1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ish-Presidenti gjerman Wulff i akuzuar në gjyq

dpa / Bahri Cani27 Gusht 2013

Ish-presidenti i Gjermanisë Christian Wulff duhet të përgjigjet në gjyq për shkak të mitmarrjes dhe angazhimit joligjor për të tjerët. Procesi kundër tij do të zgjasë me muaj të tërë.

https://p.dw.com/p/19WfN
Fotografi: Getty Images

Vendimi për nxerrjen e ish-presidentit Christian Wulff para gjykatësve e ka marrë Gjykata e Hanoverit, me kërkesë të prokurorisë së atjeshme. Sipas këtij vendimi, ish-presidenti Wulff akuzohet për mitmarrje dhe angazhim joligjor për të tjerët. Në këtë proces pritet të zbardhen akuzat për qëndrimin e ish-presidentit dhe bashkëshortes së tij në Festën e Tetorit (Oktober Fest) në Mynih, në tetor të vitit 2008, me kostot e producentit të filmave David Groenewold. Prokuroria pohon se Groenewold ka dashur që në këtë mënyrë ta motivojë Wulffin që ai të mbështetë kërkesën e tij që t'i ndahen para për realizimin e një projekti filmor. Ish-presidenti Wulff e ka mbështetur këtë projekt disa javë më vonë.

Shkaqet e dorëheqjes

Ish-presidenti Wulff ka dhënë dorëheqje nga posti i tij në shkurt të vitit 2012, pas kritikave dhe aferave të shumta. Shkaku kryesor për dorëheqje ishin akuzat për një kredi tepër të volitshme për ndërtimin e shtëpisë, në vitin 2008, në kohën kur ishte kryeministër i landit të Saksonisë së Poshtme. Mirëpo ndaj ish-presidentit janë dëgjuar edhe akuza të tjera. Në dhjetor të vitit 2011 gazeta "Bild" ka informuar për herë të parë për aferat. Wulff akuzohej se para parlamentit të landit ka paraqitur të dhëna të gabuara për financat e tij. Më pas ka pasur edhe të dhëna për pushimet e tij në Sylt në llogari të personave të tjerë, por edhe për presione të ish-presidentit ndaj mediave.

Mundësia e dënimit

Procesi sipas akuzave të tanishme pritet të fillojë me një nëntor të këtij viti në Hanover. Nëse prokuroria i dëshmon akuzat e saj, është e mundur që ish-presidenti të dënohet me para, ose me heqje lirie deri me tre vjet. Avokatët e Wulffit e kanë hedhur poshtë në prill të këtij viti një propozim për marrëveshje me prokurorinë, dhe të paguajnë 20.000 euro për të tërhequr padinë. Ish-presidenti pohonte se nuk e ndjen veten fajtor sipas këtyre akuzave.