1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

HRW kërkon hetime të pavarura për tregëti organesh në Kosovë

8 Shkurt 2011

Organizata për të drejtat e njeriut „Human Rights Watch" kërkon hetim të pavarur për tregëti me organe njerëzore në Kosovë. Hetimet duhet t'i drejtojë një njësi e posaçme, e cila duhet të ketë forcë të mjaftueshme.

https://p.dw.com/p/10CoG
Logo e organizatës

Një nga organizatat më të rëndësishme për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në botë, "Human Rights Watch", apelon që në kuadër të Eulexit të krijohet një njësi e posaçme për hetimin e pohimeve lidhur me rrëmbime dhe tregti ilegale me organe njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri. „Kërkojmë hetime të cilat do të ishin të mbrojtura nga influenca politike, të cilat do të kishin një program për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe të gjithë atyre që sigurojnë ifnormacione. Ky ekip do të duhej të udhëhiqej nga hetues me përvojë, të cilët kanë mundësi dhe të drejta të vijnë deri tek informatat e duhura", pohon për Deutsche Wellen Amanda McRae nga selia e HRW në Nju Jork.

Kjo organizatë humanitare ka bërë të ditur që në vitin 2009 se posedon informacione, të cilat dëshmojnë se "të paktën 400 persona janë dërgur nga Kosova në Shqipëri, ku është humbur çdo gjurmë e tyre". Në atë kohë theksohej se ky rast ka një rëndësi të madhe për shkak se fjala është për krime të cilat do të mund të jenë kryer pas vendosjes së organeve ndërkombëtare në Kosovë. Amanda McRae bën të ditur se deri tani nga Eulexi nuk ka informata për rezultatet e hetimeve, por ajo është e bindur se Eulexi është në gjendje të kryejë këto hetime, nën kushte të caktuara.

„Nëse Eulexi i kryen hetimet, atëherë duhet të krijohet një njësi e posaçme për këtë. Mendojmë se më së miri do të ishte në qoftë se ajo vendoset jashtë Kosovës. Kjo njësi duhet të sigurojë në radhë të parë mbrojtjen e plotë të dëshmitarëve dhe të bëjë marrëveshje me vendet tjera për vendosjen atje të personave që kanë nevojë për mbrojtje, deri në përfundimin e procesit. Në krye të kësaj njësie duhet të jetë një person me pozitë të partë", pohon përfaqësuesja e HRW.

Ajo bën të ditur se për të siguruar një hetim sa më të suksesshëm, përfaqësuesit e kësaj organizate janë duke biseduar me përfaqësues të vendeve me ndikim të madh si Gjermania, Franca, Britania e Madhe si dhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në Bruksel. Rezultate konkrete deri tani nuk ka por ka persona të cilët do të mund të ishin në këtë ekip, thotë Amanda McRae.

„Presim që tani në veçanti brenda Eulexit të punohet në këtë çështje dhe të krijohet një njësi brenda këtij misioni për të hetuar çështjen. Hetimet duhet të fillojnë sa më parë, sepse akuzat janë jashtëzakonisht serioze. Njerëzit kaherë janë duke pritur përgjigje dhe shpresoj që Eulexi do ta kuptojë seriozisht këtë punë", thotë ajo.

Autor: Marina Maksimoviq/ Bahri Cani

Redaktoi: Aida Cama