1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hungari: lamtumirë shtet juridik!

12 Mars 2013

Megjithë protestat masive në vend dhe jashtë vendit, Hungaria i ka miratuar ndryshimet kushtetuese. Gjykatës kushtetuese i është marrë pushteti. Ajo ishte institucioni i fundit që i kundërvihej qeverisë.

https://p.dw.com/p/17vSr
Protesta kunder kushtetutes se re ne Hungari
Protesta kunder kushtetutes se re ne HungariFotografi: Reuters

Demonstrata dhe protesta të opozitës demokratike, kritika nga vendi dhe jashtë vendit, në fund edhe një apel personal i komisionerit të BE-së, Jose Manuel Barroso i dërguar kryeministrit Viktor Orbán. Presioni ndaj pushtetmbajtësve në Hungari ishte i madh, por në fund nuk dha kurfarë rezultatesh. Me dy të tretat e votave të deputetëve u votuan në parlament ndryshimet kushtetuese. Partia në pushtet Fidesz ka kumtuar se ajo nuk do të lejojë që dikush nga jashtë të përcaktojë se çfarë do të ndodhë në Hungari.

Ishte ky ndryshimi i katërt dhe më i madhi i Kushtetutës, brenda një viti. Ndërkohë që vet Kushtetuta kontestuese është futur në fuqi në vitin 2012. Opozita demokratike dhe ekspertët e quajnë këtë novelë si goditje të rëndë ndaj të drejtave demokratike të shtetit juridik. Ish-presidenti i Hungarisë László Sólyom, flet për "fundin e ndarjes së pushtetit", në Hungari.

Orbán forcon pushtetin

Me këto ndryshime, Gjykata Kushtetuese ka humbur kompetenca të tjera. Gjykata në të ardhmen mund të jap vetëm vlerësime formale juridike dhe nuk mund të përcaktohet ndaj përmbajtjes së ligjeve apo rregullave. Pra nuk mund të ketë ndonjë vlerësim nëse me ndonjë dokument janë shkelur të drejtat elementare. Në këtë mënyrë do të jetë shumë i vështirë kontrolli i pushtetmbajtësve në vend.

Gjykatësit kushtetues kanë humbur të drejtën t'i referohen edhe vendimeve që janë marrë më parë, sipas kushtetutës që është futur në fuqi në janar të vitit 2012. Me ndryshimet më të reja parashikohet për shembull që të pastrehët nuk mund të dalin dhe të rrinë në rrugë. Parashikohet ndalimi i reklamimit gjatë fushatave zgjedhore tek mediat private, përcaktohen rregulla për gjykime në gjykata, mbështetjen e bashkësive fetare nga mjetet e shtetit etj.

Në të ardhmen mund të kufizohet edhe liria e mendimit nëse "preket vlerat e kombit hungarez". Studentët do të detyrohen që pas përfundimit të studimeve të mbeten një kohë të caktuar në Hungari. Ndryshe duhet të paguajnë taksa për kohën e studimeve.

Viktor Orban - shtet sipas shijeve të tij
Viktor Orban - shtet sipas shijeve të tijFotografi: Getty Images

Gjykatësi i Gjykatës Kushtetuese György Kolláth i quan këto ndryshime "si hakmarrje juridike" dhe flet për "reflektime bolshevike" të Orbanit dhe partisë së tij Fidesz. Gjykata Kushtetuese ishte institucioni i fundit i cili i është kundërvënë kohë pas kohe vullnetit të Orbanit - kur janë shkelur rregullat e shtetit juridik.

Disiplinimi dhe heqja e pushtetit për Gjykatën Kushtetuese ka filluar në fakt me fitoren e Orbánit në vitin 2010, kur janë bërë shumë ndryshime të rregullave zgjedhore. Orbáni ka bërë edhe ndryshimet e gjykatësve të kësaj gjykate.

Fillimi i sistemit autoritar?

Kritikat e opozitës demokratike kanë arritur një pikë të re kulmore. Lidhja e partive opozitare "Ardhmëria 2014" flet për një "sjellje amok" të partive në pushtet kundër rregullit kushtetues. Andras Schiffer, shefi i alternativës ekologjiste "Politika mund të bëhet edhe ndryshe" (LMP), flet për fillimin e një "sistemi autoritar". Edhe gjykatësi kushtetues Gabor Halmai flet për "kundërgoditjen e imperisë". "Me këto ndryshime është eliminuar edhe pengesa e fundit serioze për qeverinë në ushtrimin e pushtetit të saj. Gjykata Kushtetuese nuk ka më kurfarë pushteti për të kontrolluar kushtetueshmërinë në Hungari", pohon ai.

Autor: Keno Verseck/ Bahri Cani

Redaktoi: Auron Dodi