1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lakhdar Brahimi jep dorëheqjen

Sabine Muscot/Auron Dodi14 Maj 2014

Suksesin e madh në konfliktin e Sirisë ai nuk e arriti: dorëheqja e të Ngarkuarit të Posaçëm të OKB-së, Lakhdar Brahimi hedh dritë mbi gjendjen e ndërlikuar në Sirinë e luftës civile.

https://p.dw.com/p/1BzXX
Lakhdar BrahimiFotografi: picture-alliance/dpa

Kryediplomati për Sirinë pati menduar prej kohësh që të jepte dorëheqjen, tani është zyrtare: Lakhdar Brahimi, i Ngarkuari i Posaçëm i OKB-së dhe i Ligës Arabe do të dorëzojë në fund të muajit mandatin e tij.

"Ai e pa veten përballë një detyre thuajse të pazgjidhshme", tha sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon në New York. "Ai rezistoi, me durim dhe me aftësi të mëdha, sepse ai e di që pa përpjekjen për të ndërtuar një Siri të re, populli i Sirisë do të jetë i dënuar të përjetojë vuajtje të tjera."

Realiteti i trishtueshëm: tri vjet pas fillimit të kryengritjes kundër regjimit të Bashar al Assadit nuk duket ndonjë rrugëzgjidhje nga konflikti ku deri tani janë vrarë më shumë se 150.000 vetë dhe janë dëbuar rreth nëntë milionë të tjerë. Dhe në bazë të të dhënave të reja të qeverisë franceze, regjimi i Assadit mendohet se që prej tetorit 2014 ka përdorur në 14 raste armë kimike kundër popullit të tij.

Syrien Kämpfer
Nga luftimet në SiriFotografi: Tamer Al-Halabi/AFP/Getty Images

Gjithmonë e më keq

Brahimi nuk ka pasur shumë opsione, mendon Anthony Cordesman, ekspert për Lindjen e Afërt në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington. Gjithsesi ai kontribuoi herë pas here që të zbutet katastrofa humanitare për popullatën civile. Por një sukses i vërtetë në negociata asnjëherë nuk është dukur i afërt.

"Situata duket e tillë, sikur në këtë moment nuk mund të arrinte askush suksese, as një rezultat politik, as stabilizim të gjendjes humanitare", i tha Cordesmann Deutsche Welles. "Kemi të bëjmë me një tragjedi, që konsiston në faktin se kjo luftë po bëhet gjithnjë e më e keqe dhe se askush nuk ka më pushtet për ta penguar."

Ish-ndërmjetësi për Afganistanin, Brahimi është tashmë diplomati i dytë i lartë që u angazhua pa sukses për zgjidhjen e situatës në Siri. Detyrën ai e pati marrë në shtator 2012 nga ish-sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan, i cili hoqi dorë atëherë i dekurajuar.

Algjeriani 80 vjeçar Brahimi u përpoq në dy raunde negociatash në Gjenevë për një zgjidhje diplomatike mes Assadit dhe kundërshtarëve të tij. Por më e vonta që kur pushtetmbajtësi sirian shpalli në prill zgjedhje për 3 qershorin, të cilat do të synojnë çimentimin e pushtetit të tij, shpresat për të arritur sukses u pakësuan edhe më tej.

Në Nju Jork ka nisur kërkimi për pasardhësin e Brahimit. Në të ardhmen e afërt, në konfliktin e Sirisë do të ketë rëndësi menaxhimi i krizës së përditshme, jo një hap i madh diplomatik.