1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Incidentet në veri të Mitrovicës pengojnë përpjekjet për normalizim

Ajete Beqiraj25 Shkurt 2013

Vetëm në tri javët e fundit në veri të Mitrovicës kanë ndodhur 22 shpërthime. Më problematike është pjesa e banuar me popullatë të përzier.

https://p.dw.com/p/17lUQ
Wer hat das Bild gemacht?: Annette Streicher Wann wurde das Bild gemacht?: 1.2.2013 Wo wurde das Bild aufgenommen?: Mitrovica, Kosovo Bildbeschreibung: blockierte Brücke in der geteilten Stadt Mitrovica
Fotografi: DW / Annette Streicher

E përditshmja për Ahmet Prishtinën, shqiptar që banon në Lagjen e Boshnjakëve në pjesën veriore të Mitrovicës, është plot tension e pasiguri. Megjithatë ai është i detyruar të jetojë në rrethana të tilla, sepse këtu ka shtëpinë e tij: “Jetojmë në një situatë e rëndë me një pasiguri të madhe. Granata dhe bomba hidhen çdo dy - tri ditë dhe kanë detonime aq të fuqishme, saqë dridhen xhamat e shtëpisë. Ndaj, frika është prezente në çdo hap“, thotë Ahmeti.

Incidentet e kohëpaskohsme në veri të Mitrovicës e bëjnë situatën të paqëndrueshme dhe të pasigurtë. Behxhet Bala, drejtor i komisionit për mbrojtjen dhe shpëtimin në komunen e Mitrovicës, thotë se ky është moment kritik pasi po bisedohet për shpërbërjen e strukturave paralele si dhe shmangien e elementëve kriminalë në veri, që tentojnë të krijojnë probleme dhe të shkaktojnë panik në masë. Por sidoqoftë mund të thuhet se situata është nën kontrollin e forcave të EULEX-it, KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës, ndonëse me një mundësi më të kufizuar veprimi. „Më problematike është pjesa e banuar me popullatë të përzier. Ndërsa, cak i sulmeve janë shqiptarët dhe qytetarët joserbë, të cilët punojnë me institucionet e Kosovës“, thotë për DW-në drejtori Bala. Ai vlerëson faktin, që qytetarët duke mos rënë pre e provokimeve po kontribuojnë në ruajtjen e stabilitetit.

Sitzung des Ausschusses für Sicherheit in der Gemeinde Mitrovica "Spannungen in Nord Mitrovica" *** Bilder von Ajete Beqiraj, Deutsche Welle 2012 & 2013
Mbledhje e këshillit të sigurisë në komunën e MitrovicësFotografi: DW/A. Beqiraj

Cak i sulmeve edhe stafi i Zyrës Administrative për veriun

Halit Barani, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut - Zyra Rajonale në Mitrovicë, thotë se shpërthimet e vazhdueshme rrezikojnë vazhdimisht jetën e qytetarëve. “Popullata shqiptare dhe ajo ajo joserbe, që jeton këtu është në një gjëndje pothuajse të ngjashme si në kohën e luftës. Sepse, vetëm gjatë dy-tri javëve kanë ndodhur 22 shpërthime, më i fundit prej të cilëve të këtë të dielë."

Zyra Administrative në veri, është hapi i parë drejt themelimit të komunës veriore të Mitrovicës në procesit të decentralizimit mbi bazën e Planit Ahtisari. Ky është institucioni i vetëm i Republikës së Kosovës, i cili funksionon në veri dhe është hapur me qëllim të ofrimit të shërbimeve qytetarëve në këtë zonë. Por, në veri të Kosovës, ku nuk është shtrirë sundimi i ligjit dhe ku siguria është problem për të gjithë banorët, puna në këtë zyrë për stafin punonjës është një sfidë e vërtetë, thotë për DW-në Adriana Hoxhiq, shefe e kësaj zyre: “Sigurisht ju jeni në dijeni për të gjitha sulmet me granata dore, të cilat pothuaj përditë hidhen në tërë Mitrovicën veriore dhe cak i këtyre sulmeve kanë qenë edhe punonjës të stafit të Zyrës Administrative. Kjo është një gjendje e papërballueshme, që nxit tensione dhe një atmosferë e rëndë. Por, stafi ynë është i vetëdijshëm, se është këtu për t'u ofruar shërbime bashkëqytetarëve të tyre. Ne nuk dorëzohemi nga misioni ynë, sepse jemi të bindur se nuk po bëjmë asgjë të keqe, se nuk po rrezikojmë askënd dhe se me aktivitetet tona vetëm e përmirësojmë cilësinë e jetës së qytetarëve. Ndaj, sinqerisht shpresoj se institucionet përgjegjëse të sigurisë do të dalin me një strategji, e cila do ta zgjidhë problemin e sigurisë”.

Adriana Hodzic, Leiterin der Geschäftsstelle der Republik Kosovo im Norden von Mitrovica "Spannungen in Nord Mitrovica" *** Bilder von Ajete Beqiraj, Deutsche Welle 2012 & 2013
Adriana Hoxhiq, drejtore e Zyrës AdministrativeFotografi: DW/A. Beqiraj

Të premten e kaluar(22.02.2013), në Rudarë të Zvecanit, ku për kohë të gjatë qëndroi barrikada kryesore, serbët protestues në veriun e Kosovës ndaluan disa automjete të EULEX-it, që ishin nisur drejt pikës kufitare të Jarinjës. Kësisoj u bë i pamundur transportimi i doganierëve të Kosovës për në këtë pikë kufitare.