1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hollande kërkon një aleancë kundër terrorit

aud (AFP, dpa)24 Nëntor 2015

Franca do të marrë një rol drejtues në luftën kundër Shtetit Islamik. Presidenti Hollande ka rënë dakord që të zhvillojë këtë javë bisedime me shumë kryetarë shtetesh. Kryeministri britanik siguroi për mbështetjen e tij.

https://p.dw.com/p/1HAv4
Francois Hollande & David Cameron
Fotografi: Getty Images/AFP/S. de Sakutin

Presidenti i Francës, François Hollande kërkon të thurë një aleancë të gjerë kundër milicisë terroriste "Shteti Islamik", e cila mori përgjegjësinë për atentatet e Parisit me 130 të vrarë. Uashingtoni dhe Moska janë në itinerarin e udhëtimit, politikanë të tjerë ndërkombëtarë të rangut të lartë do të vizitojnë Parisin. Që të hënën, Hollande priti kryeministrin britanik David Cameron.

Së bashku, dy burrat e shtetit vizituan sallën e koncertit Bataclan, ku u vranë më 13 nëntor 89 vetë. Në twitter, Cameroni publikoi një fotografi, e cila e tregon atë në vendin e ngjarjes, "sup më sup" me kryetarin e shtetit francez.

Cameroni e siguroi Hollande për mbështetjen e vendit të tij në luftë kundër Shtetit Islamik dhe ritheksoi se edhe aviacioni luftarak britanik do të ndërmarrë sulme ajrore kundër milicisë terroriste në Siri. "Është bindja ime e fortë se Britania e Madhe duhet të bëjë të njëjtën gjë", tha Cameroni në një konferencë të përbashkët shtypi me Hollande. Më tej ai bëri të ditur se do t'ia verë në dispozicion Francës për sulmet ajrore bazën britanike të forcave ajrore në Qipro. "Së bashku ne do ta asgjësojmë këtë kërcënim të keq".

Britania e Madhe planifikon brigada të ndërhyrjes së shpejtë

Në prag të takimit u bë e ditur se Cameroni ka në plan të formojë dy brigada të ndërhyrjes së shpejtë për të intensifikuar luftën kundër terrorizmit. Secila nga brigadat do të ketë 5000 vetë, ato do të ndërmarrin misione në të gjithë botën dhe do të jenë krijuar deri në vitin 2025, bëri të ditur BBC.

Francois Hollande dhe David Cameron para Bataclan
Francois Hollande dhe David Cameron para BataclanFotografi: picture alliance/AP Photo/David_Cameron

Në bazë të Marrëveshjeve të BE, Franca u pati kërkuar javën e kaluar zyrtarisht mbështetje në luftë kundër terrorizmit shteteve të BE. Të mërkurën pastaj, kancelarja Angela Merkel pritet në Paris, ndërsa të dielën atje shkon Presidenti i Kinës, Xi Jingping.

Obama nën kritika për shkak të strategjisë së tij ndaj IS

Më parë, Presidenti francez udhëton të martën për bisedime politike në Uashington me Presidentin e SHBA, Barack Obama. Obama po përballet me kritika të forta në politikën e brendshme, për shkak të strategjisë së tij antiterror. Senatori republikan John McCain kritikoi pas atentateve "politikën e dështuar" dhe dobësinë si udhëheqës të Obamas. Së bashku me kolegun e tij, Lindsey Graham, që kandidon për President të SHBA, McCain kërkoi angazhimin e trupave tokësore. Edhe kandidati tjetër republikan për President, Jeb Bush kërkoi gjithashtu: "Ne duhet t'i forcojmë përpjekjet tona ushtarake në ajër - dhe në tokë."

Por për Obamën, një ndërhyrje në shkallë të gjerë e këmbësorisë edhe më tej nuk është opsion. Kjo sepse ai do edhe t'u shmanget aventurave ushtarake si ato të urdhëruara nga paraardhësi i tij në post, George W. Bush. Obama mbështet para së gjithash sulmet ajrore, njësoj si Rusia, Presidentin e së cilës Hollande do ta takojë të enjten në Moskë.