1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Integrim në BE nëpërmjet bashkëpunimit ndërkufitar

15 Janar 2012

Ndër komponentet kryesore të Instrumentit për Paraanëtarësim në BE, 2011-2013 është bashkëpunimi ndërkufitar. Kosova është e përgatitur për projekte ndërkufitare me Shqipërinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi.

https://p.dw.com/p/13jtf
Deçani mund të bashkëpunojë me Pllavën
Deçani mund të bashkëpunojë me PllavënFotografi: DW

Ndihma përmes Instrumentit për Paraanëtarësim në Bashkimin Evropian ofrohet në pesë komponente: në përkrahjen gjatë tranzicionit dhe ndërtimin e institucioneve, bashkëpunimin ndërkufitar, zhvillimin rajonal, zhvillimin e resurseve njerëzore si dhe zhvillimin rural. Prioritetet e komponentes së dytë, bashkëpunimit ndërkufitar janë mbështetja e zhvillimit ekonomik, rigjenerimi i vendpunimeve, ruajtja dhe mbrojtja e ambientit, si dhe promovimi i bashkëpunimit të shoqërisë civile.

Sepse, sipas Fjolla Qekut, zyrtare për informim pranë Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Prishtinë: “Bashkëpunimi ndërkufitar është një nga kërkesat kryesore për integrimin evropian dhe përvojat nga vendet të tjera dëshmojnë, se ai e përkrah zhvillimin e qëndrueshëm në të dyja anët e kufirit, promovon zhvillimin ekonomik dhe social dhe çfarë është më e rëndësishme, siguron kufinj të sigurtë dhe luftë efikase kundër krimit të organizuar. Përfundimisht, qëllimi i bashkëpunimit ndërkufitar është jetë më e mirë për qytetarët në të dyja anët e kufirit”, thotë zëdhënësja Qeku, sipas së cilës, programet ndërkufitare hedhin themelet për përgatitjen e institucioneve dhe kapaciteteve njerëzore për menaxhimin e fondeve strukturore, nga të cilat do të përfitojnë vendet e Ballkanit kur marrëdhëniet kontraktuale me Bashkimin Evropian të jenë në një fazë më të avancuar.

Besnik Osmani, sekretar i përhershëm i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal Rechte: Die Bilder sind von mir, Ajete Beqiraj, gemacht worden (im Jahr 2011). Ich bin freie Mitarbeiterin der Deutschen Welle und DW darf die Bilder für ihre Zwecke benutzen.
Besnik Osmani, sekretar i përhershëm i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit LokalFotografi: DW

Kosova merr pjesë me tri shtete fqinje

Shuma e lëvruar nga Bashkimi Evropian për aktivitetet e Kosovës në bashkëpunimin ndërkufitar në kuadër të “IPA 2011” është 1 milionë e 800 mijë euro, gjegjësisht 600 mijë euro për secilin shtet bashkëpunues. Sipas Besnik Osmanit, sekretar i përhershëm i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal: “Në kuadër të projektit të bashkëpunimit ndërkufitar, Kosova merr pjesë me tri shtete fqinje: Republikën e Shqipërisë, IRJM dhe me Malin e Zi. Këto janë mjete të komponentes së dytë të IPA-s dhe për secilin shtet bashkëpunues janë të ndara nga 600 mijë euro, apo 120 mijë për dy shtete ndërkufitare”.

Thirrja e parë për projekt propozime në shkurt 2012

Sipas Zyrës Ndërlidhese të Komisionit Evropian, në shkurt 2012 do të bëhet thirrja e parë për projekt propozime në programin Kosovë-Shqipëri. Ndërsa në programin Kosovë-ish Republikë Jugosllave e Maqedonisë, po gjatë vitit 2012 fillon implementimi i projektit të parë: ndërtimi i pikës se përbashkët kufitare Stanqiq – Belanovc. “Me Maqedoninë do të qëndrojmë tek projektet strategjike, që nënkupton se jemi dakorduar për hapjen e një pike të re kufitare, e cila do të lidhë rajonin e Anamoravës me një pjesë të Maqedonisë dhe do të shkurtojë në masë të madhe rrugën e komunikimit të qytetarëve nga këto dy anë të kufirit“, thotë z.Osmani, sipas të cilit me shtetin e tretë për bashkëpunim ndërkufitar-Malin e Zi, deri me tani janë caktuar vetëm sektorët strategjikë, siç është sektori i ambientit brenda të cilit mund të ketë edhe infrastrukturë rrugore.

Pikë e re kufitare me Ish Republikën Jogosllave të Maqedonisë

Por, kurrsesi një projekt kapital siç është rruga Deçan-Plavë, e cila megjithëse e projektuar dekada me parë, për shkak të Zonës së veçantë të Manastirit të Deçanit, u politizua deri në ndërprerje. Megjithatë, kërkesa e komunitetit të biznesit, e shoqërisë civile dhe e pushtetit lokal të kësaj zone ndërkufitare mbetet e njëjtë:

"Në çdo takim që kemi, të gjitha bizneset kanë një kërkesë të vetme:”Rruga, rruga,rruga!” Ndërsa, ideja e të gjithëve është e njëjtë, që kjo rrugë të shtrohet përmes bjeshkëve të Deçanit, në Plavë e deri në Shqipëri, sepse edhe gjatësia është më e shkurtër se me shku pjesëve të tjera. Dua të them se duhet të ketë kontakte kulturore, forume e biznese ku qytetarët e të dyja komunave të shkëmbehen vazhdimisht, sepse jam i bindur se 80 perqind e qytetarëve të Deçanit dhe Plavës nuk kanë vizituar asnjëherë komunat e tyre fqinje”, thotë Petrit Hakaj, nënkryetar i Shoqatës së Malazezve të Kosovës.

Mali i Gjeravicës ndan Kosovën me Malin e Zi
Mali i Gjeravicës ndan Kosovën me Malin e ZiFotografi: DW

Një tunel me hyrje në Kosovë dhe dalje në Mal të Zi?

Edhe pse vlera e projekteve të përbashkëta të pushteteve lokale në programin e IPA-s ështe e kufizuar, kryetari i komunës së Plavës, Skënder Sharkinovic mendon se një tunel në gji të Bjeshkëve të Nemura si lidhje direkte e komunave Deçan-Plavë, do të kalonte tek IPA. “Sepse, kjo është lidhja më reale Kosovë-Mali i Zi dhe prandaj është e nevojshme që njerëzit profesional të shohin nga vendi se ku do mund të nisej një tunel si shumëkund në botë, me hyrje në Mal te Zi dhe dalje në Kosovë. Unë besoj se një projekt i tille i bashkëpunimit ndërkufitar do të kalonte te programi i IPA-s, në mënyrë që të krijoheshin mundësi për zhvillimin e përbashkët të turizmit, zhvillimin e kulturës, ruajtjen e trashëgimisë kulturore e natyrore, çfarë Evropa e vlerëson lart. Dhe kështu, të lusim Zotin që Mali i Zi së bashku me Kosovën sa më parë të hyjnë në Evropë”, thotë kryetari Sharkinovic.

“Së bashku në Evropë dhe atë, përmes tunelit”, shton Rasim Selmanaj nga Komuna e Deçanit, e cila është në prag të binjakëzimit me komunën e Plavës. Sepse, ai sivjet është mëse optimist se projekti i kahmotshëm i rrugës Deçan-Plavë, sivjet do të fillojë realizimin dhe me këtë, edhe hapin më të rëndësishëm të bashkëpunimit ndërkufitar si dhe të rrugëtimit të përbashkët drejt integrimeve evropiane. “Ne kemi punu shumë që hapja e kësaj rruge të ndodhë. Dhe ne besojmë në zotimin e qeverisë dhe në premtimin e dhënë nga kryeministri në Kuvendin e Kosovës dhe presim që kjo do të ndodhë gjatë këtij viti“, thotë Rasim Selmanaj.

Rruga Pejë-Qakorr-Murinë gëzon mbështetjen e IPA-s

Por, edhe pse një projekt i tillë kapital nuk është i implementueshëm me programin e IPA-s i cili për njerin shtet nuk kalon shumën 120 mijë euro, z.Osmani flet për një pikëkalim tjetër ndërshtetror, Kosovë-Mal i Zi. “Shuma në dispozicion është 1 milionë e 200 mijë euro nga të dy anët e kufirit, që nuk është i mjaftueshëm për të realizuar projekte të përmasave të tilla. Megjithatë, ne kemi në konsiderate pikën tjetër kufitare me Malin e Zi, e cila kalon përmes Grykës së Rugovës e që për momentin nuk është e hapur për qarkullimin e mallërave dhe të njerëzve, por që ka infrastrukturë realitisht të mirë dhe mund të implementohet brenda mundësive buxhetore që kemi në dispozicion. Ne kemi biseduar me autoritetet e Malit të Zi dhe ky mund të jetë njëri nga projektet e mundshme të bashkëpunimit ndërkufitar”.

Rasim Selmanaj, Komuna e Deçanit
Rasim Selmanaj, Komuna e DeçanitFotografi: DW

Sipas Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në shkurt 2012 do të bëhet thirrja e parë për projekt propozime të bashkëpunimit ndërkufitar në programin Kosovë-Shqipëri. Në programin Kosovë–IRJM këtë vit fillon projekti i parë: ndërtimi i pikës së përbashkët kufitare në Stanqiq – Belanovc. Përderisa, sipas Ministrisë së Pushtetit lokal, deri në fund të vitit kjo pritet të ndodh edhe me Malin e Zi, kur pushtetet lokale dhe shoqëria civile e të dyja anëve të kufirit mund të afrohen me prioritetet e përbashkëta, të cilat duhet të llogariten si të realizueshme me një shumë prej 30 mijë deri në 60 mijë euro për OJQ-te si dhe nga 80 mijë deri në 120 mijë euro për pushtete lokale. Propozimet pranohen nga Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Prishtinë, ndërsa vendimet merren në Bruksel.

Autor: Ajete Beqiraj

Redaktoi: Aida Cama