1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Opel Fiat

Gregor Hoppe/Auron Dodi5 Maj 2009

A mund të shpëtohet Opeli me anë të një fuzionimi me FIAT-in dhe Krajslerin? Plani ambicioz i shefit të FIAT-it, Markione (Marchionne) është pritur me skepticizëm nga Opeli. Por italiani të paktën duhet dëgjuar.

https://p.dw.com/p/Hjzz
Shefi i FIAT-it, Markione (Marchionne)
"Misioni Markione në Berlin" shoqërohet në Itali me një krenari të pafshehurFotografi: AP

Debatet për angazhimin e FIAT-it te Opeli nuk mund të ishin më kundërthënëse: në Itali "misioni Markione në Berlin" festohet me një krenari të pafshehur: pas Krajslerit (Chrysler), tani edhe një koncern gjerman automobilësh po mendon që të marrë ndihmë nga Torinoja. Nga ana tjetër te sindikatat dhe te shumë përfaqësues politikë në Gjermani ekziston një mosbesim i hapur ndaj një sipërmarrjeje, e cila supozohet se është e interesuar vetëm që të përfitojë ndihmat shtetërore nga Berlini. Të dyja qëndrimet janë të shpjegueshme, por ama të dyja janë të ngarkuara fort emocionalisht.

Paniku është një refleks i kohëve të vjetra

Sado e kuptueshme që është frika e opelanëve, që në të ardhmen do të jenë të varur në vend të Detroitit nga Torinoja, ajo që ka për të ofruar bosi i FIAT-it, Markione, megjithatë duhet dëgjuar. Sepse një gjë është e qartë, në krye të fushatës elektorale në Gjermani: një qeveri e përbërë nga dy partitë më të mëdha do ta mendojë me shumë kujdes, se çfarë lëshimesh do t'i bëjë një investuesi të huaj. Që paniku plas, pa i lënë kohë FIAT-it të paraqesë planet e tij, nuk është vetëm se një refleks i vjetër, i kohëve të vjetra, kur prodhimet cilësore gjermane konsideroheshin të pakonkurueshme prej një sipërmarrjeje si FIAT-i. Gjermanët talleshin duke e deshifruar shkurtimin FIAT në "Fehler In Allen Teilen - defekte në të gjitha pjesët".

FIAT-i vërtet ka borxhe, por edhe i ka kapërcyer kohët e tij më të vështira

Këto kohë kanë kaluar. Opeli ndodhet para falimentimit dhe kërkon një shpëtimtar. Markione ishte ai që e ktheu FIAT-in në rrugën e suksesit. FIAT-i ka borxhe, kjo është e sigurtë, por FIAT-i i ka kapërcyer edhe kohët e tij më të vështira. Dhe shefi i FIAT-it, Serxho Markione, ka ide që i bindin mjaft të tjerët. Presidenti i SHBA-së, Barak Obama të paktën i quajti planet e FIAT-it për t'u angazhuar te Krajsleri si shumë të vlefshme për t'u shqyrtuar. Dhe një shumicë te Krajsleri (Chrysler), FIAT-i mund ta fitojë vetëm atëherë kur të jenë shlyer të gjitha ndihmat shtetërore të SHBA. Klauzola të ngjashme do të mendohen me siguri edhe për palën gjermane, po të bihet dakord për marrëveshjen, dhe po të përdoren vërtet para publike.


FIAT-i nuk është i vetmi konkurues ndër ata që ofrojnë për Opelin. Por ai është prodhuesi i pestë i automobilëve në Evropë, i cili e ka kapërcyer krizën e tij më të keqe - kryesisht me forcat e veta. Është e mundur që menaxherët e FIAT-it të kenë aktualisht disa ide të mira për fabrikat e automobilëve. Kjo të paktën është e mjaftueshme, që këto ide të dëgjohen pa paragjykime.