1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hidhërim dhe zemërim - Gjenden pjesët e avionit të rrëzuar të Air France-s

3 Qershor 2009

Aviacioni brazilian zbuloi në Atlantik vendin e rrëzimit të avionit të Air-France-s, me 228 vetë në bord. Tashmë nuk ka dyshime, që mbetjet janë të Airbus-it të humbur. Në Francë ka edhe zemërim për Air France-n.

https://p.dw.com/p/I2cW
Avioni i Air France-s që është rrëzuar
Avioni i Air France-s që është rrëzuarFotografi: AP

Zbulimi i vendit ku është rrëzuar avioni - vetëm etapa e parë e një nxjerrjeje të vështirë

Anijet e para të shpëtimit nga Brazili pritet të arrijnë sot në vendin ku janë zbuluar mbetjet e avionit. Anijet franceze, të cilat janë të pajisura mirë për kërkime në thellësi të detit po ashtu janë në rrugë e sipër për në vendin e ngjarjes. Zbulimi i shpejtë i vendit ku është rrëzuar avioni është vetëm etapa e parë e një nxjerrjeje të vështirë. Henri Delauze, shef i një firme për nxjerrje në Marseje:

"Kur të gjenden mbetjet e avionit, atëherë duhet të nisin kërkimet nën ujë. Në raste të tilla nevojitet një pozitë me një rreze prej përafërsisht një kilometër. Dhe pastaj fillon kërkimi me një robot apo një nëndetëse".

Ekspertët kanë 30 ditë kohë për të gjetur kutinë e zezë

Ndërkohë që deri në 6.000 metra thellësi uji është sterrë dhe robotët atje duhet të ecin me të prekur, mbi ujë për anijet shpëtimtare në të cilat janë të lidhura litarët e robotëve sundon edhe më tej mot me stuhi. Ekspertët kanë 30 ditë kohë, pastaj kutia e zezë nuk dërgon më sinjale për vendndodhjen. Prandaj eksperti francez për aksidente Jean Serrat mendon se:

"Do të ishte mrekulli nëse arrijmë të gjejmë kutinë e zezë dhe magnetofonin, kjo është e nevojshme patjetër. Unë po e përsëris prapë: është me prioritet kryesor që ne ta kuptojmë se çfarë ka ndodhur. Dhe për ta kuptuar këtë, na nevojitet kutia e zezë. Në mënyrë që një fatkeqësi e tillë të mos ndodhë kurrë më".

Meshë e madhe për viktimat në katedralën Notre Dame në Paris

Të afërm të viktimave të avionit të Air France-s në aeroportin e Rio de Zhaneiros
Të afërm të viktimave të avionit të Air France-s në aeroportin e Rio de ZhaneirosFotografi: AP

Pjesëtarët e familjeve të viktimave janë ende nën përkujdesjen e psikologëve, në një hotel të aeroportit 'Charles de Gaulle'. Përveç kësaj Air France ka një grup të shkolluar prej 4000 bashkëpunëtorëve për raste të tilla, disa prej të cilëve qëndrojnë tërë kohën në detyrë. Sot pasdite (03.06.) mbahet një meshë e madhe në katedralën e Notre Dame në Paris. Në të do të marrin pjesë edhe presidenti i vendit Nicolas Sarkozy dhe kryeministri Francois Fillon.

Kritika në adresë të Air France për përkujdesjen ndaj pjesëtarëve të viktimave

Ndërkohë janë dëgjuar edhe kritikat e para në adresë të kompanisë ajrore Air France për përkujdesjen ndaj pjesëtarëve të viktimave. Në jug të Francës, përshembull, prindëritë e një menaxheri kanë provuar të thërrasin në numrin Hotline të hapur enkas në Paris. Nëna Liliane Paëlak:

"Kemi thirrur tërë ditën. Ata nuk përgjigjen në pyetjet tona, ata nuk dijnë asgjë. Ky është një skandal".

Menaxheri i zhdukur ndodhej në avion bashkë me gruan e tij. Christophe Champaud, kunati i menaxherit tashmë siç duket të vdekur ka nevojë para së gjithash për mbështetje për fëmijët e viktimave, për të cilët ai është përkujdesur gjatë qëndrimit katërditor të prindërve në Rio de Janiero.

"Ne kemi telefonuar vazhdimisht në numrin Hotline për pjesëtarët e familjeve të viktimave. Ata vetëm na kanë ngushëlluar duke na thënë se do të na e kthejnë telefonatënt! Por kjo nuk ka ndodhur deri sot. Asnjë ndihmë, asgjë. Ne donim para së gjithash ndihmë për fëmijët. Ne nuk e dinim se si duhet t'u tregojmë se çfarë ka ndodhur. Përfundimisht ne lutëm një psikologe, të cilën e njihnim dhe ajo na përgatiti për reagimet e mundshme të fëmijëve".

Air France nuk është prononcuar ende për këto akuza. Të dy viktimat bënin pjesë në një grup prej dhjetë personash drejtues të një firme tregtare me shumicë, të cilët ishin shpërblyer nga ndërmarrja për suksesin e treguar në punë.

Autor : Johanes Duchrow /Esat Ahmeti

Redaktoi: Auron Dodi