Insektet shijojnë!
A janë insektet burimi ideal i ushqimit të vazhdueshëm në të ardhmen? Shumë studiues mendojnë se po, pasi insektet përmbajnë shumë proteina dhe mund të prodhohen me pak shpenzime në sasi të mëdha.
Ju bëftë mirë!
Insektet mund të jenë shumë të shijshme. Përse pra nuk hamë më shumë? Arsye për t'i konsumuar ka plot: ato kultivohen më lehtë, duan shumë më pak ushqim se lopët, delet apo derrat, nuk kanë nevojë për kullota, shtohen shumë shpejt dhe nuk shkaktojnë thuajse fare gazra të efektit serrë.
Të shijshëm dhe të shëndetshëm
Akrepa, brumbuj, karkaleca fushe në hell apo të pjekur, si shoqërues me një gotë birrë - në Azi këto janë ushqime të zgjedhura. Dhe madje një ushqim i shëndetshëm: insektet, para së gjithash larvat, janë një bombë energjie dhe kalorish. 100 gramë termite kanë p.sh. 610 kalori, më shumë se çokollata! Dhe jo vetëm kaq: ato përmbajnë 38 gramë proteina dhe 46 gramë yndyrë.
Bomba vitaminash
Insektet përmbajnë shumë yndyrna të pangopura, shumë hekur, minerale dhe vitamina, thotë Organizata Botërore e Ushqimit, FAO. Ajo synon t'i bëjë popullore kudo në botë recetat e gatimit për insekte.
Të shijshme!
Në shumë vende insektet prej kohësh konsumohen me kënaqësi, para së gjithash në Azi, Afrikë dhe Amerikë Latine. Krimba si ky në foto janë p.sh. një ushqim i zgjedhur në jug të Afrikës. Ato hahen të zjerë, të pjekur apo në skarë.
Merimanga në tenxhere
Në Evropë dhe Amerikë buburrecat, larvat, karkalecat e fushës dhe insekte të tjera shihen me neveri. Përfytyrimi i ngrënies së merimangave si kjo në foto, që janë shumë të preferuara në Kamboxhia, tek pjesa më e madhe e njerëzve në Evropë dhe Amerikë shkakton indinjatë të fortë. Përse vallë?
À la carte
Edhe në kuzhinën e rafinuar ndërkombëtare serviren insekte. Në restorante meksikane krimbat me guakamole (krem avokadoje) janë shumë të preferuar. Madje edhe në Gjermani po hapen restorantet e parë që ofrojnë gatime me karkaleca fushe, krimba mielli etj. Por vetëm për më të guximshmit.
Në respekt të ambjentit
Në gjithë botën ka rreth 1000 lloje insektesh të ngrënshme. Nër to bëjnë pjesë edhe bletët. Insektet janë një burim afatgjatë ushqimi, i shëndetshëm, plot proteina dhe vitamina, dhe në pjesën më të madhe me shije të mirë. Njerëzit vetëm duhet të mësohen, thotë FAO.
Krimbat e miellit
Në 2012 shkencëtarët studiuan nga pikëpamja ekologjike prodhimin e krimbave të miellit në një fermë insektesh në Holandë. Rezultati: për prodhimin e një kilogram proteine të ngrënshme, fermat e krimbave të miellit kanë nevojë për më pak energji dhe para së gjithash shumë më pak sipërfaqe se fermat e blegtorisë klasike.
Ushqim i rafinuar: brumbulli i majit
Edhe në Gjermani më parë insektet konsumoheshin mjaft. Deri në mes të shekullit të 20-të supa me brumbuj maji ishte shumë e preferuar. Shija të kujton supën e karkalecave të detit. Veç kësaj brumbujt ofroheshin edhe në pastiçeri në formë bombonesh të lyer me sheqer.