1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Intriga, kërcënime dhe korruptime tri disiplinat kryesore të politikës çeke

Hornung, Peter / Prag (HR) 15 Shkurt 2008

Çekia kërkon një president të ri: pasi asnjëri nga kandidatët nuk arriti të fitojë herën e parë shumicën e mjaftueshme të votave, për sot u caktua një datë e dytë për zgjedhje.

https://p.dw.com/p/D852
Pamje nga PragaFotografi: Illuscope
Këtë herë janë tre kandidatë që konkurojnë. Një luftë kundër njëri-tjetrit, ku pjesëmarrësit janë gati të paguajnë çdo çmim për të penguar kandidatin e palës kundërshtare.
Para së gjithash, partia konservatore në pushtet ODS dhe socialdemokratët e akuzojnë njëri-tjetrin se i vënë nën presion deputetët. ODS-ja mbështet kryetarin e saj të nderit, mbajtësin e postit, Vaclav Klaus. Socialdemokratët- së bashku me Të Gjelbrit - mbështesin sfiduesin liberal Jan Shvejnar. Por këta kandidatë kaluan që në datën e parë të zgjedhjeve në sfond për shkak të intrigave, kërcënimeve dhe korrupsionit, mendon shkencëtari i shkencave politike Jiri Pehe: "Për të gjitha partitë në lojë janë shumë gjëra, kjo shpjegon edhe emocionet e forta, kjo shpjegon këtë teatër politik. Kjo vetëkuptohet që nuk është normale dhe e dëmton shumë imazhin e skenës politike në Çeki."
Së fundi vëmendjen në teatrin politik të Pragës e tërhoqën komunistët opozitarë. Ata dolën papritur me një kandidate të vetën. Jana Boboshikova quhet gruaja, deputetja që nuk i përket asnjë partie në Parlamentin Evropian, e cila deri tani nuk njihej si e majtë, por si një nacionaliste djathtiste, e cila ngrihet me këmbëngulje kundër gjermanëve të Sudetëve.
Por njëkohësisht, komunistët i ofruan Jan Shvejnarit që ta tërheqin kandidaten e tyre, nëse liberali u bën atyre lëshime të caktuara- për shembull në temën delikate të mbrojtjes raketore amerikane në tokën çeke. Nuk të çudit fakti që shefi i partisë së socialdemokratëve, Jiri Parubek, e hodhi këtë menjëherë poshtë si zhurmë pa kuptim: "Ne jemi të gatshëm për negociata, por unë u bëj thirrje komunistëve që ta ndryshojnë qendrimin e tyre ndaj zgjedhjeve dhe të heqin dorë më në fund nga taktizimet dhe bishtnimet e vazhdueshme"
Me të vërtetë që komunistëve u pëlqen roli i caktuesit të presidentit. Deputetët e tyre, në dy raundet e para fundjavën e kaluar e mbështetën Shvejnarin me qëndrim miqësor ndaj Evropës, për të hequr dorë në raundin e tretë për arsye taktike nga mbështetja e tij. Gati sa votat do t'i kishin mjaftuar për t'u rizgjedhur në post kritikut të BE, presidentit aktual të Cekisë, Vaclav Klaus. Atij i mungoi një votë e vetme.
Kandidatja Boboshikova, sidoqoftë i rrit edhe më tej shanset e Klausit. Shefi i partisë i komunistëve sapo tha se sipas mendimit të tij është e sigurtë një shumicë votash për Klausin. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse do të marrë fund sot teatri politik në Çeki.