1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Homofobia në Shqipëri

Arben Muka10 Maj 2014

Aktivistë nga Aleanca Kundër Diskriminimit LGBT dhe Të Bashkuar pro LGBT kanë shpallur prej ditësh një agjendë aktivitetesh me rastin e 17 majit, që njihet dhe si Dita Ndërkombëtare Kundër Homofobisë.

https://p.dw.com/p/1BxTU
Pro LBGT
Fotografi: Pro LBGT

Krahasuar me tre vjet më parë, kur grupime të LBGT-ve (Lesbian, Gay, Bisexual dhe Transgender) në Shqipëri vendosën të zhvillojnë një paradë publik me bicikleta, ndjen një lloj ndryshimi në reagimin e opinionit. Nëse daljet e para të tyre publike u shoqëruan me një valë kundërshtie deri dhe me nota kërcënuese nga grupime dhe segmente sociale, në një furtunë mesazhesh kundërthënëse që merrnin shumë hapësira në mediat qëndrore dhe lokale, aktualisht pragu i 17 majit të këtij viti dukshëm është më pak i zhurmshëm.

Kristi Pinderi, aktivist i LGBT-së shpreh kënaqësi që këtë vit kalendari i veprimtarive do të jetë më i pasur. Veç pedalimit me biçikleta në bulevardin kryesor të Tiranës, si një mesazh kundër homofobisë, do të ketë një shfaqje të një filmi dekomentar titulluar “SkaNdal” dhe do të zhvillohet ceremoniali “Aleati i Vitit”, ku do të prezantohen 12 mbështetës të kauzës kundër diskriminimit dhe konkretisht aktivitetit të komunitetit LGBT. Investimi ynë nuk është vetëm për një ditë, por përpiqemi që të lëvizim gjatë gjithë vitit, thotë Pinderi për DW.

Kristi Pinderi
Aktivistja Xheni KarajFotografi: DW/Arben Muka

“Nga viti 2010 e deri me sot duhet pranuar se ka një ndryshim rrënjësor të legjislacionit dhe kjo duhet përshëndetur, sepse tashmë adresohet komuniteti LBGT si një mundësi kundër diskriminimit, keqtrajtimit fizik dhe psikologjik, gjuhës së urrejtjes, gjuhës kriminale etj”.

Strehëza për të kaluar emergjencën dhe për integrim

Xheni Karaj, një aktiviste tjetër e LGBT-së shton se 17 Maji nuk do të jetë vetëm manifestim, nuk do të ketë vetëm ngjyra kulturore dhe sensibilizuese për opinionin, por do të jetë, sipas saj dhe protestë njëkohësisht kundër diskriminimit dhe problemeve të shumta në rrafshin social, ekonomik etj., me të cilat haset komuniteti. Diçka ka lëvizur, por shumë gjëra duhen ndryshuar konkretisht, thotë ajo për DW.

“Pritmëria jonë kryesore është zgjidhje reale për ndërtimin e strehëzave në ndihmë të anëtarëve të komunitetit që kanë nevojë, për të përballuar problematikën emergjente, si mbrojtje për ata që nxirren nga shtëpia, që janë të rrezikuar jo vetëm ekonomikisht, por dhe nga ushtrimi i dhunës etj. Ne e shikojmë një strehëz si një vend ku kalohet emergjenca, por dhe si apel për strukturat shtetërore, në nivel qëndror dhe lokal, që të mbështesin integrimin e tyre”.

Prof. dr. Edmond Dragoti, shef i departamentit të punës sociale në Universitetin e Tiranës mendon se demonstrimet e komuniteteve në rrezik, siç janë personat LGBT janë të nevojshme dhe gjithë veprimtaritë e tyre publike ndikojnë kështu sadopak në pranimin e statusit të tyre si të barabartë me popullsinë e përgjithshme. Një nga mënyrat më efektive është ekspozimi i shpeshtë në opinionin publik, që ky të familjarizohet me këtë komunitet dhe të pranojë e mirëkuptojë statusin e tyre të batabartë, thotë për DW prof. dr Dragoti.

Të nxitojmë për t'u përshtatur me kulturën perëndimore

“Natyrisht, që kultura jonë shqiptare vazhdon të jetë kolektiviste dhe paragjykuese, autoritariste dhe konservative. Por në kushtet që shoqëria jonë kërkon dhe pret të integrohet në Europën e zhvilluar dhe kulturalisht të kultivuar, do të duhet të nxitojë me mundësinë për t'u përshtatur me kulturën perëndimore dhe të zhvillojë veten me ritmin dhe drejtimin e saj. Mendoj se media duhet ta drejtojë dhe udhëheqë këtë zhvillim”.

Kryeredaktori i të përditshmes ‘Koha Jonë” Agim Nezaj, duke folur për DW shprehet se komuniteti LBGT është pjesë e shoqërive demokratike dhe duhet të jetë një gjë normale. Por Nezaj shton faktin se ende shoqëria shqiptare nuk është e përgatitur si duhet për këtë stad.

“Ne nuk duhet të indinjohemi nga paradat e LBGT-ve. Ato janë zgjedhje e atyre që janë pjesë e këtyre shoqatave dhe grupimeve. Mendoj se duhet të indinjohemi më shumë si shoqëri kur dëgjojmë se vajza të reja shqiptare janë të detyruara të prostituojne në Itali, Greqi, etj., për të siguruar jetesën, apo për ata fëmijë që trafikohen. Ne duhet të shqetësohemi dhe indinjohemi për problemet me të cilat ndeshet shoqëria aktualisht, siç janë krimi, korrupsioni, papunësia, gjendja e vështirë në spitalet tona, etj. Ndërsa, LBGT është dicka që e kanë zgjedhur ata që e ushtrojnë dhe ato shoqata që i mbështesin nëpërmjet fondeve që marrin nga organizmat ndërkombetare.”

Kristi Pinderi, activist i LGBT, kujton faktin se në Shqipëri nuk ekziston asnjë shërbim social për djemtë e dhunuar, qofshin gej ose jo. “Kurse për vajzat e dhunuara ofrohen vetëm pak shërbime. Kjo situatë duhet të ndryshojë. Kujdesi i shoqërisë dhe i autoriteteve duhet parë dhe në kuadër të detyrimeve që ka vendi për procesin e anëtarësimit në BE. Në një nga mbledhjet e fundit të komitetit ndërministror për strategjinë e integrimit është rënë dakort që brenda 6 mujorit të parë të 2014 parlamenti të amendojë Kodin e Familjes në mënyrë që të krijojë mundësinë e njohjes gjinore për çiftet gej që bashkëjetojnë”.

Kristi Pinderi
Aktivisti i LGTB Kristi PinderiFotografi: DW/Arben Muka