1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Indonezia ka probleme të mëdha me sigurinë ajrore

Gabriel Dominguez30 Dhjetor 2014

Rrëzimi i avionit të shoqërisë ajore indoneziane AirAsia hedh dritë të keqe në sektorin e aviacionit të këtij vendi. Kjo nuk është hera e parë - shpjegon eksperti për sigurinë ajore Chris Yates.

https://p.dw.com/p/1ECAD
Fotografi: picture-alliance/dpa/F. Ismail

Që prej themelimit të në vitin 2001 kompania ajrore AirAsia nuk ka pasur incidente serioze. AirAsia përdor vetëm avionë Airbus A320 dhe dominon një segment të tregut aziatik. Por aksidenti i tanishëm sjell sërish në rend të ditës dyshimet për gjendjen e sigurisë në hapësirën ajrore të Indonezisë.

Vetëm gjatë këtij viti aty ka pasur nëntë incidente, për fat të mirë pa pasoja fatale. Aksidenti më i rëndë i viteve të fundit ndodhi në vitin 2007 kur u rrëzua një avion Boeing 737 i kompanisë AdamAir, 85 në perëndim të Pambauangut. Të 102 pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit gjetën vdekjen.

Shkaku i rrëzimit moti i keq

Megjithatë Chris Yates, ekspert i pavarur për sigurinë ajore, mendon se shkaku i rrëzimit të avionit të kompanisë ajrore AirAsia lidhet me motin e keq. "Për shkak të shiut dhe stuhive me erëra të forta dhe rrëke shiu në një lartësi prej rreth 15.200 metra, piloti kishte kërkuar të ndryshonte kursin dhe donte të ngjitej më lart. Për shkak të situatës së trafikut atij nuk iu dha leja për këtë. Sipas mendimit tim, moti është shkaku i vetëm i këtij aksidenti." - tha për DW Chris Yates.

AirAsia Airbus 320-200 vermisst 29.12.2014
Fotografi: Reuters(Antara Foto/E. Ireng

Por sipas tij shoqëritë indoneziane të fluturimit kanë probleme të mëdha me sigurinë që lidhen me mangësitë në mirëmbajtje dhe remont, shkollimin e pamjaftueshëm të pilotëve apo kontrollin e mangët të trafikut ajror. Gjithësesi sipas tij përgjigja përfundimtare pas kësaj tragjedie mund të jepet vetëm pas gjetjes së black box-it dhe pjesëve të avionit dhe hetimit përfundimtar të fatkeqësisë.

Probleme me sistemin e kontrollit ajror

Zhdukja misterioze e avionit të Malaysia Airlines MH370 në mars 2014 ka ngritur për diskutim një numër çështjesh, sidomos në lidhje me ndjekjen e intinerarit tën fluturimit. Në këtë kuadër u bë e qartë se sistemi digjital i kontrollit ACARS (Aircraft Communications Addressing and Reporting System), i cili përdoret që nga vitet 70-të në të gjithë botën për komunikimin mes aeroplanëve civilë dhe stacioneve tokësore, nuk është më i përshtatshëm për këtë qëllim.

Qëllimi tani është për të gjetur një zgjidhje alternative, me të cilën të jetë e mundur që në rast aksidenti të dhënat të transferohen direkt tek stacioni më i afërt tokësor dhe tek kontrollorët e trafikut ajror.