1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Indinjatë për dramën e refugjatëve në Lampedusa

dw/dpa, rtr, afp4 Tetor 2013

Pas fatkeqësisë detare para brigjeve të ishullit italian Lampedusa, tronditja është e thellë. Më shumë se 130 vetë u mbytën pasi anija e tyre u përfshi nga flakët. Jo vetëm Italia flet për tragjedi.

https://p.dw.com/p/19td6
Fotografi: picture alliance/ZUMAPRESS

Në një nga dramat më të rënda të refugjatëve të viteve të fundit, u mbytën të paktën 133 vetë. Sipas një bilanci të përkohshëm arritën të shpëtoheshin rreth 150 refugjatë. Rreth 220 persona të tjerë janë ende të humbur. Për këtë arsye numri i viktimave të fatkeqësisë mund të rritet deri në 300 vetë.

Në portin e ishullit thasët me trupat pa jetë janë stivë. Një zëdhënës i rojes bregdetare italiane, tha të enjten (3.10.) se shpresa për të gjetur të mbijetuar tashmë është e vogël. Njerëzit gjendeshin që nga orët e para të mëngjesit në ujë. Ndër viktimat sipas të dhënave të autoriteteve ishin edhe tre fëmijë dhe dy gra shtatzëna. "Është e tmerrshme, nuk pushojnë se sjelli kufoma të tjera", tha e mbytur në lotë kryebashkiakja e Lampedusës, Giusi Nicolini, për agjencinë italiane të lajmeve Ansa.

Drama e refugjatëve në Lampedusa - forcat e shpëtimit nxjerrin vazhdimisht trupa pa jetë nga deti
Drama e refugjatëve në Lampedusa - forcat e shpëtimit nxjerrin vazhdimisht trupa pa jetë nga detiFotografi: picture-alliance/dpa

Ministri i Brendshëm Alfano flet për tragjedi evropiane

Fillimisht kishte ndalur motorri i anijes së refugjatëve dhe në të ishte futur ujë, përshkroi ministri i Brendshëm italian Angelino Alfano ngjarjet në bordin e anijes. Pas kësaj pasagjerët kishin ndezur një pëlhurë për të kërkuar ndihmë. Kjo ka shkaktuar shpërthimin e zjarrit. Të gjithë njerëzit kanë kërkuar shpëtim në një anë të anijes, e cila për këtë arsye është batuar dhe më pas fundosur.

Kryeministri italian Enrico Letta shpalli këtë të premte (04.10.) ditë zie kombëtare. Ai foli për "një tragjedi me përmasa gjigante". Ministri i Brendshëm Alfano tha: "Kjo nuk është një dramë italiane, është një dramë evropiane." Lampedusa duhet të shihet si kufi evropian dhe jo si kufi italian.

BE do të veprojë më ashpër kundër kontrabandistëve

Fatkeqësia shkaktoi tronditje dhe indinjatë të thellë përtej Italisë. Papa Françesku, i cili në korrik pati kritikuar indiferencën ndaj refugjatëve, tha në Vatikan se humbja sërish e jetëve të njerëzve në një fatkeqësi të tillë mund të quhet vetëm "turp" për botën. "Ne duhet të bashkohemi që këto tragjedi të marrin fund", tha Papa.

Papa Françesku - Tragjedia e refugjatëve turp për botën
Papa Françesku - Tragjedia e refugjatëve turp për botënFotografi: Reuters

Edhe komisionerja e BE-së për sigurinë Cecilia Malmström reagoi e indinjuar dhe i bëri thirrje shteteve anëtare "të dyfishojnë përpjekjet në luftën kundër kontrabandistëve që shfrytëzojnë gjendjen e pashpresë të njerëzve". Veç kësaj duhet thelluar dialogu me vendet nga vijnë refugjatët dhe nga ku ata kalojnë.

I ngarkuari i OKB-së për refugjatët António Guterres deklaroi se ishte "i tronditur" nga numri në rritje i refugjatëve që humbasin jetën në det. Për shkak të motit të mirë, aktualisht shumë njerëz nga Afrika përpiqen të arrijnë me varka brigjet e Evropës. Që prej fillimit të vitit në Itali janë rregjistruar më shumë se 22.000 mijë refugjatë me varka, tri herë më shumë se gjatë gjithë vitit 2012.