin më së voni brenda 48 orësh që nga marrja e qelizave burimore. Ato transportohen në gjak drejtpërsëdrejti nëpërmjet venave. Më pak se 48 orë mbas operacionit edhe Fabiani gjendej në shtëpi të vet. Mbas ndërhyrjes ai kishte dhimbje, por ato ishin të durueshme, thotë ai.

Fabian Scherle: "Tek ashti i legenit, prej nga u mor palca, ndjen një shtypje të fortë, sikur të kesh rënë nga shkallët dhe të jesh vrarë në vithe. Kjo sëmbon edhe ca kohë, por nuk është shumë e fortë."

Vetëm disa ditë zgjati, thotë Fabiani. Madje edhe ndjenja e dobësisë ishte zhdukur shumë shpejt, sepse sidomos tek dhuruesit e rinj dhe sportivë, siç është Fabiani, qelizat e reja burimore krijohen më me shpejtësi. Vetëm disa muaj mbas ndërhyrjes Fabianit i erdhi një lajm i rëndësishëm: është një moment prekës, i shkaktuar nga disa rreshta të shkruar në një zhargon të thatë mjekësor: Pacienti e kaloi mirë transplantimin dhe mund të shërohet nga kanceri!

Lejohet takimi

Dhuruesi dhe marrësi lejohen të njihen me njëri-tjetrin, por vetëm pasi të kenë kaluar dy vjet. Shkak për këtë rregull që vlen në Gjermani, Itali dhe vende të tjera evropiane është edhe fakti, që gjendja e pacientit normalisht stabilizohet vetëm pas këtyre dy vjetëve. Në vende të tjera, si për shembull në Kinë, kontakti mes dhuruesit dhe pacientit është i ndaluar.

Fabiani do të dëshironte ta njihte dikur binjakun e tij gjenetik nga Italia. Por ai preferon që kontakti të vijë nga pacienti dhe familja e tij. "Nuk më duket se shkon po të lajmërohem unë e të them: Hej, më nderoni tani, se unë të kam shpëtuar jetën!" Tekefundit ai bëri atë që është më se e vetëkuptueshme. Dhe pikërisht kjo është përgjigja e mësuesit të ardhshëm të filozofisë ndaj çështjeve që ai i diskuton me nxënësit e tij qysh tani gjatë praktikës: A ka vlera universale etike? Çfarë është e rëndësishme për ne? Çfarë na bën ne njerëz?

Autor: Alexandra Scherle/Anila Shuka

Redaktoi: Lindita Arapi