1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Irritime mbi projektin e mbrojtjes nga raketat - Qeveria polake korrigjon deklaratat e presidentit

Thomas Rautenberg11 Nëntor 2008

Presidenti i ardhshëm i SHBA, Barak Obama, vazhdon t'i lerë të hapura opcionet e tij lidhur me planet për sistemin e mbrojtjes nga raketat në Evropën Qendrore.

https://p.dw.com/p/FrCL
Leh KazhinskiFotografi: AP

Presidenti i Polonisë Leh Kazhinski (Lech Kazcynski) e deklaroi dëshirën si të vërtetë. Presidenti i ardhshëm i SHBA-ve, Barak Obama (Barack Obama) do ta vazhdojë pojektin e diskutueshëm për mburojën ndaj raketave duke iu përmbajtur në këtrë mënyrë planeve për ndërtimin e një baze raketash në Poloni, kështu deklaroi Kazhinski, përmes zëdhënësit të tij, pas një telefonate me Obamën. „Lidhur me çështjet konkrete dhe të rëndësishme, që u diskutuan, është edhe instalimi i mburojës kundër raketave. Presidenti i zgjedhur i SHBA tha, se nuk ka vështirësi apo probleme për vazhdimin e këtij projekti.“

Polen USA Abkommen zu Raketenschild Rice und Radek Sikorski
Ministri i Jashtëm polak, Radoslav Shikorski nënshkruan me Ministren e Jashtme amerikane, Rajs planet për ngritjen e sistemit të mbrojtjesFotografi: AP

Obama nuk ka dhënë premtime

Këshilltari i Barak Obamës për politikën e jashtme, Denis MekDone (McDonough) kishte në kujtesë një tjetër rrjedhë të bisedës. Lidhur me sistemin e mbrojtjes nga raketat Obama nuk ka dhënë premtime, vuri në dukje MekDone duke e vënë presidentin polak në situatë të vështirë. Kryetari i grupit parlamentar të partisë në pushtet në Poloni, Zhgibinjev Shlebovski u shpreh fare hapur, se kemi të bëjmë me një gënjeshtër: „Nëpunësit në zyrën presidenciale po e turpërojnë Poloninë. Nëse pala amerikane e përgënjeshtron këtë, atëherë del që pala polake ka gënjyer.“

Edhe Ministri i Jashtëm i Polonisë, Shikorski (Radoslav Sikorski) ndihet në situatë të vështirë prej diletantizmit të presidentit Kazhinski lidhur me politikën e jashtme: „Për mua është e turpshme, që m'u desh të kërkoj ndjesë në emër të Polonisë në Departamentin Amerikan të Shtetit për deklaratat e politkanëve tanë. Kjo nuk na e lehtëson punën në të ardhmen. Do të ishte e udhës më shumë unitet dhe koordinim në politikën tonë të jashtme.„

Nga varet miratimi i Obamës për planet e sistemit të mbrojtjes?

Barak Obama qysh në fushatën elektorale mbështetjen e tij për projektin e sistemit të mbrojtjes nga raketat e ka vënë në varësi të pjekurisë teknologjike të këtij sistemi. Përveç kësaj ai do të vazhdojë bisedimet me Moskën lidhur me sistemin e diskutueshëm. Kremlini e hedh poshtë kategorikisht projektin e deri tanishëm duke e konsideruar atë si një rrezik për sigurinë e vet dhe nga ana tjetër kërcënon me dislokimin e raketave nga më modernet me rreze të shkurtër veprimi në ekslaven ruse në Kaliningrad.

I mundshëm dështimi i planeve të sistemit të mbrojtjes me Poloninë

Ndryshe nga presidenti Kazhinski qeveria e kryeministrit Donald Tusk e konsideron si të mundshëm dështimin e këtyre planeve, konfirmon Pjotër Pazhkovski, zëdhënës i ministrisë së jashtme polake: "Amerika ndërkohë është e angazhuar në dy luftëra të kushtueshme. Ne po përballemi aktualisht me turbullira të mëdha në tregjet financiare. Ndaj do të jenë të nevojshme masat e kursimeve. Ndërkohë nuk ka sinjale të qarta për pezullimin e projektit, por ne mendojmë, se mund të ketë shtyrje të mëtejshme të tij.“