1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ish-udhëheqësi rebel kongolez Lubanga përpara Gjykatës Ndërkombëtare Penale

Ludger Kazmierczak26 Janar 2009

Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) është gjykata botërore për ndjekjen e krimeve kundër njerëzimit, genocidit dhe krimeve të luftës. Më 26 janar atje filloi procesi i parë ndaj kongolezit Thomas Lubanga.

https://p.dw.com/p/GgXR
Kongolezi Thomas Lubanga përpara Gjykatës Ndërkombëtare Penale në Hagë
Kongolezi Thomas Lubanga përpara Gjykatës Ndërkombëtare Penale në HagëFotografi: AP

Ëndërra e tij ka qenë që të shkruajë një ditë histori. Por duket se Thomas Lubanga Dyilo, e ka menduar ndryshe këtë ditë. Që prej 26.01 ai është figura kryesore në procesin e krimeve të luftës në Gjykatën Ndërkombëtare ne Hagë. Gjashtë vjet e gjysme pas hapjes, ICC-ja filloi nga puna. Një ditë historike - edhe për prokurorin, Luis Moreno Ocampo.

"Siç e shihni gjykata funksionon. Ka mundësi që Lubanga të mos jetë njeri i rëndesishëm për shumë njerëz në Evropë, por për njerëzit në Ituri, që kanë vuajtur prej tij, kjo ditë është shumë e rëndësishme," sqaron ai.

Fëmijët janë keqtrajtuar sistematikisht

Duke qenë udhëheqës i Partisë së Unionit Kongolez, një grupi rebelësh të fisit hema, Lubanga ka rekrutuar nga korriku 2002 deri në dhjetor të 2003, ushtarë fëmijë, që i ka dërguar në luftimet e përgjakshme kundër fisit armik, Lendu. Fëmijët janë keqtrajtuar sistematikisht, tha zëvendësprokuroria, Fatou Bensouda, e cila drejton procesin kundër Lubangës. Kjo është hera e parë që një Gjykatë Ndërkombëtare merret me një proces të tillë.

Akuzuesit janë më shumë të interesuar të arrijnë në një gjykim të shpejtë

Një organizatë e të drejtave të njeriut dhe të grave, ka kritikuar pse Lubanga nuk duhet të përgjigjet për shembull edhe për skllavërimin seksual të grave. Në fund të fundit, thonë ato, në luftën civile kongoleze janë vrarë më shumë se 10 mijë vetë dhe janë dëbuar qindra mijra. Por akuzuesit janë më shumë të interesuar që të arrijnë në një gjykim të shpejtë. Prandaj, thotë Luis Moreno Ocampo, akuza është kufizuar vetën në ato çështje, që janë të dëshmueshme.

Dhe dëshmitë kundër Lubangës janë të tmerrshme: "Ne kemi në dorë për shembull fragmente videosh, që tregojnë Lubangën duke i dhënë instruksione një fëmije në një kamp trajnimi. Unë besoj, se ne kemi në dorë dëshmi të forta. Tetë fëmijë ushtarë do të tregojnë për përvojat e tyre. Pjesa më e madhe e tyre është rrëmbyer, të tjerët kanë shkuar vullnetarisht. Por të dyja mënyrat janë krime. Ata do të tregojnë se çfarë shoku përjeton njeriu, kur qëllon dhe vret dikë. Kjo është e rëndësishme për të kuptuar se këto krime kanë shkatërruar fëmijët."

Lubanga ka zgjedhur me vetëdije fëmijë nën moshën 15-vjeçare, thotë akuza, sepse ata manipulohen më lehtë. Në seancat përgatitore 48-vjeçari Lubanga ka thënë se është i pafajshëm. Ai e justifikon veten duke thënë se si politikan, nuk ka pasur ndikim asnjëherë mbi njësitë paraushtarake.