1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Integrimi i romëve në shoqërinë shqiptare sfida e qeverisë së re

Juli Ristani26 Shtator 2013

Së shpejti Avokati i Popullit, 26 shqata të shoqërisë civile dhe federata rome i dorëzojnë qeverisë rekomandimet për trajtimin me prioritet të komunitetit rom, thotë për DW, Igli Totozani, Ombudsman në Shqipëri.

https://p.dw.com/p/19oct
Fotografi: DW

DW: Zoti Totozani në Shqipëri ekziston për ju perceptimi se jeni avokat i romëve. Keni bërë bujë në dy raste, në shkurt të 2012-ës kur strehuat 52 romë në ambjentet e Avokatit të Popullit dhe rasti tjetër ai i gushtit të 2013-ës. Ju po bëni një politikë të fortë pro romëve, por ku doni të arrini? Cili është misioni juaj?

Totozani: Finalja është që qytetarët romë të ndihen të barabartë në dinjitet, dhe në të drejta e detyrime me qytetarët e tjerë. Ky është fundi i tunelit të gjithë këtij kalvari përpjekjesh për integrimin e tyre në shoqërinë shqiptare. Ky është qëllimi, pastaj gjatë rrugës do të shikojmë nëse do t’ja arrijmë apo jo, sepse nuk ia dalim dot vetëm. Ne jemi një institucion që synon të nxisë administratën publike që të veprojë. Është ajo në fakt që duhet t’i njohë ligjërisht, por edhe duke zbatuar ligjet, këto të drejta, këto detyrime dhe dinjitetin e qytetarëve romë. Në pjesën më të madhe kjo administratë i harron romët në rastet kur bëhet fjalë për zbatimin e atyre standardeve, të cilat parashikohen ndërkohë në legjislacionin shqiptar. Po kështu kjo administratë nuk po ndërmerr akte të cilat do të synonin përmirësimin e kushteve të jetesës së këtyre qytetarëve sikurse parashikohet në disa dokumenta strategjikë të miratuara nga qeveria shqiptare.

DW: Nëvitin 1991 Shqipëria ratifikoi Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike Sociale e Kulturore. Sa e zbaton Shqipëria atë?

Totozani: Unë them që jemi në një situatë vendnumëro drejt një përkeqësimi të lehtë të të drejtave të romëve. Në fakt qytetarët romë pavarësisht këtyre dokumenteve të rëndësishme të ratifikuara nga Shqipëria si p.sh. Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut, apo edhe kriteri i 11-të për marrjen e statusit të vendit kandidat që ka të bëjë me politikat antidiskriminim, gjenden sot për mendimin tonë tashmë të plotë dhe të provuar me fakte dhe dokumenta, të përjashtuar socialë në pjesën më të madhe të Republikës së Shqipërisë. Kjo do të thotë që në mënyrë të figurshme ata jetojnë në formë sateliti rrethepërqark jetës sonë dhe këtij sistemi. Dhe ky sistemi ynë social është shndërruar për ta në një kështjellë të padepërtueshme. Veçanërisht në çështjen e shërbimeve, qytetarët romë nuk përfitojnë dot nga shërbimet që ofron shteti shqiptar. Ata nuk munden dot të rregjistrohen në gjendjen civile apo të transferojnë gjendjen civile nga një njësi administrative në një tjetër, sepse nuk plotësojnë kriteret. Cilat janë këto kritere? Po ju them vetëm njërin prej tyre, pasi janë shumë, variojnë nga 15 deri në 20. Njëri prej tyre është që të ketë kontratë qiraje ose një çertifkatë pronësie shtëpie. Qytetari rom nuk e arrin dot këtë për arsye që tashmë dihen nga të gjithë. Në këtë mënyrë ai nuk mund të rregjistrohet ose të transferojë të dhënat e tij nga një njësi administrative vendore në një tjetër. Në këto kushte ai nuk arrin dot të rregjistrohet në zyrat rajonale të punësimit, të formimit professional, dhe në këto kushte ai nuk përfiton dot nga konkurenca e tregut. Së treti ai ka vështirësi të mëdha për marrjen e ndihmës ekonomike, sepse edhe ajo vetë ka shumë kritere që të përfitohet. Po kështu ai nuk përfiton dot banesa sociale qoftë t’i blejë me kredi me interest të ulët, ose me interes zero apo qoftë që t’i marrë me qira, sepse në të dyja rastet duhet të provojë me dokumenta që punon në të bardhë, jo në të zezë. Pra është një qark i mbyllur që fillon me mungesën e edukimit, vazhdon me mungesën e formimit profesional, mungesën e punësimit, duke mos punuar vazhdon me mungesën e banimit , me një dëmtim të madh të familjes dhe të shëndetit të pjestarëve dhe në fund fare të arsimimit. Pra është një qerthull i mbyllur që vështrirë se luftohet me të njëjtin legjislacion dhe të njëjtat kritere që mbrojnë “kështjellën”, sistemin tonë social.

DW: Si ndryshon kjo? Kam parasysh që keni qenë profesor i „Së Drejtës Publike“ në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë. Mos ndoshta pozita e Avokatit të Popullit është ajo e një mjeku që jep recetë për të shëruar kollën, por jo për të shëruar sëmundjen e mushkërivë që e shkaton atë?

Totozani:Avokati i Popullit është në pozicionin e këtij mjekut të dytë, që e shëron sëmundjen nga themeli, por nuk e shëron i vetëm. Gjëja më e rëndësishme që kemi bërë ne gjatë kësaj periudhe është që në bashkëpunim me organizatat rome, në bashkëpunim me shoqërinë civile janë rreth 26 shoqata me të cilat kemi punuar ngushtësisht, të cilat disa ndërkombëtare dhe disa kombëtare, kemi arritur të kuptojmë defektet e sistemit tonë social që është numri i pakufijshëm i kritereve të cilat disa nga grupet sociale nuk arrijnë dot t’i tejkalojnë. Kështu që mbesin në provim dhe nuk përfitojnë nga të mirat modeste të sistemit social shqiptar. Ajo që kemi propozuar ne janë tri rekomandime të rëndësishme, të cilat këto ditë do të firmosen bashkarisht nga Avokati i Popullit dhe nga 26 shqatat e shoqërisë civile, pjesë e të cilave edhe mjaft organizata të rëndësishme të huaja e vendase dhe federata rome. Ato më pas do t’i dërgohen Ministrit të Mirëqënies dhe Rinisë zotit Erjon Veliaj, Ministrit të Brendshëm zotit Saimir Tahirit dhe Ministres së Zhvillimit Urban dhe Turizmit zonjës Eglantina Gjermeni. Ne do t’u kërkojmë atyre që të marrin masa të përkohshme veprimi për qytetarët romë në fushën e ndihmës ekonomike, rregjistrimit dhe transferimit të gjendjes civile, dhe përsa i përket strehimit, për ta trajtuar minoritetitin rom si më prioritar.

DW:Kur do të mbarojë gjithë kjo procedurë, ose më saktë kur do të vihet në zbatim i gjithë ky plan?

Totozani: Procedura nga ana jonë ka përfunduar. Nëse kjo realizohet, për mendimin tim ky do të jetë një revolucion në Shqipëri dhe më gjerë në rajon, në lidhje me trajtimin e qytetarëve romë, sepse do të mund t’i afrohemi zgjidhjes së tri elementëve kryesorë që dëmtojnë jetën e tyre, strehim, ndihmë ekonomike dhe rregjistrim. Dhe më pas do të hapen mundësitë në mënyrë të veçantë për arsimimin, për të cilin është duke u mbyllur rekomandimi i katërt që do të përbëjë gjithë paketën. Nga ana jonë kjo mund të mbyllet brenda një jave dhe do t’u dërgohet ministrave dhe presim pastaj nga vullneti i ministrave për t‘u zgjidhur ky problem.

Zgjidhja e këtyre çështjeve kërkon dy gjëra kryesore: së pari dashuri për njerëzit dhe së dyti vullnet.

DW:Zoti Totozani jetojmë një realitet në Tiranë që është i prekshëm nga të gjithë, gra rome që ushqejnë foshnjat me gji mes rreshtave të makinave në semafor, fëmijë të vegjël të zbathur, të paveshur në dimër, që punojnë të detyruar nga të rriturit. Çfarë nuk funksionon?

Totozani: Përse njerëzit mundohen të gjejnë alternativë punësimi është pyetja, përse jetojnë në trotuar, në barraka, jashtë, në kushte higjenike të llahtarshme. Kjo për faktin se romët janë të përjashtuar socialë, të izoluar dhe viktima të paragjykimeve të mëdha që kemi. Ne vetë i kemi krijuar të gjitha kushtet që ata të mos integrohen në shoqëri. Ne i ndihmojmë ata duke mos ju dhënë alternativa banimi, të jetojnë në barraka. Ne i ndihmojmë ata duke mos ju dhënë alternativë për formim profesional dhe punësim, të punojnë në të zezë. Ne i ndihmojmë fëmijët e tyre që duke mos i detyruar të shkojnë në shkolla, të mësojnë gjuhën shqipe, të dalin rrugëve nga mëngjesi në darkë zbathur. Jemi ne që po i ndihmojmë romët të bëjnë këtë jetë që bëjnë. Por unë mendoj se këto katër ndryshime që ne propozojmë përfshirë në arsim, me këtë politikë masash 1 vit apo 2 vjet maksimumi, romët do të mund të integrohen në shoqërinë shqiptare. Nëse do të ketë vullnet që të ndodhë kjo, jo vetëm ata do të dalin seriozisht nga një situatë e tillë, por shqiptarët do të ishin ndër vendet e para në Ballkan duke u bërë kështu shembull në këtë drejtim.

DW: Sa romë jetojnë në Reapublikën e Shqipërisë, pasi shifrat janë konfuze? Sipas censusit të 2011 rezultojnë 8301, një shifër tjetër është 120.000.

Totozani: Janë tri shifra, 8301 nga censusi, 15 mijë sipas një projekti të financuar nga fondacioni Soros. Ndërsa vetë grupet rome thonë janë 120.000-150.000.

DW:Dhe ka 26 shoqata që i përfaqësojnë. Mos është i madh numri?

Totozani:Ka një arritje pozitive. Këto organizata rome janë bashkuar në një ombrellë, në federatën rome, që po punon si një aktor i vetëm. Dhe për mendimin tim kanë bërë mirë, pasi është një interlokutor shumë më praktik me ne. Së dyti unë jam njeriu që organizatat e shoqërisë civile i kam aleate.

DW:U përfol në median shqiptare gjerësisht humbja, apo zhdukja pa gjurmë e 3 milionë eurove të akorduara nga Bashkimi Europian për romët. Ndërsa ju u gjetët në qendër të tajfunit mediatik. Disa gazeta ju akuzuan ju direkt si shpërdoruesin e këtij fondi. A mund të thoni për Deutsche Welle-n pretendimin tuaj?

Totozani: Unë këtë pretendim që kërkoni nuk e kam dhënë në Shqipëri, por po e jap për median tuaj me emër të madh dhe të rëndësishëm. Të gjthë e dinë që ky ishte një debat i bazuar në një gënjeshtër ose më saktë në një manipulim dhe nuk meriton në fakt të hysh në një debat të tillë. Gazetari i mirë në radhë të parë duhet t’i drejtohet viktimës, pra asaj së cilës thuhet se i janë vjedhur 3 milionë eurot, pra Komisionit Europian.

Më së fundi gazetarët kuptuan se duhej pyetur edhe “viktima”. Nga Komisioni Europian u tha që nuk na janë vjedhur paratë. Pra Bashkimit Europian, Komisionit Europian nuk i vidhen paratë. Procedurat dhe institucionet që kujdesen, procedurat e tenderimit, procedurat e përzgjedhjes janë aq të sakta sa nuk ndodh që të humbin këto para. Por ashtu si juve edhe unë dëgjova këshilltarin për media të komisionerit europian Fyle, zotin Peter Stano, i cili mesa kuptova, përgjegjësinë për mungesën e efikasitetit ose rezultateve konkrete të këtyre 3 milionë eurove të Komisionit Europian për romët, ia ngarkoi pushtetit dhe në mënyrë të veçantë pushtetit vendor. Dhe nuk është hera e parë në fakt që kanë përgjegjësi për mosefikasitet. Mund t’ju them që nga fillimi i viteve 90-të e deri më sot Shqipëria mund të ketë marrë ndoshta rreth 2 miliardë euro ndihmë nga Bashkimi Europian.