1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Indonezia para ndërtimit të centraleve atomike

Claudia Sarre 30 Nëntor 2007

Azia Juglindore me popullsi prej 500 milionë banorësh ka nevojë të jashtëzakonshme për energji. Për shkak të ritmeve të larta të zhvillimit të ekonomisë shumë shtete të rajonit planifikojnë ngritjen e centraleve atomike.

https://p.dw.com/p/CV6g
Protesta kundër ndërtimit të centraleve atokime në Xhakarta, 5 qershor 2004
Protesta kundër ndërtimit të centraleve atokime në Xhakarta, 5 qershor 2004Fotografi: AP

Ndër ta bën pjesë edhe Indonezia. Centralet atomike nuk sigurojnë vetëm energji elektrike, por janë edhe më ekologjikë. Megjithatë në Indonezi ka disa shoqata ekologjike dhe grupime politike, të cilat janë kundër planeve atomike.

Indonezia ka rreth 240 milionë banorë, rreth gjysma e tyre jeton në ishullin kryesor të vendit, Java. Indonezia është mjaft e prekur prej ndryshimeve të klimës: thatësirat ekstreme të periudhës së thatë të vitit shkaktojnë kriza urie, ndërkohë që gjatë periudhës së monsunit përmbytjet bëhen nga viti në vit më të forta. E megjithatë në Indonezi nuk shtohet vetëm numri i popullsisë, por edhe ritmet e zhvillimit ekonomik dhe bashkë me to edhe nevojat për energji elektrike, që shënojnë çdo vit një rritje prej 10%. Për të mbuluar këto nevoja Indonezia ka në një të ardhme jo të largët nevojë për centrale atomike, thotë Budi Sudarsono, një prej ekspertëve më në zë për energjinë bërthamore në Indonezi.

"Indonezia ka nevojë për energji, rrymë elektrike! Për momentin në shumë rajone nuk ka gjithë ditën rrymë. Rryma elektrike e prodhuar prej centraleve atomike është ekonomike. Në Indonezi vërtet ka rezerva qymyrguri, p.sh. në Sumatra apo Kalimantan, por në ishullin kryesor të vendit, Java, kemi kërkesën më të madhe për energji dhe shumë shpejt do të kemi probleme, sepse transporti me anije i qymyrit për në ishullin e Javës është i vështirë dhe mjaft i shtrenjtë. Përveç kësaj termocenralet që përdorin qymyr ndosin ambientin."

Disa shoqata ekologjike dhe grupime politike janë kundër ndërtimit të centralëve atomikë. Ata sjellin si argument çështjen e sigurisë së centraleve atomike. Pjesë të tëra të Indinezisë ndodhen në të ashtuquajturin brez i zjarrtë i Oqeanit Paqësor, një zonë me aktivitet të madh tektonik, pra ku tërmetet janë mjaft të zakonshme. Budi Sudarsono mendon që argument nuk është i vlefshëm:

"Japonia është edhe më e prekur prej tërmeteve se Indonezia dhe në Japoni ka pesë centrale atomike. Zona me aktivitet të madh tektonik në Indonezi gjendet në jug të Sumatrës dhe të Javës, pra bregu verior i Javës është relativisht i sigurt prej tërmeteve. Në këtë vend s'duhet të ketë probleme."