1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ishinger: Statusi i Kosovës është zgjidhur, por dialogu mes Serbisë dhe Kosovës është i domosdoshëm

Bahri Cani31 Tetor 2008

Me Serbinë duhen vazhduar negociatat për çështjet konkrete, shprehet ish-ndërmjetësuesi gjerman në negociatat mes Beogradit dhe Prishtinës, diplomati Volfgang Ishinger. Ai përjashton mundësinë e ndarjes së Kosovës

https://p.dw.com/p/Fl4m
Diplomati gjerman dhe ish-ndërmjetësues në negociatat shqiptaro-serbe, Volfgang Ishinger (Wolfgang Ischinger)Fotografi: AP

DW: Z. Ishinger para pak kohësh ju jeni cituar se Kosova dhe Serbia duhet të rifillojnë procesin e negociatave. Për çfarë negociatash e keni fjalën?

Ishinger: Nuk e di si më kanë cituar, por shpresoj se në afat të shkurtër apo më të gjatë do të ketë negociata mes shqiptarëve dhe serbëve. Mirëpo në diplomaci iniciativat kanë gjithmonë një kohë të përshatshme dhe të papërshtatshme. Presidentët Tadiq dhe Sejdiu, si dhe dy kryeministrat janë ata që duhet të gjejnë momentin më të mirë për rifillimin e negociatave. Vendimi nuk është i lehtë për asnjërën palë. Prandaj duhet të presim edhe ca kohë, por mendoj se ne perëndimorët duhet të kërkojmë nga palët që t'i rikthehen linjës të bisedimeve, siç ishte në kohën e ndërmjetësimit të trojkës, dhe të bisedojnë se si të jetojnë njëri pranë tjetrit. Për mua nuk është me rëndësi nëse bisedimet fillojnë vitin e ardhshëm, por që ky duhet të jetë objektivi, të cilin e pranojnë të dyja vendet.

DW: Kosova ka shpallur pavarësinë me 17 shkurt. Këtë pavarësi e kanë njohur 51 vende, ndër të cilat edhe Gjermania, vende të tjera të rëndësishme perëndimore dhe të gjitha shtetet fqinje, përveç Serbisë natyrisht. Pas deklarimeve të fundit nga ana juaj nuk ishte e qartë nëse çështja e statusit të Kosovës për ju është punë e përfunduar, apo nëse mendoni se duhet të bisedohet ende për statusin?

Ishinger: "Jo, jo. Çështja e statusit sipas mendimit tim është sqaruar. Tani duhet sqaruar çështjet e qarkullimit të qytetarëve të Serbisë dhe Kosovës, nga të dyja anët e kufirit, duhen shikuar mundësitë e organizimit më të mirë të tregtisë, komunikacionit dhe bashkëpunimit mes njerëzve. Fjala është pra për çështjet praktike me interes për të dyja palët. E përsëris edhe një herë: Për shqiptarët dhe serbët ekziston edhe një shembull shumë i mirë i zgjidhjes së problemeve praktike. Është ky modeli i raporteve mes Gjermanisë Lindore dhe Perëndimore. Në vitin 1973 është nënshkruar një marrëveshje mes këtyre dy shteteve, të cilat kishin një përfytyrim plotësisht të kundërt për ardhmërinë e tyre kombëtare dhe rregullimin e shtetit. Marrëveshja mundësonte qarkullimin e njerëzve, vizitat e familjarëve nga të dyja anët e kufirit dhe lehtësime të tjera të shumta. Këtë ëndërroj kur mendoj për Serbinë dhe Kosovën, që njerëzve t'u lehtësohet gjendja, të ketë tregti të lirë dhe investime, që do të ishte në interes jo vetëm të Serbisë dhe Kosovës, por edhe tërë rajonit."