1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Komisioni për Sirinë: Të dhëna për përdorimin e armëve kimike

Claudia Witte5 Qershor 2013

Komisioni i krijuar nga OKB-ja për Sirinë tërheq vëmendjen për rrezikun e furnizimit me armë të palëve të përfshira në luftën civile në Siri. Hetuesit e OKB-së dyshojnë, se ndërkohë në Siri janë përdorur armë kimike.

https://p.dw.com/p/18jdi
Fotografi: picture-alliance/dpa

Konflikti në Siri gjatë muajve të fundit ka arritur një nivel të ri brutaliteti: Në këtë konkluzion arrin komisioni i pavarur hetimor për Sirinë i krijuar nga Këshili i OKB-së për të Drejtat e Njeriut në raportin aktual. Ky komision qysh nga fillimi i punës në shtator 2011 ka hetuar gjithsej 30 raste masakrash në Siri. 17 raste kanë ndodhur vetëm në periudhën nga janari deri në maj 2013, vë në dukje Paulo Pinheiro, kryetar i komisionit hetimor në Gjenevë: "Para dy vjetësh ne ende nuk mund ta përfytyronim, që lufta civile do të arrinte ndonjehëre në këtë nivel."

Krime nga të dyja palët

Forcat e armatosura të qeverisë siriane dhe milicët aleatë të tyre vrasin, torturojnë dhe përdhunojnë në përmasa të papara ndonjëherë, theksohet në raport. Dëbime të dhunshme, zhdukja me paramendim e të dyshuarve si kundërshtarë dhe të tjera akte çnjerëzore janë ndërkohë në rend të ditës, thuhet në raport. Në raportin e komisionit hetimor bëhet fjalë për sulme sistematike ndaj popullsisë civile.

Por megjithatë jo vetë ithtarët e Baschar al-Assad kryejnë krime lufte, konstatohet në raport. Edhe kryengritësit e armatosur vrasin e torturojnë. Shumë prej këtyre grupimeve kryejnë jo vetëm ekzekutime dhe rrëmbime arbitrarisht, por ato rrezikojnë popullsinë civile, duke operuar shpesh në lagje banimi dhe duke i riskuar kësisoj banorët të vihen në shënjestër të sulmeve të trupave qeveritare.

Krimet e kryera nga trupat e armatosura të rebelëve nuk janë aq masive sa krimet që kryejnë trupat qeveritare, thuhet në raport. Por kjo nuk duhet të çojë në konkluzione të gabuara, tërheq vëmendjen Paulo Pinheiro: "Ndonëse ka një disproporcion mes krimeve të trupave qeveritare dhe atyre të rebelëve, kjo ka të bëjë më shumë me intensitetin e tyre, por jo me llojin e krimit. Krimet janë të njëjta."

UN Konferenz Syrien chemische Waffen Chemiewaffen Genf Paulo Pinheiro
Paulo PinheiroFotografi: picture-alliance/dpa

Armë kimike? Po, por...

Përveç kësaj gjithnjë e më shumë fëmijë involvohen në veprimet luftarake, tërheq vëmendjen komisioni hetimor në raportin e tij. Anëtarja e komisionit Carla de Ponte e vlerëson këtë si një dëshmi tjetër për përshkallëzimin e brutalitetit në konfliktin e Sirisë: "Nuk janë pak ata fëmijë që stërviten për luftë, dërgohen në luftë e vriten atje. Fëmijë të tjerë burgosen dhe torturohen. Fakti, që fëmijët involvohen në këtë mënyrë në konflikt, është i papranueshëm."

Me interes të veçantë u pritën të dhënat e komisionit lidhur me përdorimin eventual të armëve kimike në konfliktin e Sirisë. Këtë pritshmëri e nxiti vet Carla del Ponte me deklaratën e saj në një intervistë në fillim të majit, kur u shpreh për "dyshime konkrete", se grupet rebele në siri kanë përdorur gazin helmues të nervave Sarinë. Tani në emër të komisionit Paulo Pinheiro bëri të qartë, se ajo që mund të thuhet në bazë të stadit aktual të të dhënave është se: "Ka dyshime, që të dyja palët mund të kenë përdorur lëndë luftarake kimike." Rastet më të shumta të hetuara kanë të bëjnë me përdorimin e armëve kimike nga pala qeveritare. "Ka arësye të besojmë, se lëndët luftarake kimike faktikisht janë përdorur në sasi minimale."

Carla del Ponte
Carla del PonteFotografi: Reuters

Diskutimi për armët kimike mund ta shkëpusë vëmendjen nga krimet e tjera

Hetuesit e pavarur druajnë, se diskutimi për armët kimike mund ta shkëpusë vëmendjen nga krimet, që kryhen me armë konvencionale në Siri. E pyetur lidhur me këtë edhe Carla del Ponte ndërkaq shprehet më e rezervuar: "Ne kemi të dhënat e para për përdorimin e lëndëve luftarake kimike. Por ne në hetimet tona nuk kemi mundur të gjejmë dëshmi përfundimtare." Gjetja e dëshmive është detyrë e grupit të ekspertëve të angazhuar nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-Moon. Ky grup ekspertësh është në pritje të lejes nga qeveria e Assadit për të udhëtuar për në Siri në mënyrë që të nisë hetimet.

Ndonëse ka shenja që flasin për përdorimin e kufizuar të armëve kimike në Siri, ekspertët vazhdojnë të hamendësojnë për sasinë minimale të lëndëve të përdorura. Përdorimi i sasive të vogla në aspektin ushtarak është i pakuptimtë, thuhet në këto qarqe. Armët kimike janë të konceptuara si armë të shfarrosjes në masë për përdorim në hapësira të mëdha. Qëkurse presidenti i SHBA-së Barack Obama në gusht 2012 përdorimin e armëve kimike në Siri e quajti si "vija e kuqe", kapërcimi i së cilës do të çonte në angazhimin e intensifikuar ushtarak të SHBA-së, kjo temë ka fituar një dimension të ri. Prova për përdorimin e armëve kimike nga trupat qeveritare do t'u shkonte përshtat rebelëve, të cilët insisitojnë për furnizimet me armë nga Europa dhe SHBA-ja.

Për komisionin hetimor të Këshillit të të Drejtave të njeriut të OKB-së ky do të ishte një skenar horrori. Me këmbëngulje Paulo Pinheiro tërheq vëmendjen për rrezikun e furnizimimit me armë të palëve të konfliktit në Siri: "Eshtë një iluzion të mendosh, se më shumë armë do të ndihmojnë për ekuilibrimin e frocave mes palëve të konfliktit, përkundrazi më shumë armë do të shkaktojnë më shumë të vrarë e të plagosur në radhët e popullisë civile."

Në sfondin e shkeljes së të drejtave të njeriut dhe krimeve të luftës, që kanë kryer të dyja palët në këtë konflikt, furnizimet me armë janë të papërgjegjshme. Në këtë luftë civile nuk ka zgjidhje ushtarake - rrugëdalja duhet të gjendet në tryezën e bisedimeve, thekson Pinheiro. Një konferencë e madhe për Sirinë me të gjithë pjesëmarrësit në Gjenevë mund të shënojë hapin fillestar drejt gjetjes së një rrugëdaljeje.