1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ish-batalioni i Milosheviçit - "jobesnik" në ushtrinë e Malit të Zi?

29 Dhjetor 2011

Në ushtrinë e Malit të Zi ende ka oficerë aktivë, 77 pjesëtarë të ish Batalionit të Shtatë të Millosheviqit, thotë ministri malazez i Mbrojtjes. Si është e mundur kjo, pesë vjet pas shpalljes së pavarësisë?

https://p.dw.com/p/13bNa
Ushtar malazez me uniformë tradicionale para flamurit kombëtar.
Fotografi: AP

"Kush nuk do të jetë besnik, duhet të largohet nga shërbimi ushtarak," tha ministri i Mbrojtjes të Malit të Zi, Boro Vuçiniq. Ai njoftoi se aktualisht aktivë në ushtrinë e Malit të Zi janë 77 pjesëtarë të ish Batalionit të Shtatë të Millosheviqit dhe se sjelljet e tyre në ushtri, "përcillen në mënyrë të veçantë." Ministri gjithashtu ishte i saktë: ai i referohet atyre që nuk e respektojnë flamurin dhe stemën.

As Vuçiniq, por as shefi i Shtabit, nënadmirali Dragan Samarxhiq, nuk kanë sqaruar përse pikërisht tani ish-anëtarët e Batalionit të Shtatë janë nën vëzhgim të posaçëm të kreut ushtarak, sidomos pasi ata pranuan se këta njerëz janë në detyrë aktive që nga formimi i Ushtrisë së Malit të Zi, përkatësisht tash e pesë vjet.

Reagime ndaj kritikave të sindikatës?

Gjenerali në pension, Bllagoje Grahovac thotë për Deutsche Welle-n se sfondi i tërë kësaj historie lidhet me punën e sindikatës së pavarur, e cila kritikon ashpër punën e kreut të ushtrisë në radhët e të cilit ka pjesëtarë të ish batalionit të Millosheviqit, me të cilën ata nuk e dinë se si të veprojnë.

"Ky është një manipulim i lig. Çështja themelore është nëse ata po e bëjnë ushtrinë si një sistem të qëndrueshëm. Por pasi përgjigjeja në këtë pyetje është negative, ata janë shumë të aftë të ngrejnë çështje të cilat nxisin emocione", thotë Grahovac. Ai shton se në vitin 1999 ka qenë ai që treguar për rrezikun nga batalioni i shtatë, kur është dashur për të bërë "punë të pista për nevojat e politikës së pistë." "Pra dhjetë vjet më vonë, historia e batalionit të shtatë duhet të jetë pas nesh," tha Grahovac.

Kush i lejoi ata?

Edhe redaktori i së përditshmes "Vijesti", Nedjeljko Rudoviq, vlerëson se sfondi ka të bëjë me punën e sindikatës. "Nëse ka njerëz të cilët janë kundër shtetit, atëherë kjo nuk bëhet me dije në një konferencë për shtyp, por ata arrestohen dhe kundër tyre ngrihen aktakuza e tek pastaj njoftohet në konferencë për shtyp," tha Rudoviq.

Çështja është se përse edhe pesë vjet pas pavarësimit, në ushtrinë e Malit të Zi punojnë njerëz të cilët nuk i qëndrojnë besnik shtetit malazez. Rudoviq thekson se nëse është e vërtetë ajo që thotë ministri atëherë për këtë dikush duhet edhe të japë llogari. "Si kanë ardhur ata në ushtrinë e Malit të Zi nëse ata janë me të vërtetë kundërshtarë të këtij shteti? Ai që ka lejuar të ndodhë një gjë e tillë duhet të shkarkohet, duhet të shkojë në shtëpi", thotë Rudoviq.

Mbetet e paqartë edhe mënyra se si ish anëtarët e Batalionit të Shtatë tani do të jenë nën mbikqyrje të veçantë. Njohësit e mirë të zhvillimeve në ushtri thonë se ndoshta do të jenë më shumë kontrolle sigurie, aq më tepër që sindikata përveç aktiviteteve sindikaliste kryen edhe disa aktivitete politike.

Autorë: Vesna Rajkoviq / Esat Ahmeti

Redaktoi: E. Xhani