1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hoeness: Kam abuzuar me shuma më të mëdha nga sa mendohej për taksat

Vilma Filaj-Ballvora (dpa, afp, rtr)10 Mars 2014

Ai ka bërë evazion fiskal në shuma milionëshe, por më pas bëri vetëkallëzim. Por a i ka deklaruar presidenti i klubit të futbollit Bajern i Mynihut të gjitha dhe në kohën e duhur? Për këtë do të vendosë tani gjykata.

https://p.dw.com/p/1BMpt
Fotografi: Reuters

Në Gjykatën e Landit në Mynih nisi procesi për evazion fiskal kundër presidentit të Klubit të Futbollit Bajern i Mynihut, Uli Hoeness. Prokuroria e akuzon menaxherin e futbollit dhe sipërmarrësin e firmës së prodhimit të sallameve HoWe, se nuk ka deklaruar 33 milionë euro duke iu shmangur kështu taksave në vlerën e 3,5 milionë euro. Por akuza ndaj Hoeness përmban më shumë, nga sa është bërë publike deri tani. 62 vjeçari, në bazë të aktakuzës së lexuar tashmë, ka përfituar me patëdrejtë nga taksat edhe 5,5 milionë euro, duke mos deklaruar fitimet nga transaksionet private në bursë.

Burgim ose jo

Prokuroria e akuzon Hoeness, se gjithsej në shtatë raste ka kryer evazion fiskal. Kjo ka të bëjë me deklarimin jo të saktë të fitimeve në periudhën mes viteve 2003 deri në 2009. Sipas akuzës Hoeness ka pasur dy xhirollogari në Zvicër, përmes të cilave kryente transaksione kryesisht në valutë "në shuma të konsiderueshme".

Hoeness prej kohësh konsiderohej si njeri i ndershëm dhe mbante kontakte me njerëz të niveleve më të larta. Çështja është tani, nëse menaxheri i futbollit do të duhet të dënohet me heqje lirie ose jo për avazion fiskal. E hapur mbetet çështja, nëse ai e ka bërë në kohën e duhur dhe në masën e duhur vetëkallëzimin pranë zyrës së financave, në mënyrë që t'i shmanget dënimit. Dënimet e parashikuara për avazion fiskal janë deri në pesë vjet heqje lirie. Për raste të rënda dënimi arrin deri në dhjetë vjet burgim. Menaxheri i futbollit i referohet ligjit, që parashikon faljen e atyre, që kryejnë evazion fiskal, në rast se bëhet vetëkallëzim. Procesi është planifikuar të vazhdojë katër ditë, deri të enjten.